Dr. Suela Dinellari: Qeveria ka shpërfillur kërkesat e studentëve dhe pedagogëve për universitetin. Ja programi i LSI për Korçën

839
Sigal

Dr. Suela Dinellari, Lektore në Universitetin ” Fan S. Noli”, nënkryetare e LSI Korçë

Nga ana e kontrollit dhe funksionimit të platformës online për mësimin, ka ende paqartësi lidhur me kredencialet e studentëve për t’u bërë pjesë e klasave virtuale

Qeveria ka shpërfillur kërkesat e studentëve dhe pedagogëve për universitetin

Gazeta Telegraf

 

 –Zonja Dineralli, mësimi online në universitetin tuaj, a është i mundur të ndiqet nga të gjithë studentët? Nëse ka studentë që ekonomikisht nuk mund të sigurojnë laptop me internet në shtëpi, a ndihmohen nga universiteti dhe Bashkia përkatëse?

– Situata e krijuar për shkak të pandemisë, prej marsit të këtij viti, shfaqi shumë çështje të diskutueshme për universitetet shqiptare, në funksion të realizimit të procesit akademik dhe kërkimor-shkencor. Në këtë kontekst, mësimi online u propozua nga MASR, për të realizuar në vazhdim procesin didaktik në të gjitha lëndët e programeve të studimit. Si një nga “alternativat më të mira” të propozuara më pas nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për  të rritur masat në frenimin e përhapjes së COVID-19, tre ditë para fillimit të procesit akademik, u bashkëshoqërua me problematika të shumëfishta nisur nga krijimi i platformës online e deri tek vënia e saj në praktikë. Sa i përket çështjes së frekuentimit të studentëve, vlen të bëhen të qarta tre aspekte shumë të rëndësishëm:

  1. A është siguruar baza teknike dhe e logjistikës për t’u realizuar me sukses mësimi online, për pedagogët dhe studentët?
  2. A varet mundësia e frekuentimit të platformës online, nga platforma apo nga studentët? Pra, a ka mekanizma kontrolli dhe rregullatorë që ndikojnë në këtë proces?
  3. Sa eficent dhe efektiv është mësimi online nisur nga realizimi i qëllimeve dhe objektivave të disiplinave të ndryshme, në çdo program studimi dhe në funksion të motivimit dhe stimulimit të studentëve si profesionistë në to?

Sa më sipër, duhet të konstatojmë faktin se ka një mungesë bashkëpunimi të ministrive për ta menaxhuar situatën. Duke evidentuar rëndësinë që ka bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale, konstatoj me keqardhje se bashkëpunimi me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, por dhe me pushtetin lokal është nul. Këtë e evidentojnë një sërë faktesh, nga buxhetet e parashikuara, deri tek situatat ekonomike e familjeve shqiptare, situata ekonomike e universiteteve dhe problematikat psiko-sociale në rajone si Korça dhe rrethinat e saj. Frekuentimi i platformës, nga të gjithë studentët do të ishte në kushte ideale, kur mjetet e nevojshme dhe shpërndarja e rrjetit për internet do të arrihej plotësisht. Në kushtet që jemi, ato janë kthyer në përgjegjësi individuale të studentëve dhe pedagogëve. Nga ana e kontrollit dhe funksionimit të platformës, ka ende paqartësi lidhur me kredencialet e studentëve për t’u bërë pjesë e klasave virtuale. Po kështu ka problematika të cilat venë në diskutim sasinë e informacionit të dhënë, metodën e përdorur dhe kohën sasiore; përballë rezultateve dhe aspektit cilësor të saj. Mësimdhënia është ndërveprim dhe energji; ndaj mendoj se mësimi online nuk e siguron dot realizimin efektiv dhe eficent të procesit në kushtet e mungesës së logjistikës edhe  pse “de jure” mjetet e kontrollit janë të disponueshme. Kjo situatë reflektohet tek mungesa e motivimit të studentëve për të ndjekur platformën në mënyrë korrekte dhe për të qënë aktivë, pjesëmarrës dhe ndërveprues gjatë orëve të leksioneve dhe seminareve.

Mësimi online në universitete ka problematika të cilat venë në diskutim sasinë e informacionit të dhënë, metodën e përdorur dhe kohën sasiore, përballë rezultateve dhe aspektit cilësor të saj

-Për orët praktike, çfarë mund të bëhet në këto situata pandemie

Nisur nga specifikat e programeve të studimit dhe në përputhje me kërkesat e Ligjit të Arsimit të Lartë lidhur me to, dallohen dy lloje praktikash:

  1. Praktika profesionale, për programet që synojnë formimin e mësuesve në disiplina të ndryshme
  2. Praktika institucionale, për programet që synojnë formimin e specialistëve të fushave të ndryshme

Deri tani, janë realizuar praktikat e lartpërmendura, duke respektuar protokollet e institucioneve për çështjen e higjenës dhe distancimit social në kushtet e pandemisë. Por problematike janë realizimi i orëve laboratorike për programe specifike, ekspeditat dhe praktikat për programet e sporteve. Gjykoj se në lidhje me to ende nuk ka zgjidhje për realizimin e tyre me sukses. Propozimet e pedagogëve dhe kërkesat e studentëve nuk kanë marrë përgjigje nga specialistët e Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë.

Kaluan dy vite nga protesta. A janë plotësuar kërkesat e studentëve?

– Protestat e studentëve, përfaqësojnë edhe sot rebelimin ndaj keqfunksionimit të sistemit arsimor universitar; të reflektuar kjo më pas me kritikën ndaj sistemit arsimor në tërësi nga qëndrimet e grupeve të ndryshme të specialistëve të fushës, mësuesve, pedagogëve e komunitetit. Fakti, që në dy vite, institucioni i Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë është përfaqësuar me tre modele të ndryshme drejtimi, nuk do të thotë se 8 kërkesat e studentëve janë plotësuar, apo janë zgjidhur të gjitha problematikat e sistemit arsimor universitar. “Pakti për Universitetin” ishte një përpjekje e MASR-së për të riadresuar problematikat e sistemit tek institucionet përkatëse, të cilat në gjykimin tim, nuk e ndihmuan ringritjen e universiteteve në nivel meritokratik dhe elitar. Keqmenaxhimi i fondeve dhe buxhetit nga MASR, nuk ka siguruar akoma infrastrukturën e duhur për konviktet e universiteteve, rigjenerimin e fondeve për bibliotekat me tekste që mund të sigurohen për studentët dhe aq më pak pajisjen me “Kartën e Studentit”. Në këtë situatë mendoj se kërkesat e studetëve do të kenë fokus të ri, që do të orientohet nga situata politiko-ekonomike, arsimore dhe shëndëtësore që po kalon vendi.

-Cilat janë problemet e Arsimit të Lartë?

– Problemet e Arsimit të Lartë mund të parashtrohen në disa plane. Nëse do i referohemi zbatueshmërisë së ligjit për Arsimin e Lartë Nr.80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, ka shumë çështje disfunksionale, të cilat paraqiten si “të zgjidhura”,  apo “ në proces zgjidhjeje”. Ndër to mund të rendisim probleme me natyrë ekonomiko-financiare si: financimi dhe buxheti për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor, probleme më përcaktimin e tarifave për programet e studimit; disbalancimi i financimit mes universitetetve publike dhe atyre private; skema e vetëfinancimit dhe realizimi i saj, bursat e studentëve dhe pagat e stafit akademik, etj. Por edhe problemet e natyrës organizative dhe menaxheriale, mendoj se ndikojnë më së shumti në rivitalizimin e universiteteve, e në veçanti të universiteteve rajonale, si Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë. Të tilla probleme janë: mungesa e mekanizmave për sigurimin e cilësisë dhe meritokracisë të stafit akademik dhe studentëve në programet e studimit, duke gjykuar se vendosja e mesatares nuk e zgjidh këtë çështje; pengesa në kualifikimin e vazhdueshëm të stafit akademik me grada dhe tituj; rishpërndarja e kuotave për programe të njëjta studimi mes universiteteve;  pengesa për hapjen e programeve të reja për shkak të mungesës së koordinimit me ministritë përkatëse që qartësojnë tablonë e kërkesës së tregut; probleme me funksionimin menaxherial dhe konkurrues mes të gjitha institucioneve të arsimit të lartë, çështja e lirisë akademike dhe autonomisë së institucioneve; problemet me akreditimin e programeve të studimit, njëhësimin dhe njohjen e tyre me vendet e rajonit por edhe më tej, etj…

Problematike janë realizimi i orëve laboratorike për programe specifike, ekspeditat dhe praktikat për programet e sporteve. Gjykoj se në lidhje me to ende nuk ka zgjidhje për realizimin e tyre me sukses

– Sa përshtaten specialitetet dhe mësimdhënia në universitetet tona me nevojat e tregut të punës, që studentët e diplomuar të kenë më të lehtë të ingranohen në jetë?

– Formimi i specialistëve në programe të ndryshme të universiteteve në Shqipëri  ju përshtatet më së miri kërkesave të tregut të punës dhe gjykoj,  se studentët tanë janë një “forcë pune” cilësore edhe për vendet e rajonit. Përmes teknologjisë, inovacionit si edhe përmirësimit të vazhdueshëm të metodave dhe mjeteve didaktike, të cilat kanë rritur cilësinë e mësimdhënies; ne e kemi të qartë situatën e programeve të mjekësisë, inxhinierisë, ekonomisë, marketingut, turizmit, gjuhëve të huaja, shkencave ekzakte e shkencave politike, sociale dhe psikologjike etj. Problemi nuk qëndron tek programet që përgatisin studentët si specialistë në fusha të ndryshme. Problemi qëndron tek politikat që hartohen për t’i integruar ata në tregjet e punës, politika në nivel qëndror e lokal dhe politikat e biznesit e konkurrencës së tregut të lire, të cilat në vendin tonë lënë për të dëshiruar. Një i ri që sapo rregjistrohet në programet e mjekësisë synon të largohet nga vendi pas përfundimit të studimeve, në vende të tjera të rajonit e më tej, ku puna e tij është e mirëpaguar, e sigurtë dhe e vlerësuar me meritokraci. Kjo i mungon tregut të punës në Shqipëri për shkak të aferave korruptive dhe nepotizmit.

 -Pse të rinjtë janë pesimistë për të ardhmen e tyre në Shqipëri?

– Situata politike, ekonomike, juridike, arsimore, dhe shëndetësore në Shqipëri është në kushte kritike. Reformat e herë pas hershme kanë krijuar konfuzion dhe jo rezultate. Këtë e konstatojnë më së shumti të rinjtë, të cilët përfaqësojnë atë grup social që konsiderohet në moshë vitale për të kontribuar në fushat e mësipërme. Duke qenë të pasigurtë për vlerësimin meritokratik e cilësor të sistemit arsimor dhe njohjen e tij në vendet e rajonit, të pasigurtë nga gjendja ekonomiko-financiare në familjet e tyre,  të pasigurtë për punësimin pas diplomimit dhe të pambrojtur nga drejtësia pas emërimeve sporadike në institucione, ata janë pesimistë për të ardhmen e tyre në Shqipëri. Këtë e faktojnë të dhënat mbi migrimin dhe emigracionin e tyre, që prej aplikimeve për studime jashtë vendit e deri në aplikime për punësim. Është me vend dhe shumë e rëndësishme që të kthejmë sytë nga realiteti që jetojmë, për të kuptuar problematikat dhe për të ofruar alternativa për zgjidhjen e tyre. Mesazhi i Konicës, nga historia e politika e vendit tonë se “ një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjetë”; është një këmbanë për të rikthyer vëmendjen ndaj konstatimeve të lartpërmendura.