Fejton nga Thoma Goga: U dashka “QEVERIA E BURGUT”!…

48
Sigal

-T’i heqim imut-munitetin” edhe Çeços, thoshte nipi i Pinxho Kapellos.

– Dikush ja mori këngës që kam “krrier” unë: “Bënça përmbi Tepelenë,/ ku hajdutët ngren’ folenë.

– Ministër finance do të zgjedhim një që ka fshehur më mirë vilat dhe paratë e “dhuruara”,- tha shkurtabiqi.

– Ndërsa Çeçua, nga “rektor i barinjve”, gradohet ministër “pa portofol” për stanet

 

Fejton: Thoma Goga

– Nga defteri Çeços –

Atë ditë u lodha shumë. Stani i vogël ka halle të mëdha. Po “stani” i madh kushedi sa halle ka?! U shtriva, po nga lodhja s’më vinte gjumë. Hapa televizorin. Më doli “stalla” e parlamentit. Veç deputetëve, kishte plot sehirxhinj; ambasadorë, kalemxhinj, kameraxhinj.

– Para se t’i heqim imunitetin atij që u arratis, të jap hesap ai “i gjati”,- ulërinte njëri.

– Fajtor është “shefi” e jo zëvendësi,- hidhet dikush.

– Shkarkoi ministrin, që të shpëtonte lëkurën e tij, – foli një tullac.

Dhe unë, ashtu mbështetur, rrija e mejtohesha. Pastaj belbëzova: Ore, mirë me “tigrin”, po me “lepurin” ç‘pati? Ai i shkreti edhe mizat nuk tremb…Po qenka “usta”. Ca i futi në burg, ca i hoqi, ca i ndoqi. Nuk e di nga i gjen këto marifete; nga lindja, perëndimi apo nga veriu?! Në burg ka ministra, deputetë, ca kryetarë bashkie, ca sekretarë ministrie, ca drejtorë që “kollofisnin“ ç‘kishin në dorë. Bile edhe pastruesen që u “tereziste” shtëpitë, e kanë “punësuar” aty në burg që t’u pastrojë qelitë. Ata “të burgut” kanë filluar e flasin hapur. Llafet dalin më shpejt jashtë edhe pse ata janë brenda. Janë shtuar “çimkat”…Nejse.

Thonë se në “stanin” e madh ka plasur sherri. Patronaz(h)istët u zhgënjyen. Janë si ferra nëpër këmbë. Nuk ka dalë kot llafi popullit: “Nga ferra e vogël del tigri i madh…” Numëruesit e votave ruajnë karriget ku do shtrojnë tajaren. I përhumbur nga lodhja, dëgjova një ulërimë nga fundi “stallës”:

“- T’i heqim imut-munitetin” edhe Çeços!

Ishte nipi i Pinxho Kapellos, që unë në stan e përdor në vend të qenit.

– Ore kulaku derrit, – ja ktheva,- edhe këtu nuk m’u ndave?

Pa mbaruar mirë llafin, erdhën dy çupërlina e më vunë hekurat.

– Po daleni moj të uruara! S’kam qënë as deputet, as ministër, as korrupsionist. Ju çupërlinat sikur jeni për të arrestuar gratë?! Respektoni “të ndrejtat” e njeriut! Nuk paska burra për byzyloqet e Çeços?!

– Hajde o popull, hajde! Hapi sytë e shiko se si janë plotësuar “konitat” në burgje, – foli ajo bjondja. Ka lezet, të duket vetja sikur je në BE…

– Ti në atë defterin tënd ke thënë e ç’nuk ke thënë,- shtoi esmerka.- Nashti shkruaj e trego ato që shikon e mos fantazo. U bone ti!…

Pak halle kisha unë edhe kjo më duhej,- thashë. Pastaj më shkoi mendja për mirë. Mbase më del për hajër. Ishalla më çojnë në burgun e grave! Jo, jo, edhe këtu dola huq. Më vërvitën te burrat.

– Ky është burg për VIP-a, – tha kokëhirra. Qelia juaj është bërë me porosi. Ke banjo, dush, televizor, internete…

“Të kam dhjerë në të gjitha”, -thashë me vete. Në fund të korridorit punonin ca ustallarë.

– Po këta?

– Bëhen gati qeli të reja, se do na vijnë “banorë” të rinj. Janë VIP-a më të mëdhenj se ti,- sqaroi esmerka.

Kaluan ca minuta. As vetë nuk e di se sa. Dikush ja mori këngës që kam “krrier” unë: “Bënça përmbi Tepelenë,/ ku hajdutët ngren’ folenë…”. Pastaj u dëgjua një ulërimë e madhe.

– Shpejt, shpejt, të gjithë në “stallën” e mbledhjes!

Shkova dhe unë. Byzyloqet na i dhanë me vete në një qeskë. “Mos i humbisni,- na thanë, se i keni në inventar”. “Stalla” u mbush plot. Shumë fytyra i kisha parë në televizor. Edhe këtu plot sehirxhinj; ambasadorë, kalemxhinj, kameraxhinj…

Mbledhjen e hapi një shkurtabiq.

– Bashkëvuajtës dhe miq! Jemi mbledhur për një çështje të rëndësishme,- filloi ai. Europa kërkon që edhe këtu në burg të zgjedhim drejtuesit tanë. Kjo bënet për të respektuar “të ndrejtat” e njeriut. Le ta quajmë “qeveria e burgut”. Vetëm kështu dëgjonet më mirë zëri ynë në arenën ndërkombëtare. Një komision, ku bëj pjesë edhe unë, do të paraqesë programin dhe përbërjen. Dëgjoni e mbani vesh!

Kur po lexonte programin, të kënaqte qetësia. Siç duket, ca dremisnin. Po kur filloi përbërja “e qeverisë”, nisi zamallahija.

– Ministër finance do të zgjedhim një që ka fshehur më mirë vilat dhe paratë e “dhuruara”,- tha shkurtabiqi.– “Atë” të mjedisit e kemi që e kemi. Edhe grupi “qeneratorëve” të plehrave do vijnë këtu. Ministrin e mbrojtjes do ta lëmë bosh hë për hë, se nuk i dihet…Për shëndetësinë do lëmë dy vende rezervë. Ashtu është puna… Mua më caktuan si të parin zëvendëskryeministër…

– Pusho more, kokëkanistër! – kundërshtoi fort një tullac. Unë kam punësuar gjithë fshatin që prodhon “bar”, kurse zotrote dashke vendin e parë!

– Ty do të bëjmë ministër rendi. I bën zap ata që trazojnë rendin! Ndërsa Çeçua, nga “rektor i barinjve”, gradohet ministër “pa portofol” për stanet,- vazhdoi shkurtabiqi.

– Jam “kondra”! Zbytheni këtë “emërim”,- ngrita zërin.- Unë jam ministër dhe “shef” në stanin tim. Edhe ju zgjidhni “krieministrin” në fillim, pastaj të tjerët me radhë.

– Meqë e more llafin, ke ndonjë propozim?- ndërhyri Meleqi, gjitoni im që i kemi ngjitur qelitë.

Në fillim kruajta kokën, pastaj i rashë shkurt.

– Më zure keq, o Meleq. Janë dy kandidatë të forte! Nuk di kujt t’ja prish e kujt t’ja ndreq. Unë thom, jemi që jemi, të votojmë këtë që kemi…Ta dini mirë, se pa një lider si ky, nuk na qas Europa! Hë, më thoni, ku do shkojmë, si do vemi?! Ky ja ka marrë dorën, o babam. Është babaxhan. E patë si dirigjonte? Ua bëri mendjen “çordollo” liderve europianë. Si thoni, e ftojmë të vijë në “stallë”?

U dëgjuan ca duartrokitje. Një pjesë thirrën fort “uuurrrra!”. Siç duket, llafi im ngjiti. Ndjeja se dikush më lëpinte. Hapa sytë. Nga lodhja isha kredhur në gjumë. Djersët kullonin, sikur isha larë në lumë. Në ballë më lëpinte Balua, zagari im besnik, që edhe në gjumë nuk ndahet nga unë. Akoma televizori jepte sherrin në “stallën” e parlamentit. Ëndërra që pashë, dukej tamam si realitet. E po, ëndrra janë. Edhe nuk duhen besuar, paçka se e kanë një të vërtetë…

Ju paça me shëndet: Çeço Çobani (dora vetë)