Loni Çuko/ Abedin Çiçi, Simbol i frutikulturës dhe personalitet i agronomisë shqiptare

916
Sigal

Abedin Çiçi, në kohën e tij, veçohej për dije dhe njohuri të larta profesionale, punë e djersë me përkushtim për përparimin e vendit. Një e veçantë tjetër, ishte nga më të njohurit në qytetin e Tiranës dhe shumë rrethe, për një dukuri jo të zakonshme për atë kohë, i vetmi burrë me flokë shumë të gjata dhe për më tepër të bukura në ngjyrë gruri. Bëhet fjalë për periudhën që ndalohej mbajtja e flokëve të gjata, që konsiderohej dhe dënohej si shfaqe e huaj. Kurioziteti bëri që ai të identifikohej shpejt dhe për shumë familjarë, me bahçe me pemë e hardhi dhe ishte shumë i kërkuar dhe i mirëpritur, për shërbime speciale si krasitje e mirëmbajtje e më shumë, për organizimin në kopshtet vetjake, prodhim gjithëvjetor e me lloje të rralla.

Sa kaq u mësua, se ai flokët e gjata i mbante në shenjë respekti për profesorin e madh italian Aleksandër Moreçini, nga i cili mësoi në detaje biologjinë dhe kërkesat e drufrutoreve, ullirit dhe hardhisë, e në veçanti trajtimin modern dhe shkencor të tyre. Këto dijeni të marra dhe përvoja të pasura, Abedini me përkujdesje dhe me shumë dashuri i materializoi në organizimin dhe zhvillimin e frutikulturës në Shqipëri, duke hyrë dhe mbetur si simbol dhe personaliteti më i madh në historinë e frutikulturës .

Abedin Çiçi, lindi në Libohovë më 28.11.1911 nga një familje patriote. Babai, Dervish Çiçi, ishte pjesëmarrës në çetën e Çerçiz Topullit me të cilën luftoi për Atdhe, duke dhënë dhe jetën. Në vitin 1934 mbaroi shkollën Teknike Amerikane dhe mbas kësaj shkoi për specializim në Itali, pranë një nga profesorëve më të njohur, Moreçini. Nisur nga përkushtimi dhe zelli për punë e dije të specialistit shqiptar, profesori e mbajti afër dhe me kënaqësi këmbente diskutime për probleme teknike në kushtet e vendit tonë. Një ditë të bukur, profesori pasi kish vlerësuar formimin tekniko-shkencor të Abedinit, i propozoi të punonte si asistenti i tij në Institutin e Firences. Abedini mendonte se formimi dhe përvoja e mësuar kërkohej të vihej në jetë menjëherë në Shqipëri.Problemi i parë dhe kyç për krijimin e një pemëtoreje është të kesh fidanët. Që të kesh fidanë kërkohet fidanishtja. Që do të thotë sapo të arrijë në atdhe, ku do ti gjej fidanët gjenetikisht të pastra siç kërkohet? Kursimet personale, i përdori të gjitha për të fidanë!. Ngarkesa dhe nisja e anijes, bëri që të harroheshin peripecitë dhe t`i gëzohej punës që po e priste. Po kjo “ëndërr” nuk vazhdoi gjatë, sepse mbas një ore, kontrollori i anijes para dengjeve të fidanëve, po kërkonte që ato të hidheshin në det. Abedini, i prekur thellë nga mos mirëkuptimi me kontrollin, kërkoi dhe u takua me shefin, të cilit i tha llafin e fundit: Ju lutem, më mirë më hidhni mua në det, jo fidanët! Mirëkuptimi u arrit dhe gëzimi gjeti vendin në shpirtin  agronomik të Abedinit. Me tu kthyer në atdhe, në kokën e Abedinit ishte i konsoliduar projekti i ngritjes sa më urgjente e fidanishtes së parë në Laprakë. Para një fakti e një domosdoshmërie të kërkuar e paraqitur nga Abedini, ministria ra dakord dhe urdhëroi menjëherë që projektuesi i fidanishtes të emërohet edhe si drejtor i parë. Puna me shumë zell dhe nivel teknik, i drejtuar nga një mjeshtër dha rezultate, që inkurajoi që në zonat e përshtatshme të ngrihen edhe fidanishte bija si në: Korçë, Peshkopi, Kukës, Kavajë, Fier, Libofshë dhe Borsh. Prodhimi i 1.500.000 fidanë në vit ishte arritje, por sipas Abedinit ishte vetëm fillimi. Një fillim shumë domethënës në zvogëlimin e importit të fidanëve. Ecuria e punëve po shkonte mirë. S`kishë si të ndodhte ndryshe, kur drejtuesi udhëhiqte me shembullin personal. Në rrethana të tilla, kolektivi i punonjësve ishte bërë njësh me drejtorin, që aq mirë dinte të komunikonte sa çdo urdhër i tij gjente zbatim në kohë e cilësi. Megjithëse punët shkonin mirë, papritur nga ministria del urdhri, pushim nga puna për Abedinin, për tu zëvendësuar me një drejtor italian. Kaq u desh që të gjithë të ngrihen të protestonin me force. Kjo protestë ka hyrë në histori dhe njihet si revolta e Laprakës e vitit 1938. Pasi punoi për një kohë në sektorin e gjelbërimit në Ministrinë e Brendshme Kombëtare, me pushtimin fashist, Abedini, si emigrant politik, largohet në Jugosllavi, por që andej internohet në ishullin e Kretës. Burri me flokë të gjata, arrestohet nga italianët në 1941 për aktivitet antifashist, por me lirimin nga burgu ai rreshtohet menjëherë në radhët e ushtrisë partizane, që për kontribute në kongresin e Përmetit u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar. Po nga ky këshill, ai u emërua shef i bujqësisë për zonën e parë operative Vlorë-Gjirokastër. Edhe ndershmëria me guximin e një mendimi të drejtë, të ndëshkon dhe të sjell pasoja. Ndodhi gjatë votimit, pas çështjes së luftës që bujqësia të ishte në vartësi të “aleates” Jugosllavi. Abedini, për habinë e komisionit, votonte kundër, duke e shoqëruar me thënien: Mirë bukën do ta marrim nga Serbia, po kashtën për qetë, nga do ta sjellim?! Kjo vote e përzier me “lugën e çorbës së prishur”, që vinte nga shkolla Teknike Amerikane që kishë mbaruar Abedini, do ta ndiqte edhe me tutje. Kështu, pas vitit 1945 në kuadrin e regjimit të ri , “hija” e shkollës së “Fultsit” e nxirrte në diell. Transferimet e shpeshta nuk ishin më enigma. Nga shef i Frutikulturës në Ministrinë e Bujqësisë pas një kohe jo të gjatë, transferohet mësues në Teknikumin Bujqësorë dhe pas pak viteve, shef në stacionin kërkimor Brakë-Tiranë. Me këtë status, në vitet 1951-1954 organizoi ekspedita duke përfunduar dhe studimin rajonal mbi perspektivën e zhvillimit të agrumikulturës në zonën e Sarandës, duke e përcaktuar si zona me potencial më të madh për prodhimin e Limonit, portokallit, mandarinës, qitro dhe grejpfrut. Me rëndësi për rritjen e prodhimit të agrumeve dhe përmirësimin e furnizimit të popullsisë, ishte dhe studimi i mundësive të mbjelljes dhe kultivimit në zonën me ekstreme si ajo e Elbasanit. Këto dy studime, u bënë dy pika të forta për përhapjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të sipërfaqeve dhe prodhimit të agrumeve në vendin tonë. Le të sjellim ndërmend se, krahas dijeve dhe nivelit të lartë në profesion, ai njihte dhe përdorte shumë mire disa gjuhë si anglisht, italisht, greqisht dhe serbo-kroatisht. Një pasuri e madhe përvojash dhe mundësi në fushën e dijes dhe përparimit “armë” që Abedini i përdori për zhvillimin e bujqësisë dhe të vendit të tij. Nuk është e vështirë të kuptohet se, në të gjitha lëvizjet, puna e Abedinit kudo kishte lënë gjurmë. Për furnizimin e Tiranës me rrush dhe fruta gjatë viteve 1953–1954, kërkesat dhe nevojat ishin evidente. Por që të realizohej kërkohej sipërfaqe e konsiderueshme toke për t`u mbjellë. Kërkesë sa e domosdoshme, ishte dhe imediate për tu realizuar. Kjo detyrë e shtruar nga nevoja dhe e vendosur nga instancat e larta qeveritare dhe partiake, ishte dhe kërkonte përgjegjësi të lartë. Flitet për vitet 1955-1956 me objektiv parësorë, sigurimin e fidanëve për të mbuluar sipërfaqen që do të mbillej. Ndërsa objektivi madhor, krijimi i kurorës së gjelbër me vreshta, rreth qytetit të Tiranës. Mendoni se këtu nuk bëhej fjalë për zgjedhje, por për një alternative të vetme, që ishin kodrinat me shkurre, kullotë për dhitë, që shtriheshin në jug dhe lindje të Saukut dhe lindje-veri-perëndim të Shkozë-Babrru e Paskuqan si dhe pjesë të tjera djerrina të pa vëna në punë. Këto do të ishin konturet e fillimit të ndërmarrjes më të re, me emrin “Gjergj Dimitrov” dhe me drejtor me emrin Abedin Çiçi. Peshë e rëndë! Probleme edhe të pa njohura! Kërkohej njohje, vlerësim, studim, programim dhe përkushtim. Për objektivin e prodhimit të fidanëve për Abedinin, për tu zgjidhur kishin një mbështetje reale që ishte fidanishtja e ngritur nga vetë ai, qysh në vitet kur u kthye nga Italia 1934-1935, por kurora gjigande nxirrte kërkesa dhe probleme të reja, ndër to zgjerimi i kapaciteteve prodhuese të vreshtave antifilokserik, që do të përdoreshin si nënshartesa dhe vreshtit mëmë për shartim si dhe ndërtimet që duheshin për ambiente shartimi dhe kallusimi te fidanëve te hardhisë etj. Për këtë, së pari, Abedini mendoi, zgjodhi dhe organizoi stafin e punës ku bënin pjesë, agronom, inxhinier gjeodet, mekanikë ujërash, mjeshtër dhe punëtor të kualifikuar etj. Pas grumbullimit të të gjitha të dhënave, u hartua projekti i sistemimit, gjithnjë nën drejtimin dhe kujdesin e Abedin Çiçit. Puna u organizua me aksion e në front të gjerë. Kryespecialisti me statusin e nëndrejtorit të Stacionit të Makinave dhe Traktorëve të Tiranës dhe pjesëtar i stafit teknik Luan Shahu, kujton se ecuria e punimeve dhe ndërtimi i tarracave për çdo ditë, javë dhe muaj realizohej mbi parashikimet. Ne, specialistët deri dy dekada më të rinj se ai, kurorën e vreshtave me përmasa gjigande me rreth 1200 hektarë, e shikonim duke vlerësuar si pamje e pikturuar me aq shije, sa ne gjenim në të dhe frymëzim profesional. Përsëri në kujdesin e tij në parcela të veçanta ne njiheshim me historikun dhe punën e madhe të bërë, si dhe njiheshim me format e krasitjes të përshtatshme për çdo varietet., në veçanti duke u “prezantuar”: Afëz Ali, Muskat Hamburg, Sulltanin, Italia, Kardinal, Çaush, rrush për tavolinë. Llojet industrial, Kaberne Savinjo, Merlot, sheshi i zi, vlosh, për verë të kuqe. Risling, Shardone, Tokaj,sheshi bardhë, për verë të bardhë. Këtu, në mes të tyre, kemi kryer praktikat mësimore dhe mjeshtrin e krasitjes duke pranuar. Më pas, deri në daljen në pension, kontributi i tij ishte me statusin e këshilltarit për pemëtarinë në shkallë rrethi për Tiranën. Mëndja dhe gërshëra e tij sa qe gjallë, punuan pa pushim dhe me një përkushtim të pa shoq për mbarëvajtjen e pemëtarisë dhe vreshtarisë edhe në shkallë vendi. Për Abedinin ndoshta shume janë shkruar, sa më duket që shkrimi im është modest, por tregon se ka ende shumë për të shkruar. Po si mund ta mbyllja unë, nxënësi i tij, pa nënvizuar dhe kontributin në përgatitjen e qindra mijëra mjeshtërve të krasitjes, nga Shkodra në Sarandë. Qindra e mijëra nxënës dhe student specialist të frutikulturës, ku ndër ta, shumë krenar ndihem edhe unë. Për këtë unë mund të jem një “votë”, por kam dhe një mendim, i cili për kontributet në këtë fushë, përputhet me vlerësimin që i është bërë nga Ministria e Arsimit. Koha e tranzicionit me dëmtimet e mëdha, atij i shkaktuan dhimbje me pasoja për shëndetin. Në një nga momentet kur shihte prerjen e pemëve, ullinjve dhe zhdukjen e vreshtave, ai, tepër i alarmuar, si për të gjetur shpëtim kishte takuar gazetarin e zërit të Amerikës Xhevdet Shehun. Me lot në sy dhe zë që i dridhej i thotë: Ç’po bëhet Xhevdet! Po shkatërrohet pasuria e vënë me mund e djersë! Unë, thotë Xhevdeti, përpiqesha ta qetësoja, ndërsa ai vazhdonte, kur pemët priten mua më duket sikur më thërrasin- “Abediiiin po na presin!!”. Mbas kësaj, gjendja e tij shëndetësore sa vinte e rëndohej, por më shumë se sëmundja në mushkëri, atë e rëndonte më shumë ajo në shpirt. Për merita pune dhe kontribute, Abedini është nderuar me “Medalje kujtimi”, ”Medalje trimërie”, ”Medalje e çlirimit”, “Lauerat i Çmimit të Republikës”, ”Medalje e Arsimit” dhe “Medalje e Artë Micurini” dhënë nga Akademia Ruse. Ndërsa me rastin e 90 vjetorit të lindjes,nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Rexhep Mejdani ,ju akordua “Mjeshtri i Madh i Punës”.

Më 5 tetor 2005, Abedin Çiçi u nda nga jeta. U prehtë në paqe!