Nenet që i hapin rrugë burgjeve private kalojnë pa debat në Komisionin e Sigurisë

674
Sigal

Komisioni i Sigurisë Kombëtare shqyrtoi nen për nen projektligjin mbi trajtimin dhe të drejtat e të dënuarve me burgim, duke propozuar për Komisionin e Ligjeve disa ndryshime që zbusin propozimet e Ministrisë së Drejtësisë ndaj të dënuarve që vuajnë në burgjet e sigurisë së lartë. Burgjet private të përfshira në ligj, kanë kaluar pa debat në një seancë të mëparshme.

Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare i ka hapur rrugën pa debat përfshirjes në sistemin e vuajtjes së dënimit të “burgjeve private”. Në mbledhjen e radhës të mërkurën Komisioni shqyrtoi disa prej neneve të projektligjit “Të drejtat dhe trajtimi i të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duke u fokusuar kryesisht te institucioni që do të bëjë vlerësimin e rrezikshmërisë të të dënuarve dhe te grupi që përfitonte nga “burgu i hapur”.

Po ashtu Komisioni diskutoi mbi të drejtat e të dënuarve në të ashtuquajturën 41/bis, për të zgjedhur trajtimin mjekësor. Ndërsa varianti i Ministrisë së Drejtësisë ndalonte që ata të zgjidhnin shërbim mjekësor të ndryshëm nga ai i ofruar publikisht, pas një diskutimi jo fort të qartë Komisioni miratoi një sugjerim që u jepte edhe këtyre të fundit mundësinë e një shërbimi të zgjedhur, por vetëm në rastin kur shërbimi nuk ofrohej nga spitalet publike.

Jashtë sallës deputetja Antoneta Dhima, i tha BIRN se nenet e ligjit që parashikonin hapjen e burgjeve private ishin kaluar më herët pa ndonjë debat. “U lanë ashtu siç ishin”, tha Dhima, por shtoi se “nuk kishte ndonjë kërkesë për burg privat”.  Një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë tha se nenet ishin të pandryshuara nga një projektligj i vitit 2014. Hapja e burgjeve private është propozuar më herët nga ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi në vitin 2013, por rikthimi në skenë disa vite më vonë po kalon pa ndonjë diskutim publik.

Ligji që parashikon hapjen e burgjeve private, parashikon se në to mund të vendosen të dënuar me jo më shumë se 5 vjet. Por eskperienca të ngjashme në Britani, SHBA dhe Zelandën e Re kanë treguar se burgjet e administruara privatisht janë problematike, ndërsa hapja e tyre ka rritur numrin e personave të dënuar me burg.

Në një qëndrim mbi burgjet private në Britani e përditshmja The Guardian shkruan se ato rrezikojnë të deformojnë drejtësinë dhe nuk favorizojnë skemën e rehabilitimit për të ulur numrin e përsëritësve. Gazeta thotë po ashtu se burgje të tilla në Britani rezultojnë më pak të sigurta dhe më të dhunshme se sa burgjet  publike.

Ndërkohë deputetë e Komisionit të Sigurisë Kombëtare shqyrtuan disa prej neneve të ligjit dhe sugjeruan disa ndryshime. Një prej tyre i bërë prej deputetit Paulin Sterkaj la të hapur mundësinë që një person që ndodhej në muajt e fundit të vuajtjes së dënimit të kalonte nga “burgu i sigurisë së lartë” në “burgun e hapur”, një koncept i ri që u mundëson të burgosurve në ditët e fundit të riintegrohen duke u dhënë mundësi për punë gjatë kohës që janë në qeli.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë e kundërshtuan këtë qëndrim, duke thënë se të burgosurit në sigurinë e lartë duhej të kalonin etapat e zbutjes së sigurisë sipas ligjit. Ata thanë se nëse kishte një arsye që një i burgosur pas 30 vjetësh vuajtje dënimi, ndodhej ende në sigurinë e lartë, do të thotë që ai ishte vlerësuar si i rrezikshëm.

Deputeti Spartak Braho ndërkohë mbështeti mendimin e Sterkajt, i cili u votua me shumicë, ndërsa tha se bëhej fjalë për ato të burgosur që nuk cilësoheshin të rrezikshëm dhe nuk bëhej fjalë për “Dritan Dajtin. Dajti edhe 130 vjet të rrijë në burg, nuk ndryshon”, tha Braho.

Debate pati edhe në lidhje me organin që do të emëronte anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë. Ligji parashikon që ato emërohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, por në Komision u kërkua që kompetenca emërimi të merrte Ministria e Drejtësisë, ndërsa u shtua në propozim që mbledhjet e komisionit të ishin të regjistruara dhe transparente.

Deri tani vendimet për ndryshimin e sigurisë merren në gjykata, ndërsa Institucionet e Vuajtjes së Dënimit japin mendim apo vlerësim të sjelljes së të burgosurit. BIRN ka gjetur në një sërë rastesh përfshi lirimin e të dënuarve me burg përjetë se pavarësisht se vendimet merren në seanca gjyqësore publike, mendimet e IEVP-ve shkojnë në favor të të dënuarve. Qëndrimet nga IEVP në këto raste dhe ato të Shërbimit të Provës janë denoncuar si të korruptuara edhe nga Ministria e Drejtësisë.

Komisioni rrëzoi propozimin e Avokatit të Popullit dhe OSBE-së për përfshirje në këtë Komision të Vlerësimit të Rrezikshmërisë të prokurorisë, gjykatës dhe shoqërisë civile, duke i cilësuar këto si të pamundura.

Aktualisht ky komision do përbëhet nga 4 përfaqësues që përzgjidhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, dhe 1 specialist i sektorit të kujdesit social i cili është në kontakt të vazhdueshëm me të dënuarit.  Centralizimi i emërimeve në këtë komision te Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një institucion, drejtues të të cilit janë akuzuar dhe shpesh arrestuar për korrupsion dhe akuza të tjera, u la i pandryshuar edhe pse u këmbëngul për monitorim dhe udhëzime të qarta nga Ministria e Drejtësisë.

Një çështje tjetër që u vu në qendër të vëmendjes me kërkesë të Avokatit të Popullit ishte dhe ajo e të drejtës së trajtimit të të dënuarve me regjim të posaçëm (41/bis) në spitalet private me shpenzimet e tyre. Ndërkohë Komisioni Parlamentar, miratoi një qëndrim të kryesueses Ermonela Felaj, që hapi një shteg që këta të dënuar të mund të përfitonin në rastet kur shërbimi mjekësore nuk jepej nga spitalet publike.

Felaj tha se kjo e ashpërsonte ligjin pasi e lejonte shërbimin vetëm pas vlerësimit të rrezikshmërisë, edhe pse versioni i Ministrisë së Drejtësisë ndalonte në të gjitha rastet përfitimin e shërbimit mjekësorë me zgjedhje të të dënuarve në 41/bis.

Megjithatë Felaj tha se propozimi i saj ishte më i ashpër. “Nuk duhet ta kthejmë burgun në një institucion për të plotësuar dëshirat e të dënuarve, se kështu pastaj rrezikojmë të kalojmë si në rastin e Dritan Dajtit, ku ai u pa i shoqëruar jashtë ambienteve të burgut për shkak të një kërkese të tij “, tha kryetarja e  komisionit.

Komisioni në fund propozoi që vetëm në rast se spitalet shtetërore apo ai i institucionit të dënimit nuk mundësojnë një shërbim apo specialitet mjekësor të caktuar, atëherë mund t’i jepet një të dënuari edhe nga sistemi 41/bis e drejta për të zgjedhur një shërbim privat. Një version i ngjashëm me ligjin aktual.