Organet shtetërore heshtin përballë shkeljes së të drejtave të konsumatorëve. Kurba e tarifës së shërbimit është nga 240 lekë në 360 lekë, më pas në 420 e së fundi 700 lekë në muaj
Albtelekom Sh.a ka trefishuar tarifën e shërbimit për abonentët, ndërkohë, strukturat shtetërore heshtin përballë kësaj babëzie që po boshatis xhepat e varfët të shqiptarëve. Referuar dokumenteve zyrtare, nga 240 lekë në muaj që ishte kjo tarifë, u rrit e shkoi në 360 lekë në muaj. Më pas tarifa u rrit përsëri e shkoi në kuotën e 420 lekëve, ndërsa së fundi, shuma shkon në 700 lekë në muaj. Është e pafalshme që asnjë nga strukturat shtetërore, deri dhe ministra e Kryeministri, nuk kanë reaguar përballë kësaj zhvatje që u bëhet qytetarëve pa u bërë asnjë shërbim. E nëse bën një llogari të thjeshtë, çdo muaj, miliarda lekë të shqiptarëve shkojnë në të tjerë xhepa, pa asnjë shërbim ndaj tyre…
SKANDALI
SHKSH-ja gjatë muajve të këtij viti 2014 ka regjistruar me dhjetëra e qindra ankesa të konsumatorëve për telefoninë fikse si: mungesa e informimit, mungesë transparence, shpesh herë mungesë të faturës, ende me e keqja rritja e çmimit të tarifës për linjën e shërbimit konsumatorët. Konsumatorët shprehen se, “e harruam pagesën e 240 lekëve për tarifë shërbimi përkundrejt asnjë lloj shërbimi, pra tarifë rrënimi, por belaja na ka ardhur në derë më një super tarifë shërbimi, ku shumë klientë familjarë që nuk kanë përfituar asnjë shërbim nga Albtelekomi, kur klientë të kësaj kompanie nuk kanë konsumuar asnjë impuls, u duhet me patjetër të paguajnë tarifën e shërbimit prej 700 lekësh, e justifikuar bukur në faturë.
SHEMBULL
Ja një shembull ndër dhjetëra ankesa dhe fatura që kanë depozituar konsumatorët në SHKSH, për rritjen e tarifës së shërbimit në kundërshtim me kontratën dhe marrëveshjen e realizuar ndërmjet tyre: numra tel; 35542 256730, 35542 250174 ; 35542 2367453 ; 35542234935 etj…
Pajtim familjar……………. 583.33 lekë
Shuma e shërbimeve telefonike.. 583.33 lekë
TVSH (20%)………………… 116.67 lekë
Shuma për tu paguar………… 700.00 lekë
Nuk u mjaftuan me tarifën e shërbimit telefonik 240, 360, 420, por duhet ndëshkuar më shumë klienti që nuk përfiton shërbimin e tij me 700 lekë në muaj!
KLIENTËT E ALBTELEKOM, ANKESAT
Klientët e kësaj kompanie monopol janë të irrituar, sepse kjo kompani para se të rrisë çmimin duhet të realizojë një rrjet të mirë funksional të sistemit me qëllim që klientëve t’u sigurohet shërbimi i kërkuar, shërbimi i premtuar në kontratë sipas ligjit. E jo të paguajnë për impulse të pa konsumuara, për më tepër edhe kur telefoni është pa sinjal, për arsye dhe defekte të vetë Albtelekomit, ashtu sikurse ka ndodhur shpesh herë ne Kombinat Njësia Bashkiake nr. 6, në Njësinë nr. 2, në Njësinë nr. 11, Tiranë, ku abonentët kanë paguar për një muaj faturën telefonike pa e gëzuar këtë sinjal telefonik në familje.
Ndërkohë që, kjo kompani duhet të kërkojë dhe të punësojë kuadro specialistë të aftë si në sigurimin e linjave dhe punonjës me etikë dhe të kualifikuar në sportelet e ashtuquajtura shërbimi ndaj klientit. -Kur shërbimi nuk i realizohet konsumatorit tregon qartë se është shkelur e drejta e informimit dhe e komunikimit, por ende më i dënuar është klienti kur rritet çmimi i tarifës së shërbimit. Kjo tregon se kompania nuk e përfill konsumatorin si partner, nuk zbaton kontratën dhe ligjin e konsumatorit. Qytetarët shprehen se kjo vjen si rrjedhojë e mungesës se transparencës nga Albtelekomi, nuk respektohet kontrata, në të tilla kushte konsumatorët, thonë se ne jemi të detyruar të prishim kontratën sepse çmimi është dyfishuar, kjo në kundërshtim me kontratën. Konsumatorët thonë se kontratat e shërbimit të Albtelekomit janë konfuze (të paqarta rreth të drejtave dhe përgjegjësive) dhe kjo bën që të ç’ orientohen në vendim-marrje.
Shoqata e Konsumatorit Shqiptar bazuar ne ligjin “Për Mbrojtjen e Konsumatorit” nr. 9902, dt. 17. 04. 2008 kërkon nga kompania zbatimin e ligjit mbi të drejtat e konsumatorëve neni nr 4, 5, 6, 7, nenet 40, 41, për të sigurimit të kontratës dhe të kërkesave të sigurisë, për detyrim për informim, për dëmshpërblim të konsumatorit etj.
Ndërsa, në nenin 37, ku bëhet fjalë për detyrime të përgjithshme e të veçanta, përpara lidhjes së kontratës, dhe të drejtat e konsumatorit që të heqë dorë nga kontrata pa penalizime, nëse shërbimi i ofruar nuk është i sigurt sipas nënshkrimit të kontratës. Këto veprime që nuk e përfillin konsumatorin dhe e diskriminojnë atë, bën që të ulet besimi për Albtelekomin Sh. a.
HESHTJA ABSURDE
Heshtja e strukturave shtetërore, përveçse absurditet, lë shteg për dyshime lidhur me përfoljen e segmenteve e personave me pushtet me interesa direkt e indirekt në Albtelekom Sh. a. Është momenti që shoqëria civile, Shoqatat e Konsumatorëve, intelektualë e faktorë të tjerë të komunitetit të ngresh fuqishëm zërin e protestës për të frenuar këtë abuzim të radhës me djersën e shqiptarëve.
Çfarë sugjeron Shoqata e Konsumatorit Shqiptar
•-Të ulet tarifa e shërbimit (pajtimi familjar)
•-Transparencë në zbatimin e kontratës
•-Albtelekomi të mundësojë një shërbim të mirë, konform ligjeve të përcaktuara
•-Në kontrata me abonentët të jetë transparent, i qartë me qëllim që konsumatorët të kenë besim tek këto institucione e subjekte që ofrojnë këto shërbime