Pijet dhe cigaret vijnë nga SHBA e BE pa pullë fiskale, pulla u ngjitet në Durrës me… pështymë!

1058
Sigal

Punët e pista që debatohen në zyrat e politikës, mbahen sekret si vazhdimësi e korrupsionit

Janë disa “çështje” që diskutohen brenda zyrave të politikës dhe shtetit, por që publikohen me shpejtësi e me bujë të madhe mediatike, me synim që t’i “mpijnë trurin” shqiptarëve, duke i shitur “pazaret” e zyrave si tregues “drejtësie, moral qeverisës, ligjvënie në interes të popullit” e lloj-lloj broçkullash, të cilave tashmë u ka dalë boja. Por janë edhe disa “çështje” që bisedohen me dyer të mbyllura në zyrat e politikës e të shtetit në formë pazaresh, por nuk publikohen, mbahen të fshehta, hiqen nga publikimet zyrtare. Këto ditë, u njohëm me 3 nga këto “çështje’ që bisedohen në zyrat e politikës, por që nuk dalin në publik. Këto kanë lidhje me pullat fiskale monopol, që aplikohen në importet që futen në Shqipëri për pijet alkoolike dhe cigaret, por edhe për çmimin e pullës fiskale, pagesat e punonjësve të ngarkim shkarkimit, ose “hamejve” të Durrësit (siç quheshin në vitet ‘30) dhe “hamejve” në portet e Europës. Bëhet fjalë për një mbledhje komisioni parlamentar, të shoqëruar me publikim faktesh skandaloze dhe pa asnjë reagim nga deputetët anëtarë të komisionit. Kjo ka ndodhur në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, të datës 13. 11. 2013, drejtuar nga kryetari Eduard Shalsi, ku u debatua me përfaqësuesit e tregut dhe industrisë së duhanit e pijeve alkoolike, lidhur me tarifën fiskale, me çmimin dhe procedurat abuzive në dogana e poste të pullës fiskale. Në këtë mbledhje, u publikuan edhe 3 fakte që përbëjnë skandal ligjor doganor, punësimesh e pagesash ilegale e poshtëruese për “hamejtë” shqiptarë dhe monopol pullash fiskale me çmim shitjeje 10 herë më të lartë se në Kosovë e 7 herë më të lartë se në Filipine.

 Pijet dhe duhani vijnë nga SHBA e BE, pulla u ngjitet me… pështymë në Durrës!

 Një nga importueset e cigareve dhe pijeve alkoolike, që “mbush” tregun shqiptar edhe me këto mallra akcize të importuara nga çdo cep i globit (V. Nushi), në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, të datës 13. 11. 2013, gjatë debatit “rutinë” me anëtarët e komisionit, ka publikuar këtë fakt: “…Ne kemi edhe një shqetësim tjetër. Faktikisht, përveç cigareve, sjellim nga importi edhe duhan. Duhani, duke qenë në sasi të vogla dhe jo në sasi të tilla, që industria të mund të vërë makinat që të punojnë për prodhim, detyrohemi që ngarkesën ta pullosim me dorë. Në rastin tonë, ne kemi magazina doganore, sepse e kemi marrë nga dogana të drejtën për të pasur magazinë doganore. Ne nuk mund ta sjellim produktin në magazinën doganore që ta pullosim aty dhe ta nxjerrim në treg, sepse dogana nuk na beson. Ajo thotë se po ta sjellim ne, duhet ta sjellim mallin pa pullë… Përveç kësaj, unë merrem edhe me pijet, marr rastin e “Jack Daniels”. Për shembull, “Jack Daniels”, vjen nga Amerika me kontenierë, por e shkarkojmë në port në Itali dhe në Durrës për ta pullosur, sepse Amerika nuk e merr përsipër pullosjen, ngaqë nuk ekziston si industri pullosja”.

 “Hamejtë” e Durrësit paguhen 30-50 mijë lekë, “hamejtë” e Italisë… 3 mijë euro!

 Lidhur me mallrat e akcizës që importohen nga bota dhe futen në Shqipëri nëpërmjet portit të Durrësi e porteve të tjera detare të vendit tonë, tregtarët e cigareve dhe pijeve alkoolike, nxorën në shesh edhe një skandal tjetër, që lidhet me legjislacionin e punës, pra me “punën në të zezë” dhe me pagat denigruese që paguhen punëtorët e ngarkim-shkarkimit në Shqipëri, në raport me punëtorët në vendet e tjera. Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, të datës 13. 11. 2013, “bosët” e importit të mallrave cigareve, pijeve e duhanit, deklaruan kështu: “Në Holandë, Itali e në vende të tjera, ne i paguajmë punëtorët e ngarkim-shkarkimit (“hamejtë”) me nga 3 mijë euro në muaj, kurse shqiptarët me pagë 300 mijë, 400 mijë, apo 500 mijë lekë në muaj (të vjetra), pra aq sa marrin me gjithë siguracione e me të gjitha”. Mjafton kaq, për të kuptuar se çfarë ndodh realisht me krahun e punës në Shqipëri. Ky skandal e turp, deri tallës me sakrificën e shqiptarëve, u kalua në heshtje të plotë në mbledhjen e komisionit, aq sa kur u përmend si fakt, deputetët që paguhen me nga 4 milionë lekë në muaj, filluan të qeshin më këtë skandal.

 Pulla fiskale në Shqipëri, 7 herë më shtrenjtë se në… Kaliforni

 Pulla fiskale në Shqipëri është një biznes monopol, që “prodhon” një fitim neto të përllogaritur mbi 15 milionë euro në vit, për atë dhe ata që e kanë futur dhe po e mbajnë në “kthetra” monopolin, i cili nuk po u hiqet as nga këta që u betuan se do ta shfuqizonin që ditën e parë të ardhjes në pushtet. Ky monopol i pullës fiskale për mallrat e akcizës, u trajtua ashpërsisht, edhe në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, të datës 13. 11. 2013. Përfaqësuesit e importit të këtyre mallrave, i kërkuan komisionit parlamentar uljen e çmimit të pullës fiskale, ose heqjen e monopolit dhe liberalizmin e prodhimit të saj, duke patur të drejtë blerje, edhe jashtë Shqipërisë, ku kjo pullë është me çmim tepër të lirë. Çmimi monopol për pullat fiskale në Shqipëri është ky:

– Për pullat e cigareve: 0.49992 lekë/copa me TVSH.

– Për pullat e pijeve alkoolike: 4.4 lekë/copa me TVSH.

– Për pullat e duhanit: 2.7 lekë.

– Për pullat e birrës: 3 lekë/copa me TVSH

Këtë çmim, importuesit e këtyre mallrave e kundërshtuan, duke thënë se në vendet e BE-së dhe të botës, madje edhe në Kosovë e Maqedoni, çmimi i pullës fiskale e cila prodhohet nga e njëjta kompani monopoliste që vepron në Shqipëri, është shumë herë më e lirë. Distributorët e cigareve në Shqipëri, paguajnë 20 euro/ për 1 mijë copë, ndërsa në Kosovë paguajnë 2 euro/ për 1 mijë cope, ose 10 herë çmim më të ulët. Në Kaliforni, pulla fiskale për cigaret dhe pijet ka çmim 4.7 USD/ për 1 mijë. Çudia është fakti, se i njëjti prodhues pullash fiskale që prodhon edhe në Shqipëri, në Filipine i shet ato 7 USD për 1 mijë!

Çmimi monopol për pullat fiskale në Shqipëri:

– Për pullat e cigareve: 0.49992 lekë/copa me TVSH.

– Për pullat e pijeve alkoolike: 4.4 lekë/copa me TVSH.

– Për pullat e duhanit: 2.7 lekë.

– Për pullat e birrës: 3 lekë/copa me TVSH

 Përparim HALILI