Denoncimi / Prof. Elmaz Leci: Arbitrariteti i bankave me bllokimin e pensionit të qytetarëve në llogaritë bankare. Ja si po penalizohen për të marrë “lëmoshën’ mujore dhe zvarritjet nëpër dyert e institucioneve

59
Sigal

Para tre katër ditësh në fund të këtij gushti, qytetarit apo qytetarëve në celular u vjen (se ishte një bllokim i përgjithshëm) një lajmërim nga Banka Kombëtare Tregtare (shih dokumentin 1) ku thuhej se “i nderuar Klient, ju njoftojmë se llogaria juaj pranë BKT-s është bllokuar nga Bashkia. Për informacion të mëtejshëm mund të paraqiteti pranë çdo dege të bankës. Me respekt Banka Kombëtare Tregtare”. Para këtij njoftimi qytetari pensionist Xh.A. patakset. “Përse vallë të ma kenë bllokuar llogarinë bankare, pagën se “vetëm pagën kam”! -fliste me vehte dhe e mban vrapin në bankë në BKT. Pas një radhe të gjatë mundi të futet në ambientet e BKT-s dhe të përfundojë në sportelin e një zonjushe, e cila pasi bindet për identitetin e tij i thotë se “llogaria juaj bankare është bllokuar nga Bashkia e Tiranës”. Qytetari i mjerë pensionist i thotë: “Po përse”? “Sepse- i përgjigjet sportelistja e Bankës (siç më del në kompjuter), ju nuk keni paguar një taksë Bashkiake”? “Po çfarë është dhe sa është kjo pagesë takse?- i thotë qytetari pensionist. “Është rreth 60 mijë lekë të vjetra”- i përgjigjet sportelistja e Bankës. “Dhe për këtë taksë-ja kthen qytetari-unë penalizohem për të marrë pensionin”?! “Nuk e di unë -i thotë punonjësja e Bankës. Shko në Bashki! Ajo ju a ka bllokuar llogarinë tuaj bankare, ajo e di”!

Mirëpo pensionisti i sotëm i shkretë, dinte dy gjëra rreth ligjshmërisë dhe i thotë: “Zonjë, llogaria bankare, di që bllokohet vetëm me vendim gjykate e jo nga Bashkia”! Sportelistja merr “zjarr” dhe ja kthen: “O u zotëri, se mos je vetëm ti janë me qindra që sot Bashkia ju ka bllokuar llogaritë Bankare. Shko në Bashki dhe sqaroje çështjen”! E megjithatë pensionisti këmbëngulte: “Mirë moj mirë, do shkoj, por ju për veprimin më jepni bazën ligjore që më bllokoni pagën”. “Nuk e di unë atë,- përgjigjet tërë nerva punonjësja e Bankës. “Me që nuk e di bazën ligjore, a mund të më japësh lekë nga të llogarisë time, të paguaj atë taksën që nuk e paskam paguar nga neglizhenca” që e kam të ligjshme”!  “Jo zotëri nuk mund të bësh asnjë veprim. Je i bllokuar nga Bashkia”!

Iku pensionisti në Bashkinë e Tiranës, te xhamia e Etem Beut dhe atje një punonjëse tjetër i thotë: “Shko në Drejtorinë e Taksave te pallatet e Delijorgjit, ata e dinë bllokimin e llogarisë tuaj bankare”!“Amani bre,-u lutet pensionisti, -më çbllokoni llogarinë se nuk kam ç’të ha”! “O hu zotri, paske llafe shumë ti, na lerë të punojmë”! Ç’të bënte dashje pa dashje pensionisti mori rrugën më këmbë për poshtë e doli te ish 21 dhjetori dhe atje te Drejtoria e Taksave të Bashkisë, i tregoi hallin që e kishte zënë një punonjësje, të cilën edhe e njihte. “Eee xhaxhi Xh.,ty të paskan gjetur?! Shoqet më thonë se ke pa paguar një taksë, ndaj ta kemi bllokuar numërin e llogarisë. Duhet ta paguash që ta zhbllokojmë”. Dhe pensionisti ja kthen në pyetje punonjëses së taksave se “ju Bashkia keni të drejtë të bllokoni llogarinë bankare”?! Po po xhaxhi, ne e bllokojmë llogarinë bankare”!-dhe i dha detyrimin e një goxha faturë.(shih dokumentin 2).

Përsëri nuk i mbushej mendja pensionistit, Xh-së. Doli pensionisti dhe gjeti një shok e i kërkoi 60 mijë lekshin e vjetër dhe e pagoi në PT- më të afërt taksën e “harruar” apo të “pa ditur”, apo “të pa merituar”. Mori faturën dhe e dërgoi në Drejtorinë e Taksave të Bashkisë. Ata i dhanë një shkresë shlyerje (shihe dokumentin 3) dhe i thanë ta çonte në Bankë.

Me faturën në dorë, por që kishin kaluar për të tre katër ditë vërdallosje, pensionisti Xh. Shkoi në Bankën Kombëtare Tregtare dhe e paraqiti atë dhe për pa bindëshmërinë e tij për veprimin e BKT takon edhe Drejtorin e institucionit. Ja shtron problemin se çfarë kishte hequr dhe këmbëngul te “penaliteti” jangllëçi Bashkisë Tiranë. Drejtori një goxha njeri me bonsensus e i kulturuar i thotë se “ti xhaxha ke të drejtë parimisht se nuk duhet të ndodhë kështu, por ja ligji (shih në shkresën e shlyerjes, dokumentin 4) që na detyron që për mos pagim taksash, Bashkia të bllokon llogarinë bankare. Ç’të bëjmë ne”?! “Si ore -i përsërit pensionisti Xh. atë që i tha sportelistes së Bankës tre katër ditë më parë se “si mundet Bashkia të bllokojë llogarinë bankare”?! “Po! -i thotë Drejtori. E kemi ngritur që është një ligj i pa drejtë, por faktikisht është ligji dhe ne duhet ta zbatojmë”.

“Po si more burrë -i thotë pensionisti, – ju Bankën, ju përdor Bashkia si “qen gjurmues”, si “qen kafshues” për të mbledhur taksat?! Bashkia për mbledhjen e taksave ka të drejtë, por jo ta realizojë atë me Bankën. Bankat konsiderohen institucione të pavarura! Po si mundet psh Bankat e Zvicrës po të zbatonin urdhërat e Bashkive, do të ishin bërë lëmsh dhe padyshin do të kishin falimentuar. Po ç’bëni ju kështu? Klientët e dinë që paratë te ju janë të sigurta, ndërsa ju ua bllokoni parat personale? Drejtor, po humbisni reputacionin….” etj etj. Ishte dialogu që shkëmbeu pensionisti me Drejtorin. I la shkresën e pagesës së taksës në dorë dhe doli.

Priti dy ditë dhe mendoi se llogaria u çbllokua. Shkoi në një bankomat dhe futi Kartën për të provuar se a ishte çbllokuar vërtet llogaria bankare? Tërhoqi 10 mijë lekë të vjetra. I del dhe kuponi. Shikon dhe ballafaqon kuponin e para fundit me këtë të fundit. Diferenca 60 mijë lekë të vjetra mangut. Telefonon Bankën (BKT-Shkolla Baletit) dhe pas një odiseje të gjatë telefonike, i thonë se 60 mijë lekshi që i lëvizte ishte 60 mijë lekshi i taksës së Bashkisë.

“Po e pagova këtë -u thotë pensionisti. Faturën apo kuponin ia lashë Drejtorit”!

“Nuk e dimë zotëri -i thotë nga receptori punonjësja e BKT-s. Ne kemi mbajtur nga llogaria juaj 60 mijë lekshin e taksave të Bashkisë”! (Dokumenti 5 dhe 6).

Po si mundet kështu, vetë Banka të të merrka paratë tuaja dhe as të njofton. Kjo është grabitje e plotë pa dijeninë e poseiduesit. Ku e ka këtë të drejtë Banka, BKT-ja. Ajo herët e tjera edhe për tërheqjet më të vogla e njoftonte abonentin, në këtë rast subjektin e shkrimit tim, ndërsa tani ajo ia merr vetë në “thes” paratë e qytetarit, aq më keq kur qytetari i pagoi taksat. Kaq e ethshme kjo BKT-ja për të kryer akaparimin e taksave të Bashkisë, kur Bashkia ka të drejtë për taksat por jo me “dorën” e Bankës. Bankat konsiderohen autonome. E nëse e lexon ndonjëri deputet këtë ndodhi kombëtare, që Bashkia e Tiranës bllokon llogaritë bankare të qytetarëve “debitorë” në taksa, është i lutur deputeti të inicioi një projekt ligj që të anulohet ai ligji anti…..që i jep të drejtë Bashkisë “që për qytetarët që neglizhojnë pagimin e taksave, t’u marrë paret në llogaritë e tyre bankare”. Bashkia ka shumë organizma për mbledhjen e taksave, që nga inspektorët, shkresat etj etj., deri te policia bashkiake, por jo ta kryejë atë punë me dhunën e Bankës.

Me veprimin që kanë bërë Bankat me këtë rast humbasin reputacionin. Rezultat i kësaj, qytetari pensionist më deklaroi se dje mori pesëdhjetëmijë euro nga shitja e një prone dhe kishte ndërmend para ndodhisë me Bankën, t’i depozitonte te BKT-ja për harxhime pleqërie, por menjëherë ndryshoi me të drejtë mendje dhe i nisi eurot për në Amerikë te djali. Arsyeja e reputacionit të Bankës tonë.

Një sqarim për taksën që bëhet fjalë. Pensionisti Xh. Në fakt e ka neglizhuar atë, se prona tokë bujqësore është në proces gjyqësor, pasi atë pronë që Xh. E ka me Çertifikatë, e pretendon një tjetër me 7501-s. Procesi vijon prej mëse 5 vjetësh. Ndonëse pensionisti Xh.u thotë se për taksën e tokës që e kanë penalizuar, ai nuk e disponon se atë e punon ai i 7501-i. Këto fakte në Drejtorinë e Taksave, zbulojnë se për atë pronë 4mijë metra katror, Bashkia merrte dy taksa, edhe nga pronari Xh. me Çertifikatë edhe nga pretenduesi i 7501-t. Po kjo u thotë Xh-ja. Në Drejtorinë e Taksave të Bashkisë i përgjigjen se “po kështu ndodh. Ti paguan se e ke tokën me Çetrifikatë, ndërsa ai tjetri po për të njëjtën tokë paguan se ka ardhë lista për të nga Komuna (Njësia Bashkiake)”. Pensionisti mbledh supet dhe pa dashje bërtet me të madhe:”Hajde arbitraritet hajde”!

Në fakt janë tre arbitraritete për të njëjtën çështje të pronës, krijuar nga Bashkia Tiranë. Absurditeti i parë-bllokimi i llogarisë bankare. Arbitrariteti i dytë- grabitja e parave personale, kjo nga Banka dhe kalimi i tyre Bashkisë pa pyet poseduesin e parave. Absurditeti i tretë-Bashkia për të njëjtën pronë “merr me dhunë” dy taksa. Pa e zgjatur më, ky është shteti që duam.