Prof. Dr. Niko Pojani:“Parulla e përhershme e ndërtimeve ishte: të ndërtojmë shpejt, mirë dhe lirë”

1547
Sigal

INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. Niko Pojani: Në atë kohë nuk njihej në shkollë fjala “korrupsion”

Në Institutin Sizmologjik të ASh-së ka qenë përgjegjës i Departamentit të Inxhinierisë Sizmike, nga formimi i tij më 1986 e deri më 2007 (efektiv dhe i jashtëm). Ka kryer specializime brenda e jashtë vendit (Francë, Itali, Angli, SHBA, Gjermani, Greqi, Maqedoni, etj). Ka drejtuar një sërë projektesh shkencore, disa ndërkombëtare. Pjesëmarrës në forume inxhinierike, akademike e shkencore, ai është autor ose b/autor në shumë artikuj shkencorë, brenda e jashtë vendit, si dhe i 15 librave. Interes të gjerë ka patur veçanërisht libri “Inxhinieria sizmike” (v. 2003). Gjatë viteve 2011-2012 ka qenë ekspert kryesor në projektin e Bankës Botërore për adoptimin e Kodit Europian për ndërtimet rezistente ndaj tërmeteve. Këtë vit sapo ka botuar librin në dy vëllime (me 1200 faqe) “Shkenca e konstruksioneve përgjatë historisë së saj”  e, si bashkautor, edhe librin “Analiza matricore e strukturave”.Ju e zgjodhët vetë degën e Inxhinierisë së Ndërtimit, apo ishte një shtysë e prindërve?

Pedagogët e degës tuaj në universitet, a kishin përgatitje bashkëkohore dhe a kanë qenë në shërbim të studentëve?

Profesorë që jepnin aty mësim në vitin e parë ishin emra të dëgjuar si Aleko Minga (algjebër), Shaban Baxhaku (gjeometri analitike) e të tjerë. Inxhinierinë e ndërtimit e përfundova me diplomën e “studentit të dalluar”, praktikisht me po ato rezultate notash si në shkollën e mesme të qytetit tim, Pogradecit (ku gjithashtu kam patur fatin të kisha mësues shumë të aftë e të përkushtuar).  E përmend më tepër për të kujtuar me mirënjohje disponibilitetin që tregoi për  të më dëgjuar dhe realizuar dëshirën time rektori i Universitetit i asaj kohe (viti 1969). Ky ishte Kahreman Ylli. Sikurse ka mbetur edhe në kujtesën e mjaft ish-studentëve dhe pedagogëve të asaj kohe, ai ishte një burrë zotëri, vizionar, tepër fisnik e i kulturuar, pavarësisht se thirrej “shoku Kahreman” dhe ishte ngarkuar e mbante ngarkesa të larta partiake e shtetërore. Më pranoi ta takoj pa burokraci dhe pa asnjë ndërhyrje (as që kisha mundësi të tilla – isha një student i thjeshtë). Në zyrën e tij i  kërkova “shokut rektor” që  të ndiqja paralelisht degën e dytë, elektrike. Më dëgjoi me vëmendje duke  mbajtur dhe shënime. Do të marrish përgjigje, besoj të mirë, më tha duke më inkurajuar. Nuk vonoi pak ditë  dhe m’u njoftua nga sekretaria e fakultetit miratimi i kërkesës time për të ndjekur edhe një degë të dytë (praktikë kjo që në mos e përjashtuar, ishte shumë e rrallë në atë kohë).

Po përgatitja e studentëve të asaj kohe a kishte nivel të lartë dhe vetë lëndët mësimore a ishin bashkëkohore?

Kërkesat e formimit dhe përgatitjes inxhinierike në brezin tim kanë qenë realisht të larta. Me sa do të kisha mundësi më vonë të bëja krahasime midis programeve dhe lëndëve mësimore që zhvilloheshin te ne me ato në fakultete të ngjashme të huaja, kujtoj që për atë kohë që flasim (rreth vitit 1970) niveli i shkollës tonë dhe ai i të diplomuarve prej saj ishte i krahasueshëm me botën, të paktën me rajonin tonë. Kishte disa arsye për këtë, mendoj. Faktor kryesor ishte vetë dëshira e madhe e studentëve dhe e familjeve të tyre për të marrë formim profesional dhe arsimim sa më të mirë, çka ushtronte një “presion pozitiv” për të mbajtur në nivel të mirë mësimdhënien. Duhet thënë se edhe shteti i kushtonte kujdes shkollës së lartë, pavarësisht tendencave në rritje për kontrollin politik të saj dhe sigurimin e “boshtit ideologjik”. Por, rëndësi kryesore kishte fakti që gjeneratës tonë i dha mësim një ekip i shkëlqyer pedagogësh që punonin ato kohë në Universitet. Kapacitete shkencore e didaktike dhe misionarë të vërtetë të transmetimit të dijeve dhe shkencave, ata mbahen mend për idealizmin dhe përkushtimin e tyre ndaj punës dhe studentëve.

A ishte ndëshkuar dikush nga pedagogët për mitmarrje në regjimin komunist?

Në atë kohë nuk njihej në shkollë fjala “korrupsion” dhe pedagogët, në përgjithësi, çmoheshin shumë për drejtësi në nota dhe vlerësime. Sigurisht kishte edhe nga ata që ishin pak më të rreptë në këto aspekte, por amá ishin njëlloj me të gjithë. Shkurt, ishin tepër të respektuar.

Çfarë do të veçonit nga pedagogët e regjimit komunist?

Pothuaj të gjithë pedagogët tanë ishin të diplomuar në universitete prestigjioze jashtë, më tepër në periudhën e pas-luftës, por kishte dhe të diplomuar para lufte. Ndërmjet profesorëve që më kanë dhënë mësim dhe të cilët i kujtoj me nostalgji dhe me shumë respekt (sikurse shumë bashkë-studentë të tjerë, jam krejt i bindur për këtë) kanë qenë pedagogët dhe pedagoget: në Matematikë, Qazim Turdiu (dipl. Paris) dhe Zoja Bozgo (ruse, dipl. Moskë); në Fizikë, Fatmir Sinojmeri (dipl. Varshavë); në Gjeometri deskriptive,  Besim Daja (dipl. Rusi) dhe Esat Heta (dipl. Çeki); në Mekanikë teorike, Thanas Gaçe (dipl. Çeki); në  Rezistencë e materialeve  Zija Këlliçi (st. Itali, dipl. Rusi), ndërkohë që këtë lëndë e studionim edhe me librin “Shkenca e konstruksioneve”  të një emri të shquar shqiptar me reputacion ndërkombëtar në  Inxhinierisë  strukturore sikurse ishte profesori  Gjovalin Gjadri (dipl. Austri); në Statikën e strukturave, Kiço Rambi (dipl. Rusi); në Hidroteknikë dhe Hidrocentrale, Xhemal Gjata (dipl. Rusi); në Konstruksionet e çelikut, Vasil Pistoli (dipl. Bullgari); në Mekanikën e trojeve, Efigjeni Floqi (dipl. Rusi), në konstruksionet betonarmé, Nikolla Verdho (dipl. Gjermani) e të tjerë emra të nderuar.

Çfarë projektesh mund të na përcillni për atë periudhë?

Ka patur objekte të rëndësishme ndërtimi të karakterit social-kulturor, sikurse ishin disa hotele turizmi, biblioteka apo ato që quheshin “pallate kulture”, të ngritura në qytete të ndryshme. Në mesin e viteve ’70 spikati ndërtimi i hotelit “Tirana”, 15-katëshi i famshëm (ndërtesa më e lartë në Shqipëri deri në vitin ’91), kurse në vitet ’80 “Pallati i kongreseve”. Një vepër kjo mjaft moderne për kohën, pavarësisht nga destinacioni politik i ndërtimit të saj. Për zgjidhjet arkitekturore të “Pallatit të kongreseve” kanë punuar disa arkitektë të njohur si Klement Kolaneci, Vladimir Bregu e Spiro Bakëllbashi, kurse për projektin e vështirë konstruktiv të saj (veçanërisht për mbulesën dhe  konstruksionin mbajtës) kanë punuar disa konstruktorë të shquar si Niko Lako, Kristaq Premti e Kujtim Meka.

Po me banesat, çfarë do veçoni?

Kurse, në sektorin e banesave për qytetarët, dihen rezultatet e “aksioneve me goditje të përqendruar” për ngritjen nëpër lagje, me “kontribut vullnetar”, me mjete e “teknologji rrethanore” të ndërtesave me tulla (2, 3 deri 5-katëshe), si dhe të shtesave të kateve, që u aplikuan (“me leje”) gjatë viteve ‘70 dhe ‘80. Në ato kohë shumica dërmuese e ndërtesave (“pallateve”) të banimit ishin standarde, në kuptimin “të tipizuara”, sepse vetë sistemi ishte i centralizuar. Ishte shteti që projektonte ndërtesat dhe po shteti (apo shtetasit e tij me “punë vullnetare” – lexo: detyrim) që i zbatonin ato. Projektet bëheshin nga zyrat e urbanistikës së rretheve.

Moda dhe muzika e huaj në vitet 1970

Ishte koha kur ndiqeshin pothuaj pa probleme “kanconisimat”  italiane dhe dëgjoheshin apo fishkëlleheshin pothuaj lirisht meloditë e këngët e Bitëllsave, Minës, Çelentanos, Xhani Morandit, Rolling Stonsave, Tom Xhonsit, krahas dhe këngëve melodioze e ritmike nga muzika jonë e lehtë e kohës, sikurse ishin ato të Agim Krajkës, Kastriot Gjinit etj.  Por, më pas (sidomos pas Plenumit të katërt të partisë së punës, më 1973) izolimi nga bota do të  ndihej gjithnjë e më tepër. Ndërkohë, u rrit dhe vigjilenca “revolucionare” e organizatave të partisë ndaj të ashtuquajturve “qafëleshë” e “shfaqje të huaja”, në tërësi, por veçanërisht ndaj ndonjë botëkuptimi të huaj. Në këtë “luftë” shquheshin sidomos drejtuesit e partisë (sekretarët), të cilët te ne njiheshin si fanatikë të regjimit dhe me aftësi të kufizuara profesionale; ndërkohë që në radhët e komunistëve “të thjeshtë” kishte dhe njerëz të pa indoktrinuar, me të cilët mund të bëje edhe ndonjë shaka “me spec”. Në vitet ’70 dhe ’80, por sidomos periudha 1973-1985 situata u bë jo vetëm stresuese por dhe shumë problematike për shkollën, pedagogët dhe studentët. Kjo ishte koha e “zbulimit të grupeve puçiste” të pambarim në kulturë, ushtri, ekonomi e kudo, duke futur edhe në universitet një situatë anormale e frike. Madje aty filluan edhe arrestimet. Më 1975 “lista e zezë” në fakultet kapi një pedagog të  shkëlqyer, Ismail Farkën, që ishte kolegu ynë i katedrës. Ai u ridënua edhe në burg, ku kaloi në total mbi 12 vjet (U rikthye më në fund te ne, pas vitit ’90, u emërua edhe shef katedre dhe e përfundoi karrierën e tij si ambasador në Pragë, në vitet 1992-1996 e sot jeton në Kaliforni. Flas në telefon me ‘të gati rregullisht dhe fjala e parë e prezantimit të tij është: a jeni dakord të flisni me një “armik të popullit dhe  partisë”, ashtu siç e kishte “damkosur” regjimi).  Ndërkohë, gradualisht, e sidomos pas vitit 1975, me futjen masive të  “trekëndëshit revolucionar” absurd “mësim, punë prodhuese, kalitje ushtarake”, i cili e dërrmoi kohën efektive të mësimit, shkolla filloi të binte gradualisht. Nga fundi i viteve ’70 aty po ndjeheshin jo rrallë edhe fenomenet e ndërhyrjeve për nota, emërimet e pa-merituara të pedagogëve dhe forma të korrupsionit (të fshehur). Prandaj, mendoj se disa dukuri të njohura negative të shkollës tonë të lartë, që u bënë shumë problematike sidomos pas viteve ‘90, mëkatet e para i kanë të lidhura me kohën e sistemit diktatorial, që synonte “formimin e njeriut të ri”.