Dëshmitë e tregojnë, të punosh nga shtëpia është një eksperiment i dështuar

288
Sigal

Kam një klient i cili drejton një biznes që nuk konsiderohej si “i domosdoshëm” dhe për këtë arsye iu desh të mbyllë dyert gjatë kulmit të pandemisë dhe të dërgojë punonjësit e tij  për të punuar nga shtëpia. Kjo gjë vazhdoi për disa muaj. Verën e kaluar kur situata nisi të stabilizohej pak, ai i thirri përsëri të gjithë punonjësit e tij në zyrë. Pa përjashtime. “Të punosh nga shtëpia nuk është një zgjedhje për biznesin tim”, u tha ai. “Unë nuk bie dakord me këtë. Unë i dua njerëzit e mi këtu”.

A është ai jashtë realitetit që po jetojmë të gjithë? Ndoshta. Por këtë këndvështrim e ndajnë më shumë se disa klientë të mi. Kryesisht, ata u përshtaten një demografie të ngjashme: të vjetër, të vendosur,  kanë kohë të gjatë në biznes, kanë kompaninë në pronësi të familjes. Është e qartë se shumica e kompanive do t’u duhet të ofrojnë punë nga shtëpia në të ardhmen. Por ajo që është më e dukshme, të paktën për mua, është se deri më tani, ky ka qenë një eksperiment i dështuar. Dhe, herët a vonë, shumë biznese të vogla do të fillojnë të mendojnë si klienti im.

Nëse nuk më besoni, atëherë vetëm merrni parasysh rezultatet e një studimi të fundit të kryer nga Microsoft. Sipas studimit, pothuajse dy të tretat e më shumë se 31,000 punonjësve të punësuar me kohë të plotë ose të vetëpunësuar në 31 tregjet të ndryshme thanë se ata kishin “dëshirë” (po, dëshirë) të kalonin më shumë kohë me kolegët në ekipet e tyre, dhe 37% e fuqisë punëtore globale u ankua se kompanitë e tyre ishin “duke kërkuar shumë prej tyre” kur punonin nga shtëpia.

Rreth 54% e këtyre njerëzve ndihen të mbingarkuar dhe 39% janë thjesht të rraskapitur. Falë këtyre metodave të reja të punës nga shtëpia, mbledhjet janë dukshëm më të gjata, “bisedat” janë rritur me 45% dhe rreth 41 milionë email-e janë dërguar vetëm brenda një muaji (shkurt 2021) krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar (a e mbani mend kur email-i dukej sikur “i takonte një epoke tjetër”?

Ndërsa punonjësit e moshuar dhe shefat duket se po i trajtojnë gjërat me qetësi (61% e tyre thonë se ata po “lulëzojnë”, brezi i ri, veçanërisht gjenerata Gen-Zers (të moshës ndërmjet 18 dhe 25 vjeç) po hasin vështirësi në gjetjen e një ekuilibri ndërmjet punës dhe jetës së tyre dhe ata shprehen se janë thjesht më të rraskapitur se kolegët e tyre.

Ata raportuan vështirësi për t’u ndier të angazhuar ose të entuziazmuar për punën, për të marrë fjalën gjatë takimeve dhe për të sjellë ide të reja në tryezë. Më keq akoma është vrasja e inovacionit. Microsoft raporton se kompanitë janë bërë më të izoluara se ishin para pandemisë.

Dhe teksa ndërveprimet me rrjetet tona të ngushta kanë qenë në të vërtetë më të shpeshta se më parë, fakti është se edhe këto ndërveprime të ngushta me ekipet e punës kanë filluar të zvogëlohen me kalimin e kohës. “Nëse humbasin lidhjet, atëherë inovacioni vdes”, tha Dr. Nancy Baym, një prej kërkuesve shkencorë në Microsoft.

E gjithë kjo është në dëm të punonjësve prandaj dhe kompanitë e mëdha kanë filluar të marrin masa. Kohët e fundit Citigroup njoftoi një seri të premtesh “Zoom Free” për të inkurajuar punonjësit të largohen nga ekranet e tyre dhe LinkedIn tha se po u jepte punonjësve të saj një javë pushim të paguar për të përballuar stresin ndërsa punonin nga shtëpia.

Kjo është edhe arsyeja pse CEO i Goldman Sachs, David Solomon, tha në një konferencë se puna nga shtëpia është një “shmangie që ne do ta korrigjojmë sa më shpejt të jetë e mundur”. Prandaj edhe klienti im dëshiron që njerëzit e tij të kthehen në zyrë ku ai mund t’i shohë, të flasë me ta, të mendojë me ta, të ketë kontakt me ta. Ai vepron sipas metodave të vjetra dhe ndoshta ai nuk e ka gabim.

Fatkeqësisht, tendenca e punës nga shtëpia është shumë e fortë për t’i rezistuar. Kjo sepse ekziston ky iluzion i të qenët më shumë i pavarur, fleksibilitet më i lartë dhe kontrolli mbi jetën e dikujt, e cila është ndoshta arsyeja pse 70% e punonjësve që morën pjesë në anketën e Microsoft, pavarësisht nga të gjitha shqetësimet e tyre, ende dëshirojnë një lloj opsioni fleksibël të punës në të ardhmen.

Ofruesit gjigantë të mediave shohin një rritje të klikimeve mbi platformat e tyre që nga momenti kur një numër i madh njerëzish filluan të punonin nga shtëpia. Firmat e mëdha të shitjes me pakicë po shijojnë rritjen e shitjeve në internet të nxitura nga punonjës të mërzitur dhe pa mbikëqyrje. Dhe punëdhënësit e korporatave po nuhasin kursime të mëdha në kostot e pasurive të paluajtshme, si dhe aftësinë për të punësuar talente më të mirë (dhe më të lirë) pavarësisht nga kufizimet gjeografike.

E megjithatë, studim pas studimi tregojnë se njerëzit që punojnë nga shtëpia janë më të stresuar dhe më pak të lumtur. Ky model ka provuar se krijon më shumë përçarje, më pak produktivitet dhe inovacion të zvogëluar. Sidoqoftë, bizneset e vogla do të duhet të kuptojnë se si të balancojnë përfitimin e perceptuar (dhe kërkesën) e opsioneve të punës në distancë me kostot e tyre. / *Gene Marks, The Guardian

*Gene Marks është gazetar dhe pronar i disa sipërmarrjeve të vogla. Kompania e tij, Marks Group PC u ofron shërbime për menaxhimin teknologjik dhe financiar bizneseve të vogla dhe të mesme në SHBA dhe jashtë saj