Nga Av. Ardjana Shehi MBA CIPD
Partner
Bllokimi pothuaj total i ekonomisë dhe tregtisë shqiptare në shkallë vendi për shkak të forcës madhore të epidemisë kërkon marrjen e masave të jashtëzakonshme nga qeveria shqiptare për të mënjanuar pasojat jo vetëm shëndetësore të epidemisë që po kalojmë. Disa prej masave emergjente qe mund të merren për t’i shërbyer qetesise sociale dhe ekonomike të vendit gjatë bllokimit të veprimtarisë ekonomike e tregtare në shkallë vendi për shkak të epidemisë janë renditur më poshtë:
Se pari, duhet të sigurohet mbështetja financiare për ndërhyrjen efektive të trupave shendetësore për shërimin dhe shpëtimin e sa më shumë jeteve. Për këtë, një masë e nevojshme e shpejtë në kuptimin e financave publike është rishikimi i zërave buxhetore për zhvendosje të rëndësishme në zëra emergjence në mbështetje të shërbimit shëndetësor në shkallë vendi.
Së dyti, masat që duhet të merren për të bërë bllokimet e nevojshme të aktiviteteve, etj., për të mundësuar distancimin social të njerezve, duhet të jenë përpjestimore, në kuptimin që në bizneset dhe/ose rrethet e vendit, etj., ku mund të vazhdohet të punohet pasi rreziku i përhapjes së epidemisë është më i ulët, duhet të lejohet vazhdimi i aktivitetit derisa edhe ato rrethe, biznese, etj., treguesi i riskut të arrijë alertin që legjitimon mbylljen e bizneseve, etj. Konkurueshmeria e interesit publik të mbrojtjes së shëndetit të populatës me interesin publik të mirëqenies ekonomike të individit dhe shoqërisë duhet të balancohen me vëmendjen dhe kujdesin maksimal. Duke synuar sa më sipër, rekomandohet të minimizohet bllokimi total i ekonomisë dhe tregtisë në shkallë vendi dhe, në mënyrë të vecantë, rekomandohet të menjanohet bllokimi total në shkallë vendi.
Së treti, rishikimi i zërave buxhetore është i domosdoshem jo vetëm për mbështetje më të mirë të shërbimit shëndetësor siç shkruaj më siper, por edhe për masat e tjera për kalimin e krizës. Duhet synuar minimizimi i nevojës per rritjen e borxhit publik për përballimin e situatës, për shmangien e katatrofës humanitare për shkak të mungesës së ushqimit dhe strehimit, për ruajtjen e vendeve të punes dhe, në mënyrë indirekte, për të siguruar mosdaljen nga tregu të operatorëve ekonomikë, pavarësisht nga sektori, klasifikimi i këtyre bizneseve për shkak të qarkullimit total vjetor, etj. Sigurisht, për këtë, është e kuptueshme, nevoja për uljen e domosdoshme të shpenzimeve të tjera buxhetore.
Para se të rradhis disa nga masat ligjore në interes të individëve dhe biznesit, në mënyrë të përgjithshme, mund të shprehem se në lidhje me masat ligjore përkatëse, është shumë e rëndësishme të ketë kuptim të qartë të institutit të ‘forcës madhore’ sipas legjislacionit tonë, të mënyrës së shpalljes, njoftimit, etj., për efekte të pasojave ligjore përkatëse.
Së katërti, bazuar ne prioritetin e msave rekomandohet që të të parashikohen mbështetje financiare për grupet në nevojë të cilet për shkak të mungesës së likuiditetit të vazhdueshem mujor mund të bien edhe në gjendje të mbijetesës dhe të urisë. Për këto grupe, duhet të parashikohen edhe nevojat e tyre për shpenzime higjiene, strehimi, si pagimi i qirave, etj. Me pak fjalë, në lidhje me këto grupe duhet të mënjanohet rënia ne uri dhe dalje nga banesa për shkak të mungesës së likujditetit minimum që u duhet atyre gjatë kohëzgjatjes së bllokimit të aktiviteteve, edhe të administratës publike, për shkak të krizës e derisa shteti tu sigurojë këtyre grupeve kushte minimale jetese. Kjo duhet marrë si një masë për qetësinë sociale, por edhe si një masë për mbështetjen e konsumit krahas masave të tjera, disa prej të cilave janë shënuar në pikën e mëposhtme.
Se pesti, masë e domosdoshme janë ndërhyrjet ligjore në lidhje me bizneset, të cilat do të synojnë të formalizojnë të gjitha masat e marra për përballimin dhe kalimin e krizës, përfshirë po pa u kufizuar ne ndërhyrjet e mësiperme por edhe të ndërhyrjeve të meposhtme, masa të cilat para së gjithash duhet të synojnë sigurimin me likuiditet të biznesve në kohë krize për shmangien e daljes nga tregu të tyre, mënjanimin e shkurtimeve të vendeve të punës, etj.:
- Shtyrja e deklarimeve dhe pagimeve të detyrimeve tatimore të bizneseve (tatim fitimi dhe TVSH), perfshirë edhe të kontributeve për sigurime shoqërore e shëndetsore të punëmarrësve, si dhe të tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi, taksa lokale, taksa kombëtare, etj.
- Lehtësi apo edhe përjashtime fiskale të përkohshme për bizneset në vështirësi financiare për shkak te bllokimit të aktiviteteve tregtare për të minimizuar hapjen e epidemisë. Garantimi i likuiditetit për bizneset për të mënjanuar, mbi të gjitha, që ata të shkurtojnë punonjës por edhe për të paguar detyrimet tatimore (ato të cilat nuk do të shtyhen ose lehtësohen/përjashtohen), për ripagimin e kredive nëpermjet subvencioneve, etj., është një masë e domodoshme e cila duhet të mbështetet me ndryshimet përkatese ligjore ose dispozita të përkohshme në legjislacionin fiskal, por edhe në legjislacionin për ndihmën shtetërore. Jo vetëm subvencionet shtetërore në formë granti, por edhe lehtësimet apo përjashtimet fiskale konsiderohen si ndihmë shtetërore dhe kjo shtron nevojën e ndryshimit të këtij legjislacionit, si për qellime të legjitimimit të dhënies së kësaj ndihme (pavarësisht se ka disa kritere përkatese tashmë në legjislacionin ekzistues), por edhe të procedurave të dhënies së kësaj ndihme, të cilat duhet të jenë më të thjeshtuara dhe më pak burokratike. Sigurisht, në këto raste, mbështetja në formën dhe proçedurat e ndihmës shteterore duhet të kushtëzohet me ruajtjen e vendeve të punës. Në këtë rast, sa kohë që mbështetja për bizneset do të jepet në formen e ndihmes shtetërore duhet të ndiqet edhe trendi i dhenies së ndihmës shtetërore në këto kohë krize të ngjashme në vendet e BE, për të menjanuar çdo problem formal të dhënies së ndihmës në shkallë vendi e cila cenon konkurrueshmërinë e drejtë me bizneset përkatëse të vendeve të BE.
- Ndërhyrje ligjore duhen edhe në dispozitat e legjislacionit per falimentimin per të dhënë më shumë kohë për hyrje në procedurë falimentimi, por edhe për të mundësuar më lehtë përdorimin e opsionit të riorganizimit në procedurë falimentimi, me synimin per të shmagur daljen nga tregu të operatorëve ekonomikë, qoftë edhe të biznesve të vogla. Ndryshime në legjislacionin e falimentimit nevojiten edhe për të shmangur përgjegjësinë e ortakëve dhe administratoreve të shoqërive tregtare për mosfillimin e procedurave të falimentimit kur shoqeria është në gjendje të paaftesisë paguese. Shtyrja e afateve të detyrimit për hapjen e procedurave të falimentimit nga ana e debitorit do të ishte një masë shpëtuese për ortakët dhe administratorët, por jo domosdoshmërisht për bizneset por edhe kjo është e rëndësishme për shëndetin e sektorit privat. Shmangia e kërkesave të kreditoreve të debitorëve në paaftësi paguese për ripagim të kredive të krijuara gjatë kohës së kësaj krize do të rekomandohej për lehtësi në fazën e rimëkëmbjes ekonomike. Në këtë fazë pas bllokimit do të kuptohet rëndësia e kurimit ligjor në kohë edhe të këtij aspekti.
- Ndërhyrje tjetër ligjore e këshillueshme është edhe lehtësimi i procedurave për kalimin në status pasiv të bizneseve, e cila mund të ishte një mënyrë efektive për mënjanimin e akumulimit te shumë lloje detyrimesh për bizneset.
- Masa të rëndësishme janë rekomandimet që mund të japë qeveria për organet rregullatore mbi ndërhyrjet ligjore që mund të kryhen, për aq sa është e mundur, nga vetë organet rregullatore për të mundësuar lehtësi të pagesave për shërbimin me ujë, energji, kredi bankare, etj., për pranim subvencioni shtetëror si zëvendësim debitori, etj. Të bashkerenduara edhe me aspekte të ndihmës shteterore këto masa rregullatore do të jepnin ndihmesë në zbutjen e krizes për shkak të kohëzgjatjes së bllokimit të aktivitetit ekonomik e tregtar te vendit.Bazuar në paramendimin në këtë fazë të risqeve të mundshme, më lart u përpoqa të rendis disa nga masat kryesore që duhen marrë nga një vështrim i përgjithshëm, të cilat duhet të detajohen në disa masa të tjera e të cilat janë të domodoshme të merren me efektivitet e eficiencë në një kohë që kohëzgjatja e bllokimit të aktivitetit ekonomik e tregtar në vend ëndë është vështirë të parashikohet. Po kështu, u përpoqa të tërheq vëmendjen se si ndihmon ndihma shtetërore dhe ndryshimi i legjislacionit në këtë kohë krizë ekonomike. Së fundi, dua të shprehem se e rëndësishmë është të jemi të aftë të parashikojmë mirë e saktë masat e duhura dhe t’i marrim e zbatojme ato në kohën e duhur.


















