Laudato si’ 2.0: Testamenti i fundit mjedisor i Papa Franceskut bëhet pakt global në Climate Week, ndërkohë që konklavia kërkon papën e diplomacisë

59
Sigal

Bekimi i Fundit: Papa i Shpresës dhe Pakti për Krijimin

 

Sir Prof. Gabriele Pao-Pei Andreoli

President i IASC – Përfaqësues Ndërlidhës pranë Akademisë Papnore të Teologjisë, Vatikan

Nganjëherë historia thur fate që asnjë strateg nuk do të kishte mundur t’i parashikonte. Në Tiranë, Shqipëri, ka selinë Fondacioni Institute for Advanced Studies and Cooperation, promotori i World Changers Summit dhe organizatori i eventit “Legacy of Laudato Si’” që do të mbahet gjatë Climate Week në Nju Jork. Në këto orë, Roma dhe Nju Jorku duken larg — të ndarë nga oqeani dhe kalendari — dhe megjithatë, në një përkim të mistershëm shpirtëror, ndajnë një trashëgimi të vetme: testamentin moral të Papa Françeskut.

Në Romë, Konklavia hapet nën shenjën e një përgjegjësie të madhe: zgjedhjen e pasuesit të një Pape që ka ditur t’i flasë zemrës së Kishës dhe botës. Në një epokë të fragmentimit dhe pasigurisë, kërkohet një Papë që jo vetëm të ruajë fenë, por të pajtojë të kundërtat, të ndërtojë ura të padukshme midis kulturave, besimeve dhe brezave. Një njeri i lirë, i aftë të rezistojë ndaj presioneve, kompromiseve dhe kurtheve të pushtetit. Një ndërtues i heshtur, i rrënjosur në Ungjill dhe i hapur ndaj botës.

Ndërkohë, në Nju Jork, po përgatitet një tjetër moment rilindjeje: në shtator, gjatë Climate Week, do të nisë zyrtarisht “The Legacy of Laudato Si’”, një program global që mbledh dhe rishpërndan mesazhin profetik të Papa Françeskut për kujdesin ndaj shtëpisë sonë të përbashkët. Nuk është një ngjarje thjesht përkujtimore. Është një akt vazhdimësie, lindur nga bekimi i fundit që Papa dëshiroi të dërgonte — vetëm disa orë para ndarjes së tij nga jeta — për ata që luftojnë për të ardhmen e Tokës. Ai letër, e thjeshtë dhe solemne, është bërë një farë: prej saj, sot mbin një aleancë që bashkon shkencëtarë, liderë fetarë, institucione dhe shoqërinë civile në një angazhim që tejkalon flamujt dhe interesat.

Një “Laudato Si’” e re, jo vetëm për t’u lexuar, por për t’u jetuar. Dhe kështu, ndërsa kardinalët në Romë reflektojnë mbi udhëheqësin që i nevojitet botës, në Nju Jork konsolidohet një bindje: e ardhmja shpirtërore e njerëzimit kalon edhe përmes aftësisë së tij për të ruajtur krijimin. Diplomacia e Shpirtit dhe diplomacia e Jetës janë dy fytyrat e së njëjtës shpresë. Në këtë ndërthurje ngjarjesh të ndara por mistershëm të lidhura, njihet gjurma e gjallë e Françeskut: përulësia që bëhet guxim, besimi që bëhet përgjegjësi, heshtja që bëhet farë e së ardhmes. Dhe nëse Kisha do të dijë të zgjedhë një Papë të lirë dhe vizionar, dhe nëse bota do të dijë të dëgjojë thirrjen e Tokës, ndoshta atëherë bekimi i Françeskut nuk do të ketë qenë një lamtumirë, por fillimi i një epoke të re.