Supervjedhja: Mbi 5 miliardë lekë kanë përvetësuar kompani të mëdha nëpërmjet tvsh-së

608
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pezullon nga detyra dhe kallëzon për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranës 8 ish-drejtues dhe inspektorë tatimorë në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë. Me kërkesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Drejtoria e Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Financave ka audituar procedurat e rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë për periudhën Qershor – Tetor 2013. “Vetëm gjatë ditës së parë janë konstatuar shkelje të rënda në fushën e zbatimit të legjislacionit tatimor për procedurat e rimbursimit të TVSH-së, në 11 raste me pasojë vjedhjen e pasurisë shtetërore në shuma të mëdha, në të cilën janë përfshirë disa persona, punonjës të administratës tatimore rajonale të Tiranës”, bënë të ditur burime zyrtare të DPT-së.

Vepra penale: “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”

Faktet dhe elementët e zbuluar plotësojnë elementët e veprës penale “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, vepër kjo e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 135 si dhe nenet 25 dhe 26 të Kodit Penal, thanë burimet. Sipas tyre, shuma e vjedhjes së shkaktuar është 515 455 275 lekë dhe në të janë përfshirë ish- Drejtori Rajonal Tatimor i Tiranës, ish- Drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, dy ish- përgjegjës të Sektorit të Kontrollit Tatimor në këtë Drejtori si dhe tre inspektorë kontrolli. “Për të gjithë këta është kryer pezullimi nga detyra. Gjithashtu në këtë vepër janë bashkëveprues dy persona përfaqësues ligjorë të 11 kompanive private, të cilat, pas përfitimit të rimbursimeve, kanë kryer procedurat e çregjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, thanë burimet zyrtare. Për të gjithë personat e sipërpërmendur ditën e hënë datë 21 Tetor 2013 është bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Tiranë. PDPT njofton se procesi i auditimit në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tiranës po vazhdon.

Shteti duhet të publikojë emrat e kompanive që kryejnë supervjedhjen

PDPT-ja publikon faktin e supervjedhjes, që do të thotë që provat janë të pakundërshtueshme, por për çudi, duke u strukur pas ndonjë dritëhije të ligjit, nuk publikon as emrat e kompanive që kanë kryer supervjedhjen, por as emrat e inspektorëve të saj, që kanë favorizuar, por as emrat e dy përfaqësuesve ligjorë të kompanive që përfshihen në abuzime. Viktima e vërtetë është shteti, i cili humbet 6 miliardë lekë nga supervjedhja. Nuk mund të ketë më asnjë të fshehtë, për superhajdutët, të cilët në mënyrë sistematike vjedhin dhe zhvatin shtetin. Publiku duhet të njohë me emër dhe mbiemër cilët janë ata që vjedhin miliarda lekë, me kombinacione mafioze i zhvatin shtetit miliarda lekë nga rimbursime fallco të tvsh-së, pastaj bëjnë falimentime imagjinare të kompanive abuzuese, për të hapur të tjera aktivitete mashtruese.   Mospublikimi  nga shteti i kompanive abuzuese dhe i personave që kanë kryer supervjedhjen e 5 miliardë lekëve, ndoshta të bën të dyshosh se pas emrave të superhajdutëve fshihen edhe miq, të njohur të drejtuesve të administratës së shtetit, apo edhe pse jo, edhe të politikanëve. Transparenca e supervjedhjes nuk dëmton shtetin dhe publikun, ndaj asnjë ligj nuk mund të ketë që të fshehë emrat e superhajdutëve. Ka vetëm interpretim të gabuar të ligjit nga drejtuesit e administratës publike, që duan të mbulojnë supervjedhjen me mjegullën e fshehjes së emrave.