E-Albania, ‘kuçedra’ që kërkon nga BB edhe 65 mln USD kredi shtesë

341
Sigal

Ngritja e E-Albania u trumbetua si suksesi më i madh dhe shpresa e qytetarëve për të harruar radhët, zgjidhjen e problemeve dhe sigurinë e të dhënave personale. Edhe pse janë harxhuar miliona euro, të dhënat personale, pagat, bilancet, targat etj dolën në rrugë të madhe dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për investimin. Sikur të mos mjaftoni këto AKSHI dhe ministria e Financave do të marrin edhe 63 mln. USD borxhe tek BB, me të cilat do të rriteshin me 15% pensionet

Ngritja e E-Albania u trumbetua si një shpresë e madhe për shqiptarët nëpërmjet të cilës do të zgjidheshin hallet e shqiptarve dhe do tu thuhet lamtumirë radhave, sorollatjeve dhe kohës ,e cila sikurse thot populli është flori edhe pse nuk mund të blihet me flori.Ndërkohë bëhen tendera për përmisimin e E-Albanina dhe kësaj iu shtua dhe skandali i daljes së të dhënave sensitive të qytetarëve. Qeveria shqiptare ka konceptuar një projekt të dedikuar për shërbimet tech të avancuara dhe platformën E-Albania duke trokitur për një borxh të ri tek Banka Botërore.Bëhet fjalë për një kredi 65 milionë dollarë për të cilin bordi i Bankës pritet të ketë një vendimmarrje në tetor të këtij viti. Referuar projektit që ka si institucion huamarrës Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe institucion zbatues Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ky projekt vjen nën emërtimin “Përmirësimi i aksesit Universal në Shërbimet Publike me Standard të Lartë përmes Gov-Tech”.

Në objektiv të projektit thuhet se është rritja e aksesit universal, cilësisë dhe përgjegjësisë pëe shërbimet prioritare. Në dokument nënvizohen edhe katër komponentët që do të përfshijë ky projekt në total.

“Bazuar në identifikimin e problemeve kyçe të zhvillimit dhe Teorisë së Ndryshimit të projektit, Qeveria e Shqipërisë dhe Ekipi i Bankës Botërore mbi këtë çështje identifikuan një sërë komponentësh dhe aktivitetesh. Aktivitetet janë të strukturuara rreth katër komponentëve:

-Komponenti 1: Zgjerimi dhe Rritja e Shërbimeve Elektronike: E-Albania 2.0. Ky komponent adreson problemet kyçe që lidhen me thjeshtimin dhe dixhitalizimin jo të plotë të shërbimeve dhe me mungesën e një platforme E-Albania me në qendër përdoruesin.

-Komponenti 2: Adresimi i ndarjeve dixhitale: Akses universal në shërbime të standardeve të larta. Ky komponent trajton problemet kryesore që lidhen me ndarjen dixhitale dhe standardet e dobëta të shërbimit.

-Komponenti 3: Katalizimi i Inovacionit: Teknologjitë e Reja dhe Ofrimi i Shërbimit që Udhëhiqet nga të Dhënat. Ky komponent adreson problemet kryesore me mundësuesit e përzgjedhur të GovTech, përkatësisht që lidhen me inovacionin dixhital, aftësitë dixhitale dhe qeverisjen e të dhënave për shërbime të përmirësuara.

– Komponenti 4: Mjedisi Mundësues i GovTech dhe Mbështetja Teknike. Ky komponent trajton problemet kryesore lidhur me boshllëqet në mjedisin e politikave GovTech dhe kapacitetet e kufizuara për të koordinuar dhe zbatuar valën e ardhshme të reformave të dixhitalizimit. Kjo do të mbështesë arritjen e rezultateve për secilin komponent” thuhet në projekt.

I njëjti dokument tek rreziqet sociale prek në mënyrë të përciptë pjesën e sigurisë së të dhënave. Tek niveli i riskut social nënvizohet se “ka gjithashtu shqetësim për rreziqet që lidhen me mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë. Njerëzit duhet të besojnë se shërbimet dixhitale do të përdorin të dhënat e mbledhura vetëm për qëllimet e synuara dhe se të dhënat e tyre personale janë të sigurta. Legjislacioni është në fuqi, por elementet kyç që ofrojnë mbrojtjen e të dhënave dhe mbrojtjen e konsumatorit janë shpesh të dobëta. Keqpërdorimi i të dhënave, humbja e të dhënave ose keqpërdorimi ka potencialin për t’i vënë njerëzit në rrezik të diskriminimit”.