‘Theu’ karantinimin, i riu nga Durrësi gjobitet me 700 mijë lekë. U hiqet patenta për tre vite edhe tri shoferëve

380
Sigal

Një 27-vjeçar nga Durrësi është gjobitur me 700 mijë lekë të reja pasi ka thyer ‘karantinimin’ dhe ka dalë nga shtëpia.

I riu ishte kthyer nga Italia më datë 7 mars dhe sipas rregullave të vendosura duhet të qëndronte i vetëizoluar për dy javë. Në momentin që ai ka dalë, është pikasur nga policia dhe është gjobitur. Gjithashtu tre shoferëve, që nuk kishin autorizimin e nevojshëm për të lëvizur u është hequr patenta për tre vite.

Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 51 të prekur. Shkon në 7 numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar, nga Spitali i Durrësit dhe spitali “Shefqet Ndroqi”.

Disa ditë më parë një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit ndërsa deri më tani vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier.

Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private.

Është miratuar dhe Akti Normativ, që detyron spitalet private që të jenë në shërbim të shtetit gjatë periudhës së emergjencës dhe kush nuk bindet do ketë gjobë deri në 5 milionë Lekë.

Po ashtu gjoba do ketë dhe për ata që thyejnë rregullat e vendosura nga qeveria. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët. këmbësorët që thyejnë vetëizolimin gjobiten me 700 mijë lekë të reja, ndërsa automjetet private që lëvizin pa autorizim rrezikojnë heqjen e patentës deri në 3 vite.