Drejtori i QSUT-së  vonon tenderin e mirëmbajtjes, prishen  aparaturat mjekësore

620
Sigal

Skandali/ Pikëpyetje mbi tenderin me fond limit 7 milionë euro, të zgjatur për më shumë se 3 muaj. Ja lista e aparaturave që ndajnë  “fijen mes  shëndetit  të pacientëve dhe fituesve të “paracaktuar”

Një  pjesë e konsiderueshme e aparaturave  mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, (QSUT),  janë jashtë përdorimit ose të dëmtuara pjesërisht, ndërkohë që stafi drejtues i institucionit ka shtyrë prej tre muajsh, në mënyrë të dyshimtë, tenderin për mirëmbajtjen e tyre. Hulumtim mbi gjendjen e aparaturave mjekësore në QSUT-ë, në vijim të pikëpyetjeve të mëhershme mbi tenderin me fond limit 7 milionë euro, të zgjatur për më shumë se 3 muaj dhe ende të pafinalizuar. Në bazë të të dhënave të siguruar në terren, por edhe nga komunikimet me pjesëtarë të stafit mjekësor në pavione të ndryshme të  QSUT-së, gjendja e aparaturave mjekësore rezulton tejet problematike. Skanerat. Një nga dy skanerat e Urgjencës së Qendrës Spitalore  Universitare është jashtë funksionimit. Kjo situatë problematike pasoi vizitën  “e suksesshme” të kryeministrit Edi Rama në këtë Shërbim Spitalor, pak muaj më parë.

– Aparatura e Angiografit për R.C.P, (që shërben për problemet gastro-intensinale), në Shërbimin  e Urgjencës, është jashtë funksionit.

– Aparatura e Radiologjisë  në Neurologji  është jashtë funksionit.

– Aparatura e Radiologjisë në Spitalin  Onkologjik është jashtë funksionit.

– Aparatura e Radiologjisë në Spitalin Infektiv, i konsideruar edhe si Covid-1, është pjesërisht jashtë funksionit.

– Aparatura e Radiologjisë  tek Terapia e Përgjithshme, është pjesërisht jashtë funksionit.

– Aparatura e Radiologjisë te Pavioni Q.F.R, tek Kirurgjia, është pjesërisht jashtë funksionit;

– Një nga dy Mikroskopët Elektronikë në Neuro-kirurgji nuk punon.

– Një nga 4 Aparatet e Anestezisë në ORL nuk punon dhe njëra prej sallave është e mbyllur

– Një aparat tjetër Anestezie në ORL, është me defekte dhe herë punon, e herë jo

– Aparatura e Neuro-Navigatorit në Pavionin e Neuro-Kirurgjisë në QSUT është pjesërisht me difekt.

– Situatë problematika me defektet kanë edhe disa respiratorë dhe aspiratore, të shpërndarë në QSUT.

Menaxhimi i dobët i QSUT-së

Brenda stafit drejtues të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë,  ka një tendencë për të ngarkuar me përgjegjësi kompanitë  e mirëmbajtjes, për situatën e vështirë të krijuar nga defektet e aparaturave mjekësore.

Por, në fakt, problematika reale duket se qëndron në menaxhimin e situatës nga stafi drejtues i QSUT-së.

Institucioni drejtohet prej vitit 2017,  nga  Enkelejd  Joti. Para emërimit në  QSUT-ë, Joti  ishte Drejtor i Përgjithshëm i televizionit “Top Channel”.  Ai u largua nga kompania mediatike, pasi u konsiderua si një ndër përgjegjësit për krizën e rëndë financiare që përfshiu atë biznes. Kriza menaxheriale e “Top Channel”,  duket se u eksportua nga Joti, edhe në drejtimin e Qendrës Spitalore Universitare, i cili rekrutoi pranë tij, edhe ish-bashkëpunëtorë në kompaninë  mediatike,  përfshirë zv.Drejtorin e Përgjithshëm të QSUT-së, Drejtorin e Burimeve Njerëzore, dhe  Drejtorin Ekonomik. Shembulli konkret i krizës në QSUT-ë,  është menaxhimi i dobët i procesit  të mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore.

Gjithçka lidhet me procedurat tenderuese

Për rreth 20 -vite, QSUT-ja ka zhvilluar tendera dhe ka lidhur kontrata për mirëfunksionimin e aparaturave,  me kompani që janë distributore zyrtare të shoqërive prodhuese  ndërkombëtare, pajisjet  e të cilave gjenden në qendrën më të madhe spitalore universitare.  Gjatë të gjithë kësaj periudhe, sistemi i mirëmbajtjes ka shkuar mirë dhe mjekët nuk kanë pasur ankesa. Në fillim të vitit 2019,  QSUT-ja, e drejtuar nga  Enkelejd Joti,  vendosi  skualifikimin nga tenderat të disa kompanive distributore,  të cilat kishin kryer mirëmbajtjen prej vitesh, me argumentin se nuk plotësonin  kriteret e kërkuara. Në fakt, kompanitë  e skualifikuara  kishin paraqitur dokumentacion  të njëjtë për shumë vite me radhë dhe kishin kryer me efikasitet shërbimin e mirëmbajtjes dhe riparimeve. Skualifikimi i tyre solli problemet e para, që vijuan edhe më tej.

“Loja” me shtesat e kontratave

Në fund të vitit 2019,  përfunduan të gjithë kontratat që  QSUT-ja  kishte me kompani private të mirëmbajtjes dhe riparimit të aparaturave. Tenderi i ri ishte parashikuar të hapej në Shkurt 2020 dhe të përfundonte një muaj më pas, në Mars 2020. Për të mbuluar mirëmbajtjen e aparaturave deri në përfundimin e tenderit të ri, QSUT-ja  nënshkroi shtesa kontratash, me afat 3-mujor, të cilat duhet të ishin funksionale deri në përfundimin e tenderit të ri, në Mars 2020. Të paktën, kjo ishte logjika. Por drejtuesi i QSUT-së, Joti, ka vepruar  tërësisht ndryshe.  Ai ka zgjedhur që të nënshkruajë  kontrata shtesë 3-mujore, në kohë të ndryshme. Nga të dhënat e siguruara  rezulton se Joti ka nënshkruar shtesa kontrate,  me disa kompani në Janar, disa në Shkurt e të fundit në Mars. Në këtë mënyrë, ai ka siguruar mirëmbajtje “të pjesshme” për periudhën që përfshinte Prill-Maj 2020.  Pra, kjo periudhë kohore përfshinte edhe atë që, normalisht, do të mbulohej nga kontrata që do të dilte nga tenderi i ri. Ka vetëm një shpjegim: drejtori  Joti  e ka “parashikuar” që tenderi i ri nuk do të mbyllej në afat. Dhe, në fakt, ashtu ndodhi.

Tenderi i ri nuk u mbyll në afat, madje edhe tashmë, pas 4 muajsh, ende nuk është finalizuar, për faktin se Enkelejd Joti,  ka ndryshuar dy herë kriteret, si edhe në fund e anuloi  tërësisht procedurën. “Vonesa”  në zhvillimin e tenderit lidhet edhe  me dyshimet për orientimin drejt një “fituesi  të paracaktuar”. Aktualisht, QSUT-ja nuk  ka asnjë kontratë  funksionale  për mirëmbajtjen  e  aparaturave, ndërkohë  që tenderi i ri nuk dihet se kur do të finalizohet. Ajo që është më serioze është fakti që, deri më tani, nuk ka pasur asnjë kontratë për riparimin e aparaturave të prishura, të renditura më lart në këtë artikull, duke krijuar idenë tek mjekët se përgjegjësia  është e  kompanive  mirëmbajtëse. Por, ideja e krijuar duket se është e gabuar, pasi stafi mjekësor i QSUT-së,  nuk ka informacionin mbi “procedurat” e tenderit të ri. Për më tepër, edhe tenderi i ri duket,  se nuk ka parashikuar  zgjidhjen  e problemeve me aparaturat e prishura.

Pasojat e rënda

Shërbimi i riparimit dhe mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore është jetik për jetëgjatësinë dhe funksionalitetin e tyre. Specialistë të fushës, të kontaktuar e konsiderojnë shumë të rëndësishëm procesin e mirëmbajtjes. Sipas tyre, nëse një defekt aparature mbetet i pariparuar, ai mund të sjellë pasoja në pjesë të tjera saj. Për të konkretizuar pasojat, specialistët e kontaktuar nga redaksia shpjegojnë: “Nëse një aparature, përshembull, i prishet një levë, ajo mund të qëndrojë pa punë për disa kohë, derisa të riparohet. Por, nëse koha e riparimit zgjat shumë, atëherë, për shkak të mos vendosjes në punë, aparaturës mund t’i prishen llampat, të cilat variojnë në vlera nga 60 mijë deri në 120 mijë euro”. Ky ishte vetëm një shembull për konkretizim, por probleme të ngjashme ka me dhjetra. Ndërkohë që ekspertët  inxhinierikë  shprehin shqetësimin për aparaturat, mjekët në QSUT-ë,  e shohin situatën në një plan më të gjerë. Disa prej tyre, të cilët diskutuan  mos-funksionimin e aparaturave mjekësore e lidhin me shëndetin e pacientëve. Mjekët dhe stafi spitalor  nuk përpiqen  të gjejnë fajtorët  në këtë histori.  Për ata, gjëja më e rëndësishme  është që pajisjet të jenë funksionale dhe t’u shërbejnë  shëndetit dhe jetës së pacientëve. Por, zgjidhja nuk duket se është e shpejtë. Mirëmbajtja e aparaturave mjekësore, prej 4  muajsh është peng i një procedure  të stërgjatur tenderuese. Procedura e prokurimit publik duhej të kishte përfunduar në fund të muajit mars. Por, për shkak të disa ndryshimeve të kritereve nga ana e QSUT-së, tenderi u shty deri në fund të Majit dhe, në ditët e para të Qershorit, u anulua  plotësisht. Deri më tani,  nuk ka ende një informacion zyrtar për anulimin e procedurës. Megjithatë, u mësua  se në tenderin e anuluar, krahas kompanive që janë distrubutorë zyrtarë të shoqërive  të njohura  prodhuese ndërkombëtare, kanë marrë pjesë edhe dy kompani modeste. Njëra, e regjistruar në Shqipëri, nuk  ka eksperiencë në mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore dhe nuk ka instaluar asnjë aparat në QSUT-ë. Tjetra, një kompani italiane, ka pasur angazhime minimale  në disa qendra  kurimi në  jug  të  Italisë, shumë  më të vogla  se  QSUT-ja,  në Siçili  e  Pulja. Këto dy kompani,  kishin një të përbashkët, -të dyja kanë kërkuar që QSUT-ja,  të heqë nga  kriteret e tenderit  kërkesën për  produkte  të certifikuara  nga  prodhuesit.

Nëse pranohet  një kërkesë e tillë  në tenderin e ri, pasojat  do të binin drejtpërdrejtë  mbi aparaturat  mjekësore e, më tej, mbi shëndetin  dhe  jetën e pacientëve.  Duket një lojë e madhe, ku,  nga njëra anë,  është shëndeti i pacientëve,  dhe nga ana tjetër,  qëndrojnë “fijet”,  që mund të orientojnë  fituesin e tenderit  7 milionë euro,  drejt kompanive  “të paracaktuara”. Në të gjithë këtë histori 4-mujore dhe, kur aparaturat  mjekësore të QSUT-së,  janë pa kontrata mirëmbajtje, ka një pikëpyetje të madhe: a mbështeten veprimet e drejtuesëve  të Qendrës  Spitalore Universitare  Tiranë,  nga Ministrja  e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu? Deri më tani, ministrja Manastirliu  është parë e angazhuar në zhvillimin  e tenderave “të urgjencës”.  Në impenjimet e saj  përfshihet edhe një tender, ai për blerjen  e 256 monitorëve, i cili u rishpall së fundmi, për shkak se,  i zhvilluar në Mars 2020,  me procedurë të mbyllur, nuk u finalizua me sukses. Duket se këto angazhime të  Manastirliut,  ia kanë shkëputur vëmendjen nga problematika akute me aparaturat  mjekësore në  QSUT-ë.