Gjendja shëndetësore lë të lirë Shpëtim Gjikën, masa e dhënë: Detyrim paraqitje

483
Sigal

TIRANE- Gjykata e Vlorës ka ndryshuar masën e sigurisë në “detyrim paraqitje” dhe jo “arrest me burg” ndaj kreut të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika i arrestuar nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.
 
Në seancën gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme në ambientet e Spitalit Amerikan, ku Gjika qëndron i shtruar prej ditës së djeshme si rezultat i problemeve në zemër dhe tensionit të lartë, kryebashkiakut pritej t’i komunikohej masa e sigurisë  “arrest me burg” e vendosur në mungesë nga Gjykata e Vlorës dhe me kërkesë të Prokurorisë.
 
Por në rivlerësimin e sotëm, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” ndaj Gjikës.
 
Në një dalje për mediat në përfundim të seancës, avokati i tij, Ardian Leka e cilësoi këtë si një vendim të drejtë, dhe që ka ardhur sipas tij pas verifikimit të gjendjes shëndetësore të klientit të tij si dhe provave të Prokurorisë që siç u shpreh ai rezultuan të gabuara.
 
“Në verifikim të kushteve të caktimit të masës së sigurimit u konstatua se gjendja shëndetësore ishte shumë e rëndë, dhe gjatë seancës Gjika kaloi edhe një situatë të rëndë si pasojë e stresit. Në këto kushte gjykata vlerësoi masën e detyrimit të paraqitjes. U konstatua se veç gabimeve të Prokurorisë, masa e sigurimit u caktua duke iu referuar gjendjes shëndetësore të klientit tim. Problematikat e provave të Prokurorisë, bëhet fjalë për sekuestrimin e një libri, ndërkohë që ai është kqyrur nga ana e Prokurorisë dhe ishte edhe në dosje dhe ai libër do t’i vijë sërish Prokurorisë.” u shpreh në fjalën e tij avokati Leka

Sakaq, kryeministri Rama i ndodhur sot në Novoselë të Vlorës ku inspektoi zonat e prekura nga përmbytjet, nuk ka pranuar të komentojë arrestimin e kryebashkiakut.
 
Pas këtij vendimi të gjykatës, Shpëtim Gjika lihet i lirë rreth 2 ditë pas arrestimit të tij, i ndodhur të premten pasdite pasi nga hetimet e kryera rezultoi se Gjika ka falsifikuar dokumentet lidhur me lejen e dhënë në vitin 2011 për një pallat 11-katësh në qytetin bregdetar. 
 
Pas seancës gjyqësore, Gjika pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrje koronarografike në zemër, pasi sipas mjekëve shëndeti i tij vijon të jetë me probleme.
 
Së bashku me Gjikën, në prangat e policisë u vunë edhe Drejtoresha e Urbanistikës në Vlorë Doriana Sulaj dhe biznesmeni Artur Haxhi. Ndaj këtyre dy të fundit, Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Avokati Leka: U verfikuan gjendja shëndetësore e klientit tim dhe provat e gabuara të Prokurorisë
Ardian Leka, avokati i Shpëtim Gjikës ka komentuar vendimin e dhënë sot nga Gjykata e Vlorës duke e cilësuar atë si të drejtë dhe që ka ardhur në kushtet e një gjendje shëndetësore të rëndë për klientin e tij.
 
Sipas tij ky faktor por edhe gabimet e provave të Prokurorisë, të verifikuara nga ana e gjykatës, kanë bërë që Shpëtim Gjikës t’i caktohet masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
 
“Në verifikim të kushteve të caktimit të masës së sigurimit u konstatua se gjendja shëndetësore ishte shumë e rëndë, dhe gjatë seancës Gjika kaloi edhe një situatë të rëndë si pasojë e stresit. Në këto kushte gjykata vlerësoi masën e detyrimit të paraqitjes. U konstatua se vecc gabimeve të Prokurorisë, masa e sigurimit u caktua duke iu referuar gjendjes shëndetësore të klientit tim. Problematikat e provave të Prokurorisë, bëhet fjalë për sekuestrimin e një libri, ndërkohë që ai është kqyrur nga ana e Prokurorisë dhe ishte edhe në dosje dhe ai libër do t’i vijë sërish Prokurorisë. Ky ishte thjesht një verifikim kushtesh vetëm u panë ata elementë për caktimin e masës dhe duke qenë se nuk janë të njëjta u vendos kjo masë e drejtë sigurimi.” u shpreh avokati Leka 

Gjika me probleme në zemër, pritet të kryejë ndërhyrje koronarografike
Shpëtim Gjika, mbahet në terapi intensive në Spitalin Amerikan në Tiranë dhe do të vazhdojë të qëndrojë në reanimacion, sidomos tani që do të operohet. Fillimisht mjeku kardiolog Bekim Jata, deklaroi për mediat se gjendja e Gjikës momentalisht është e stabilizuar pasi ndodhet në terapi intensive. Jata shtoi se gjatë orëve në vijim do të vendoset nëse Gjika do të ketë nevojë për një koronarografi. Sipas Jatës, në rastin e problemeve kardiake të Gjikës duhen mbajtur parasysh edhe faktorë të tjerë, si vdekja e nënës së tij në moshën 53-vjeçare nga të njëjtat probleme.

Vetëm 5 orë pas arrestimit, Gjika shfaqi probleme me dhimbje në zemër dhe tension të lartë. Me kërkesë e familjarëve të tij, Gjika u transportua gjatë ditës së djeshme nga spitali i Vlorës në drejtim të spitalit të burgut në Tiranë, ku u vizitua nga një mjek i spitalit Kardiologjik të QSUT-së.

Pas ekzaminimit të tij, mjeku këshilloi autoritet e spitalit të burgut që Shpëtim Gjika të mos trajtohej në këtë institucion por të shtrohej në repartin e kardiologjisë, për mbajtjen më nga afër në kontroll të gjëndjen shëndetësore. Nga ana tjetër familjarë e të afërm të Shpëtim Gjikës, kërkuan që ai të transportohej në një spital privat, ku ata kishin zgjedhur Spitalin Amerikan, për shkak të mundësimit të pajisjeve teknologjike dhe shërbimit mjekësor të specializuar. Shtrimi në këtë spital, ka shënuar ditën e dytë që Shpëtim Gjika ka qëndruar i shtruar në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore.