Suplementi Pena Shqiptare/ Tomorr Shasho: Dy kurorat

557
Sigal

Na ishte një herë një mbret, i cili na kishte vetëm një djalë. U rrit djali i mbretit si djalë mbreti, mes njëmijë e një të mirave. Erdhi dita e djali i mbretit arriti në moshë martese. U fejua, caktuan edhe ditën e dasmës. Shtatë ditë e shtatë netë oshtinë malet e u drodh toka nga këngët e vallet. Buçisnin cyrlat e daullet, gjëmonte klarineta e defi. Dridheshin pa pushim telat e çiftelive e të lahutave. Sofrat e mbushura plot nuk u ngritën për shtatë ditë e shtatë netë.

Pa kaluar ende gëzimi i dasmës, u mor vesh dhe gëzimi tjetër: princesha do të lindte fëmijë. Jo vetëm në oborrin mbretëror kjo fjalë flitej nga mëngjesi në darkë, po edhe populli nuk pushonte së foluri.

Mbretin nuk e zinte vendi, pasi donte që nusja e princit të lindte djalë. E zoti ia plotësoi dëshirën. Princesha lindi djalë. Përsëri malet përcollën oshtimën e këngëve dhe toka u drodh nga vallet. Djali i princit rritej e rritej.

Ato ditë u dëgjua se edhe nusja e yzmeqarit, lopçarit të mbretit, kishte lindur djalë. Ky lajm nuk bëri përshtypje në popull. Edhe kur dëgjuan se nusja e lopçarit lindi djalë filluan nga romuzet:

– E hu,- tha mbreteresha, – këta kështu pjellin gjithmonë.

Shërbysja, që e dëgjoi, e shikoi drejt në sy, uli kokën e nuk bëri zë, por me vete thoshte:

– Po të dy, njerëz që i solli zoti në këtë jetë janë.

Edhe djali i lopçarit rritej, po më i bukur e më i fuqishëm se djali i princit.

Një ditë, kur princesha po e përkëdhelte të birin, pa se në kokë ishin krijuar dy kurora. U merakos, po nuk bëri zë. Në darkë shikoi kokën e princit. Ai në kokë kishte dy kurorë. Iu shtua meraku princeshës, pse i biri kishte dy kurorë. Nuk guxonte t’ia thoshte mbretëreshës apo mbretit, madje as të shoqit, princit, nuk ia tha. Ia tregoi vetem shërbyses së saj. E vështroi shërbyesja e i tha që të mos bëhej merak, pasi do ta sqaronin se ç’tregonin këto dy kurora në kokën e djalit.

Një ditë prej ditësh u panë të hynin në oborrin e sarajeve të mbretit dy harixhofka. Rojet nuk donin t’i linin, por qe ndërhyrja e princeshës që harixhofkat të futeshin në oborr. Shërbysja, e cila mbante dhe djalin e princit në krah, iu drejtua harixhofkës në moshë më të madhe, në se dinte të hidhte fall.

-Po. Di dhe t’i gjej të gjitha. Përse do të hidhni fall?

Princesha rrinte në këmbë e dëgjonte bisedën midis shërbyses dhe harixhofkës që do të hidhte fallin.

– A mund t’na gjesh përse djali i princeshës ka dy kurora në kokë? – e pyeti shërbyesja.

Dhe i tregoi kurorat në kokën e djalit. Harixhofka deshi ta merrte djalin në prehër, po shërbyesja nuk ia dha. Fallxhorja i mori një pe nga rrobat e djalit, e bëri si lëmsh dhe filloi ta rrotullonte afër kurorave. Drejtonte sytë nga qielli, i ulte në tokë, bënte sikur spërkaste kokrrën e perit me pështymë, mërmëriste me sy mbyllur, ndërsa princesha priste të dëgjonte fjalën e fallxhores me duart e kryqëzuara para barkut. Fallxhorja hapi sytë, shikoi shërbëtoren e u drejtua nga princesha.

– Princeshë e nderuar! Një fat i madh është nisur drejt djalit tuaj. Kur të rritet, djali juaj do të bëhet mbret i dy vilajeteve. Mbretëria e tij do të lulzojë e do të jetë shembulli i kësajë dynjaje. Dy kurorat tregojnë dy vilajetet që djali juaj do të sundojë.

Princesha fluturoi nga gëzimi. U fut në dhomën e saj, mbushi duart me stolirat më të bukura, mori dhe disa florinj e ia dha fallxhores. Fallxhorja u ngrit, mori dhuratat, i futi në çantën që kishte copat e bukës dhe iku duke uruar princeshën me fjalët më të bukura që dinë vetëm fallxhoret t’i thonë.
Lopçari, i cili rastsisht ndodhej aty i shkoi pas fallxhores. I tha që t’i hidhte fall se, ç’do të bëhej kur të rritej djali i tij, pasi edhe ai kishte dy kurora në kokë.
Shkoi fallxhorja te shtëpia e lopçarit. Pa djalin e shëndetshëm e të bukur. I fërkoi kokën dhe majën e hundës si shenjë që të mund të mos merej më sysh! Bëri atë veprim që kish pas bërë edhe me djalin e princit. Lopçari shikonte veprimet e fallxhores, shikonte dhe djalin, i cili edhe ai ndiqte lëvizjet e buzëve dhe të duarëve të fallxhores pa ditur se ç’bëhej.

Fallxhorja hapi sytë, shikoi lopçarin e të shoqen, të cilët rrinin e vështronin njëri – tjetrin e prisnin fjalën e fallxhores. Kur pa se në dorë nusja e lopçarit mbante një pjatë me bathë, fallxhorja rënkoi, se gjoja i erdhi keq për atë që do të thoshte. I dha djalin lopçarit dhe tha:

– Djali juaj në të ardhmen do ketë një fat jo të mirë. Dy kurorët në kokë tregojnë se do të martohet dy herë. Gruaja e parë do t’i vdesë duke i lënë katër fëmijë jetim. Edhe me të dytën do të ketë po kaq fëmijë dhe do të jetë tërë kohën e sëmurë.

Lopçari, duke iu dridhur buza, filloi të flasë:

– Po pse djali im të ketë këtë fat të zi?! Edhe ky dy kurorë ka si djali i princit?

– Kështu e ka kjo dynja, – foli fallxhorja. – Njëri mbret e tjetri fukara. Atje hodha fall te shtëpia e mbretit, këtu jam te shtëpia e e yzmeqarit të tij.

Qëndroi një hop dhe vazhdoi:

– Ndryshon meseleja, or mik.

Mori çantën, hodhi bathët, të cilat u përzien me florinjtë, pastaj mori shkopin e u nisë përsëri për rrugë.

Kush e ha sapunin për djathë, le ta hajë, -thoshte me vete. – Për mua rëndësi ka të mbush çantën.