Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Vajtimi i cigankës

Përrenjtë luhateshin në terr,
thëllimi fryn çadrat si gajde.
Fryma e ftohtë e mesnatës
ia thotë këngës, ik e hajde…

Dhe prapë dielli zë e dridhet.
Udhë, moj e pasosur udhë…
Prapë nga lart hëna si dajre,
në valle retë djersit e qull.

Sigal

Ulet bora – pulëbardhë
buzë përroit të mufatur.
Dridhet zëri i cigankës
si një psherëtimë e zgjatur…

Vajton me lemeri, ngre mornica,
Për birin e vetëm që s’u bë motak,
kallkanosur nga ngrica
buzë përroi, në monopat:

O gushëkuq, more flori !
ku shkove, o bir kush të jep gji?!
Si s’vjen përroi më merr me vete,
të të jap gji nëna, atje ku fjete!…

Ta tund djepin, nëna, o shpirt,
tek ylli yt, që të bën dritë.
Mbase atje ka, për ne të dy,
një copë mur, nën një çati! …