Debate në KAS, juristi kundër militantit të partisë në KAS: Je shembulli më i keq i intimidimit, kërcënimit dhe sharjes

240
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

KAS, edhe pse është një institucion, që ka detyrë të marrë dhe të shqyrtojë çdo provë të shkeljes zgjedhore, madje, ka detyrimin edhe të kërkojë prova nga institucionet shtetërore, kur subjektet elektorale, që kanë bërë ankimimin, e kanë të vështirë të sigurojnë këto prova të shkeljes së ligjit dhe të Kodit Zgjedhor nga institucionet shtetërore, në fakt, gjatë këtyre ditëve shikojmë, që anëtarët e KAS, që janë përfaqësues të partive politike, tregohen militantë, u shërbejnë interesave të partive, duke shpërfillur, injoruar edhe vetë ligjin, edhe Kodin Zgjedhor. Shumë herë, debatet në KAS midis anëtarëve të KAS dhe përfaqësuesve të subjekteve elektorale anashkalojnë etikën dhe rregullin dhe kthehen në sulme personale. Kështu, dje, KAS refuzoi kërkesën e PD-së dhe LSI-së për të shpallur të pavlefshme rezultatin zgjedhor në Qarkun e Vlorës. Në KAS dje, në seancën për shqyrtimin e ankimimeve të opozitës për qarkun e Vlorës, u shkëmbyen debate mes anëtarit Ilir Rusmali dhe avokatit të PD Marash Logu. Rusmali u shpreh se avokati i PD-së formulon vetëm hipoteza dhe nuk provon me dokumente pretendimin e tij se 23 persona kanë votuar 60 herë. Ndërsa Logu, duke iu referuar Rusmalit, tha se ai është i anshëm dhe nuk ka tagrin për leksione etike dhe morali.

Debati:

Rusmali: Nëqoftëse vihet me argumentin cila palë mund të sillet keq me anëtarët e trupës, mund të sillet pa edukatë, mund t’i konfrontojë, mund t’i kanosë, mund t’i shajë. Njerëzit që vijnë me këtë qëndrim nuk kanë kuptuar mënyrën se si funksionon shteti, drejtësia dhe ligji. Pyetjet unë nuk i bëjë për karshillëk. Pyetjet unë i bëj për të kuptuar raportin e provës me ligjit. Fjalia “a ekziston mundësia” bën fjalë për hipotezë, ne nuk na duhen hipoteza, na duhen provat. Hipoteza e ngritur nga z. Logu nuk formon provë. Provë formon vetëm fjalia, po dokumenti provon se 23 persona kanë votuar 60 herë. Z. Logu nuk e thotë, sepse dokumenti nuk e provon. Për ilaritet mund të bëni shumë veprime dhe gjëra nga këto.

Logu: Për sa kohë personi që e bën leksionin është shembulli më i keq i sjelljes së keqe, intimidimit, kërcënimit, sharjes dhe mungesës së etikës…

Lako: Të lutem shumë…

Logu: Përse nuk e ndaluat personin tjetër, por më ndaloni mua. Edhe unë dua të flas për etikën, moralin, besoj se e bëj më mirë se z.Rusmali. Një person që është e kundërta e asaj që na u prokalmua këtu, nuk e ka tagrin për të bërë leksione etike dhe morali. E kuptoj shumë mirë, kur ka anëtarë, që përpiqen t’u shërbejnë argumenteve të njëanshme, që kanë deklaruar më herët. Kjo provë që kemi këtu është shumë e qartë. Është e zeza me të bardhë. Pra 23 zgjedhës kanë vendosur shenjat e gishtërinjve për të identifikuar 60 votues. A është kjo shkelje e ligjit?!