Laguna e Karavastasë del në ankand: 675.526 m2 do t’i jepen privatit me çmim qesharak

1447
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Tentakulat e babëzisë kapin edhe zonat e mbrojtura

Ja si po shitet Parku Kombëtar që duhet të mbrohet nga shteti, tek biznesmenë të ndryshëm që ia kanë vënë syrin 

Një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, Laguna e Karavastasë, ka dalë në ankand! Megjithëse është Park Kombëtar dhe mbrohet nga strukturat shtetërore, sërish biznesmenë të ndryshëm ia kanë vënë syrin.

E konsideruar kohë më parë si “varreza” e Bandës së Lushnjes, kjo Lagunë kaloi disa vite më parë nën administrimin e shtetit. Më parë, e menaxhonin njerëzit e Aldo Bares.

Sipas dokumenteve, Bashkia Divjakë, nën bekimin e ‘rilindasve’  ka hapur ankandin për të dhënë tre sipërfaqe të ndryshme me qira prej vetëm 270 mijë lekë

Ndërkohë, janë siguruar disa dokumente, ku një sipërfaqe prej 675.526 metër katrorë do t’i jepen privatit me çmime qesharake. Bandat e dikurshme  kanë fituar pozita shtetërore, teksa “përfaqësohen” nga të zgjedhur qendrorë dhe lokalë. Sipas dokumenteve që disponohen, Bashkia Divjakë, ka hapur ankandin për të dhënë tre sipërfaqe të ndryshme me qira. Përkatësisht, do të jepen me qira pasuritë e paluajtëshme me sipërfaqe 157888 m2, pasuria me sipërfaqe 179875 m2 dhe pasuria me sipërfaqe 337763 m2. Në total, 675.526 metër katrorë do t’i jepen privatit.

Në dokumente thuhet se këto pasuri janë “pa frut”, pasuri të cilat janë në pronësi të Bashkisë Divjakë, regjistruar në ASHK-në Lushnje, me vendodhje në Divjakë.

“Dhënia me qira do të jetë me vendimin e vitit 2014 ‘për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteoze apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore’. Do të jepet me qira kryesisht për qëllime të ndryshme, blegtoriale, industriale, energjitike etj, e cila do të gjenerojë të ardhura dhe do të nxisë punësimin”, thuhet në këto dokumente.

Vendimi i ankandit është firmosur nga kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, i cili gëzon mbështetjen e deputetit të zonës Erion Braçe, njëherësh edhe zëvendëskryeministër. Pra, me “bekimin” e Braçes, Kokoneshi ka vendosur që të japë këtë pasuri me një afat 10 -vjeçar, duke filluar nga data e nënshkrimit të kontratës.

“Vlera dysheme për detyrimin e qirasë është 270 000 lekë⁄ha në një vit kalendarik. Konkurimi për marrjen me qira do të kryhet në ambientet e Bashkisë Divjakë, në sallën e mbledhjes së Këshillit Bashkiak, më datë 31 maj 2021 në orën 11:00”, thuhet në këto dokumente. Kriteret e përzgjedhjes do të jenë 60 pikë niveli i investimit, 20 pikë niveli i punësimit dhe 20 pikë oferta e detyrimit mujor të qirasë./ ‘Boldnews’