Kriza ekonomike gjunjëzon financat Shqiptare/ FMN: Ulja e pragut të TVSH-së çoi në kaos tatimet dhe po falimenton bizneset e vogla. Kompanitë të mbytura në borxhe- 1 miliard USD detyrime të papaguara në tatime. Shpenzimet buxhetore, vendet e rajonit i përdorin për rritje rrogash dhe pensionesh, në Shqipëri për klientët e koncesioneve

357
Sigal

56% e borxheve i përkasin sipërmarrjeve pasive dhe janë pa shpresë arkëtimi

Bizneset shqiptare të mbushur me borxhe – 1 miliard dollarë detyrime të papaguara në tatime

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka akumuluar një shifër tepër të lartë të borxheve të bizneseve që flet qartë për krizën që po kalojnë sipërmarrjet në vendin tonë. Aktualisht deri në fundin e vitit të kaluar, bizneset shqiptare kishin 1 miliardë dollarë detyrime të prapambetura ndaj financave ose 107 miliardë lekë. Ndërkohë që për sa i përket pagesës së borxheve, pjesa më e madhe e tyre janë pa shpresë arkëtimi, sepse i përkasin bizneseve pasive. Pas një uljeje të ndjeshme në vitin 2017, për shkak të amnistisë fiskale, borxhi tatimor nisi të rritej në vitin 2018. Llogaritë e borxhit tatimor që i përkasin fund tetorit të vitit 2018 u publikuan në një raport të FMN-së, pas përfundimit të një misioni teknik në tatime. Sipas të dhënave, shihet se borxhi tatimor në tetor të vitit 2017 ishte 111.5 miliardë lekë, por më pas deri në fund të vitit arriti të ulej në nivelin 95,5 miliardë lekë. Por përgjatë vitit 2018, borxhi nisi të ketë sërish rritje me 7.5 miliardë lekë ose rreth 12 %. Nga të dhënat shihet se 56 % e këtyre detyrimeve zotërohen nga bizneset pasive, të cilat mbajnë 59.8 miliardë lekë që janë gati pa shpresë arkëtimi, ndërsa 44 % e borxhit ose 47.5 miliardë lekë zotërohen nga bizneset aktive. FNM referon se një përqindje e madhe e borxhit është vonuar për më shumë se dy vjet, teksa vë në dukje se disa nisma të reformës për të përmirësuar funksionin e grumbullimit të detyrimeve të prapambetura janë duke përparuar. Ndryshimet legjislative janë miratuar dhe janë reflektuar në paketën fiskale 2019. Fondi vë në dukje se stoku i borxhit të arkëtueshëm po vazhdon një trend në rënie që rezulton nga zbatimi i strategjive të ndërhyrjes së hershme. DPT gjithashtu miratoi një qasje shumë të organizuar dhe profesionale për zgjerimin e regjistrit të TVSH-së pas një uljeje të pragut të regjistrimit dhe në zbatimin e fushatës së saj të pajtueshmërisë për sektorin e turizmit. FNM sugjeron se duhen ndryshime ligjore që përfshijnë dispozita të reja për të shlyer detyrimet tatimore të deklaruara të pa mbledhshëm.

FMN: Ulja e pragut të TVSH-së çoi në kaos tatimet dhe në krizë bizneset e vogla

Nga data 1 prill i vitit të kaluar nisi të zbatohej vendimi i qeverisë për uljen e pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 5 në 2 milionë lekë. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit mbi asistencën teknike për administrimin e të ardhurave, është ndalur pikërisht tek pasojat që ka sjellë ky vendim i shtetit shqiptar te bizneset e vogla dhe te mbarëvajtja e institucioneve tatimore në vend. Sipas raportit, FMN ka shprehur rezerva për efektin që ka sjellë në buxhet ulja e pragut të TVSH-së, për rikthimin e vonesave në rimbursimin e TVSH-së si dhe ka dhënë rekomandime për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të bizneseve. Në raport thuhet se ulja e pragut të TVSH-së sjell kosto shtesë për bizneset më të vogla dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor, por që me shumë gjasa do të ketë pasoja financiare dhe do të rrezikojë mbarëvajtjen e sipërmarrjeve të vogla. Gjithashtu fondi, theksoi se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u përball me një sfidë të madhe në 2018 në menaxhimin e një zgjerimi të madh të regjistrit të TVSH-së, pas reduktimit të pragut të regjistrimit. Ky reduktim futi rreth 13,000 biznese të vogla në sistemin e TVSH-së për herë të parë në prill 2018. FMN thekson se ky zgjerim i regjistrit të TVSH-së do të ketë një ndikim të vazhdueshëm negativ në ngarkesën e punës të DPT dhe kostot e përmbushjes së deklarimeve për bizneset e vogla, pa sjellë rritje të konsiderueshme të të ardhurave. FMN ka shprehur kritika dhe për vonesat në rimbursimin e TVSH-së. “Problemi i vazhdueshëm i rimbursimeve të vonuara të TVSH-së duhet të adresohet. Kjo është një barrë administrative e panevojshme për administratën – shkaku kryesor i së cilës qëndron në parashikimin e dobët të taksave dhe menaxhimin e parave të qeverisë. Integriteti dhe besueshmëria e sistemit të TVSH mbështetet në kreditimin e ligjshëm të TVSH-së, që janë pagesa që duhen kthyer shpejt. Është shqetësuese që kjo çështje ka dalë sërish në pah, pasi u adresua disa vite më parë.“, thuhet në raportin e FMN.

Shpenzimet buxhetore – Në rajon përdoren për rroga dhe pensione, në Shqipëri për koncesione

Shpenzimet buxhetore për investime në Shqipëri i kanë dhënë prioritet investimeve në kryeqytet dhe koncesionet me Partneritet Publik Privat (PPP). Kjo mënyrë e përdorimit të buxhetit më 2018 nuk ishte e zakonte për vendet e tjera të Ballkanit perëndimor vërejti Banka Botërore në Raportin e fundit periodik për zhvillimet ekonominë në Rajon. Në Rajon përgjithësisht shpenzimet buxhetore ishin të fokusuara të pagat, pensionet dhe ndihma ekonomike. Raporti vëren se në Shqipëri ndryshe nga rajoni, shpenzimet buxhetore kanë prioritet kryeqytetin dhe gjithashtu në financimin e partneriteteve publike (PPP). Banka Botërore vë në dukje se PPP-te mund të rrisin efikasitetin e investimeve, por ato bartin rreziqe fiskale që duhet të menaxhohen. Marrëveshjet e errëta të PPP-ve mund të krijojnë hapësira korrupsioni duke garantuar të ardhura për privatët dhe duke rritur rreziqet për arkën e shtetit. Gjithashtu koncesionet PPP mund të rrisin borxhin në periudhë afatmesëm lajmëron Banka. Në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë rritja e shpenzimeve në vitin 2018 shkoi kryesisht për rritje të pensioneve dhe pagave. Në Maqedoni shpenzimet e përgjithshme u ulën për shkak të investimeve më të ulëta publike, teksa shpenzimet për përfitimet sociale vazhduan të rriten në 2018. Mali i zi vijoi të ketë shpenzime më të larta kapitale për shkak të angazhimit për të ndërtuar autostradën me Serbinë. Në përgjithësi, në vitin 2018 buxhetet në Ballkanin Perëndimor vazhduan të ishin të ngarkuar nga shpenzimet për paga, pensione, dhe për qëllime sociale. Borxhi publik vijoi të jetë i lartë veçanërisht i lartë në Shqipëri dhe Mal të Zi . Banka sugjeron të përmirësohet efikasiteti dhe barazia e shpenzimeve publike si dhe të rritet eficenca e grumbullimit te të ardhurave. Gjithashtu sugjerohet krijimi i kontigjencave për të përballuar rreziqet fiskale. Banka ka vëne në dukje se duhen më shumë përpjekje për përmirësimin e shërbimeve publike. Nga 2017 me 2018, politika më e shtrënguar fiskale ndihmoi në zvogëlimin e borxhit publik në Serbi, ku treguesi arriti në nga 58.7 % e PBB-së në 54.3 për qind dhe në Shqipëri nga 71.8 % e PBB në 68.6 për qind e PBB-së. Në Malin e Zi borxhi mbetet i lartë dhe me 2018 arriti në 75.4% e PBB-së për shkak të financimit të ndërtimit të autostradës Bar-Boljare. Në Maqedoninë e Veriut, borxhi u rrit nga 47.7 % e PBB-së në 48.4 për qind të PBB-së për shkak të emetimit të Eurobondit. Borxhi i Kosovës – edhe pse ende më i ulëti në rajon, u rrit gjatë vit, duke arritur 17.7 për qind të PBB-së për shkak për rritjes së rrogave dhe investimeve publike./Monitor