Dritëro Agolli: Udhëtimi në botën e teqeve, bisedat me shkrimtarin turk e incidenti me shkrimtarin italian

1002
Sigal

Gazeta Telegraf/ Dymbëdhjetë vjet më
parë në Shqipëri, me mikun tim, shkrimtarin e madh turk dhe një nga romancierët
e shquar botërorë, Jashar Qemal, duke shkuar për në hotelin e gjuetisë në Lezhë,
u ndalëm në Fushë Krujë, atje në vendin e teqesë me qiparisë e pemë. Ishte maj
dhe gjelbërimi harbonte.

– Çok gjyzel! – bëri
Jashar Qemali, që shqip do të thotë “shumë bukur”!

– Këtu ka qenë një
teqe, Jashar bej, i thashë.

Ai, i gjatë si div,
me një sy dhe me shpatulla si shkëmb, shtrëngoi nofullën e rëndë me dorë dhe
psherëtiu:

– Gjynah!

Pas fjalës “gjynah”
edhe ai heshti, edhe unë heshta.Të heshtur u futëm në makinë dhe vazhduam rrugën
për në hotelin e gjuetisë të Lezhës. Në hotel, kur ishte shtruar tryeza dhe ne
ishim ulur, e pyeta:

– Jashar bej, pse
the “gjynah” atje përballë kopshtit të teqesë?

Jashar Qemali mori pacetën
dhe fshiu fytyrën e djersitur si një baba teqeje

Ah,- tha-, teqetë kanë qenë gjëra
të bukura. Ato nuk ishin vetëm gjëra të shenjta, por edhe konakë mikpritës. Kthehej
udhëtari i lodhur natën. E prisnin dervishët dhe vetë babai. Tregoheshin
histori, këndoheshin vjersha, ngriheshin dolli për mysafirin, i uronin udhë të
mbarë…Ah teqetë! Gjynah që i kini prishur!

Unë deri atëherë
nuk e dija që Jashar Qemali qënkesh një njohës i madh i bektashizmës, i
besimit, i moralit dhe i zakoneve të këtij sekti të çuditshëm. Madje nuk e dija
se ai kishte ndërmend të shkruante një libër për bektashinjtë. Ka kohë që nuk e
kam takuar për ta pyetur, nëse e ka shkruar këtë libër. Një gjë di, që ai kërkonte
nga unë histori teqesh, baballarësh, myhipësh dhe zakonesh te familjeve
bektashiane

Pse kërkon nga unë për bektashinjtë?-
e pyeta

Ai qeshi

 E di, e di që je komunist, por kam
lexuar novelën tënde të përkthyer edhe në frëngjisht e italisht “Lamtumirë, kapedani
im”! Atje është personazh simpatik edhe një baba teqeje. Gjyshërit e tu duhet të
kenë qenë bektashinj! He-he! Mos m’u fshih! -dhe qeshi përsëri me zë të lartë.

Unë mora në tryezë
gotën, e shtrëngova me të katër gishtërinjtë dhe gishtin e madh e mbajta të
ngritur mbi buzën e gotës

Bromb Jashar Bej!

Jashar Qemali e
hapi të vetmin sy sa një arrë, u ul në gjunjë para meje, ma mori dorën dhe ma
puthi, duke thënë

  Hejvallah, baba!

U ngrit dhe shtoi:

-Të zura! Kështu e mbajnë gishtin e
madhe mbi buzën e gotës vetëm bektashinjtë, që do të thotë: “Në te gjitha gjërat
perëndia! Të zura!” – përsëriti Jashar Qemali, ky turk i zgjuar me emër botëror.

Ai nuk gabonte. Gjyshi
dhe gjyshja ime ishin myhipë bektashinj. Të takseshe, domethënë të bëheshe
myhip, duhet të rridhje nga një oxhak i ndershëm, me moral të lartë, të kërkoje
drejtësi, të ishe human, të mos gënjeje dhe të synoje drejt së vërtetës, ta
mbaje shtëpinë të pastër si shpirti dhe të mos lodheshe nga miqtë. Me të ligun
të mos ngroheshe në një vatër. Jashar Qemali kërkonte të dinte nga unë për
familjen bektashiane shqiptare. Por atij as i shkonte në mendje, që tek ne pak
studime ose të themi aspak ka pasur për bektashizmën dhe për zakonet dhe
moralin e familjeve që i përkisnin këtij sekti. Edhe unë në këto shënime mbështetem
vetëm në ato që mbaj mend nga e kaluara e familjes sime dhe e familjeve të
tjera, me të cilat kishte marrëdhënie shtëpia jonë. Nuk pretendoj të kem
njohuri të thella, megjithëse kam lexuar për fushën e Qerbelasë, për luftën e
Aliut me Mavijën, për Haxhi Bektash Velinë, themeluesin e Bektashizmës. Kam qenë
edhe ne qytetin Haxhi Bektash në veri të Turqisë, siç kam qenë edhe në Konia, në
Yrgyp, në këto qendra të shumë sekteve mistike fetare të Turqisë. Por siç thashë,
nuk marr përsipër të shkruaj ndonjë gjë me pretendime shkencore historike, pasi
i vështroj dukuritë vetëm si një shkrimtar kurioz, që ka origjinën nga një
familje me kahje mistike, si një shkrimtar i larguar prej kohësh nga kjo shtëpi
dhe i përzier me shume rryma ideologjike e filozofike. Ndërkaq edhe mua më lejohet
të hidhem pakëz në të kaluarën bektashiane dhe të kujtoj pa mbajtur asnjë anësi.

Dhe kështu familja
bektashiane në vështrimin tim vetjak, doemos është si gjithë familjet e tjera
shqiptare dhe ka po ato zakone dhe po atë konstitucion shpirtëror, veç bart
edhe disa veçori të formuara nga vetë morali bektashian. Vetë perceptimi i
zotit në mënyrë individuale, vetë trajtimi i tij me një bazë brenda natyrës dhe
jo jashtë saj, domethënë që zoti ndodhet brenda njeriut, brenda luleve, brenda
pemëve dhe brenda qenieve, e çlironte familjen nga fanatizmi i rëndë dhe i
jepte mundësinë asaj të arsyetonte dhe të kuvendonte për shumë gjëra pa frikë
se ndonjë mbifuqi e llahtarshme do ta mallkonte. Duke e parë zotin brenda natyrës,
ata krijuan kultin e Tomorit. Në Tomor zu vend Abaz Aliu. Në Tomor është zoti. Atje
bëheshin dhe festat. Pra, duke nisur nga ato që thashë pak më lart, në familjet
bektashiane njerëzit kishin çuditërisht një barazi të vetëdijshme, barazi midis
burrave e grave, në mes të mëdhenjve e të vegjëlve, pasi tek të gjithë brendapërbrenda
ndodhej zoti. Por këtë zot secili e përfytyronte sipas mendimit të tij, sipas
ndjenjës së vet. Dhe ishte mëkat, fjala vjen, të rrihje një grua apo një fëmijë,
pasi rrihje vet zotin që fshihej në trupin e tyre. Kjo e bënte familjen
bektashiane të kërkonte harmoninë jo vetëm në mes frymëve të saj, por edhe
midis orendive e sendeve, për vendosjen e tyre pastër dhe bukur, pa rrëmujë e
pa çrregullsi. Madje edhe kur pyetej njëri, nuk përgjigjej tjetri që nuk ishte
pyetur. Kur përgjigjej pa pyetur, i kujtonin fjalët e Nizamiut, poetit të madh
persian “Mos u përgjigj pa u pyetur, sepse e pret xhevahirin e fjalës me sopatë”.
Në familjen bektashiane, brenda barazisë, respektoheshin veçanërisht gjyshi dhe
gjyshja, aq më tepër kur ata ishin myhipë. Dhe nuk kishin si të mos
respektoheshin kur ata vinin shpesh në teqe, në tempullin e perëndisë, takoheshin
me babanë dhe me dervishët. Ata kur ktheheshin tregonin sesi i kishte pritur
babai i teqesë dhe çfarë fjalë të mençme u kishte thënë. Më kujtohet njëherë, kur
erdhi gjyshi nga teqeja (teqeja e Kuçit të Devollit që kishte baba Ahmetin, në
mos gaboj në vitet ’30 dhe në mes të viteve ’40-të). Pra, më kujtohet se gjyshi
kishte folur me baba Ahmetin, ndër të tjera, edhe për diturinë apo për injorancën
dhe padijen. Dhe njëri që ishte ndodhur atje kishte thënë se i trembej diturisë
dhe të diturve. – Pa kur iu përvesh baba Ahmeti dhe i tha: “Kush ka turp nga
drita, përqafon errësirën” – tregonte gjyshi çuditë e baba Ahmetit me një
shprehje të mallëngjyer në fytyrë. Pikërisht kjo frymë e diturisë dhe e urtësisë
vinte edhe në familjen bektashiane. Fëmijët nxiteshin të mësonin dhe të shkonin
në shkolla. Po të kishte mundësi edhe në shkolla të larta, se nuk është turp të
bëhesh lypsar i diturisë, siç thoshte Haxhi Bektash Veliu dhe siç kërkonte
ngaherë Naim Bej Frashëri, që në familjen bektashiane librat e tij ishte në
krye të vendit. Nuk kishte familje me frymën e këtij sekti që të mos dinte përmendësh
vjershat e Naim Frashërit. Nga të gjitha vjershat e tij zgjidheshin për t’u mësuar
përmendësh edhe ato patriotike, edhe fetare, edhe ato të dashurisë. Vjershën e
mahnitshme “Abaz Aliu” e dinim të gjithë ta recitonim që fëmijë:

                                                  Engjëll që m’u qase pranë,

                                                  
Nga i madhi Zot,

                                                  
Pse më rrëfen Qerbelanë?

                                            
      A do të derdh lot?

 Unë vjershat e Naim
Frashërit i kam mësuar përmendësh në shtëpi pa shkuar në shkollë, pasi i dëgjoja
kur i këndonte gjyshi, gjyshja, baba Ahmeti, im atë dhe xhaxhallarët. Pale, kur
vinte në shtëpi baba Ahmeti, pastë ndjesë, bëhej vërtetë mbrëmje letrare, pasi
këndoheshin edhe vjersha nga Nezim Berati, nga Hasan Zyko Kamberi edhe nga Sali
Butka! Edhe baba Ahmeti i recitonte përmendësh pa e hequr tacin nga koka. Babai
e heq tacin vetëm kur mallkon ndonjë të lig dhe katil!

Tek ia tregoja
Jashar Qemalit këto që po shkruaj dhe të tjera më tha:

         
Agolli bej, pse nuk shkruan një
libër për bektashinjtë?

Unë qesha. Ai dinte
shumë gjëra nga realiteti ynë i atëhershëm. Pritja e bujshme që iu bë nga
shkrimtarët dhe rrethet e tjera kulturore-artistike, jo partiake-shtetërore, e
hutoi megjithëse si njeri i zgjuar, realitetin tonë e ndjeu.

– Eh, pastaj… –bëra
të flas unë.

– Nuk ka gjë që nuk
je besimtar vetë. Ti mund të shkruash pavarësisht bindjeve të tua. Edhe ata që
nuk janë besimtarë, bektashizma i pranon. Pastaj shtëpia juaj ka besuar në
bektashizmin – ma preu fjalën Jashar Qemali.

– Vështirë, vështirë,
Jashar bej! – i thashë dhe shtova:- E di, Jashar bej, se emrin ma ka vënë baba
Ahmeti i Kuçit?

– Ah! –bëri Jashar
Qemali dhe u ngrit në këmbë nga tryeza me gotën në dorë,me gishtin e madh mbi
buzët e saj, siç i mbajnë bektashinjtë:

– Bromb, për ty dhe
për shpirtin e baba Ahmetit! – shtoi ai dhe e piu.

Ai u ul, fërkoi të
vetmin sy me dorën e madhe.

Dhe vërtet, emrat në
familjet bektashiane zakonisht i vinte babai i teqesë. Kur linda unë, siç
tregonte nëna ime Hatixhe, ndjesë pastë, baba Ahmeti nuk ishte, pasi kishte
shkuar në Tiranë në Kryegjyshatë, tek Dedeja, domethënë te kryegjyshi. Një javë
apo dhjetë ditë mbeta pa emër. Gjyshi, Nesimi, edhe ky ndjesë pastë, ngulte këmbë
se duhej pritur sa të kthehej baba Ahmeti

  Pa baba Ahmetin nuk vihet emri,
punë që nuk bëhet! – thoshte gjyshi im Nesim, sipas tregimeve të nënës sime. Me
t’u kthyer baba Ahmeti, shtëpia jonë gjëmoi nga zijafeti dhe këngët. Baba Ahmeti
erdhi së bashku me dervish Alinë, mikun e gjyshit dhe ndihmësin e vetë babait. U
mblodhën burrat myhipë të fisit tonë dhe kushurinjtë e parë e të dytë  të gjyshit: Xha Haliti, xha Neimi, xha Qamili
e plot të tjerë, që unë tani mezi i kujtoj nga tregimet e nënës, pasi ishin në
moshën e gjyshit. Kur u shtrua në sofër bakllavaja, baba Ahmeti i shëndetshëm, me
tasin gjysëm jeshil, u ngrit në këmbë dhe thirri tri herë: “Dritëro, Dritëro,
Dritëro!” – dhe iu kthye të gjithëve:-Thërrisni dhe ju “Dritëro!”. Dhe të gjithë
thirrën me zë të lartë emrin tim, emrin që kam sot. Nënës i vinte turp dhe nuk
thërriste. Atëherë baba Ahmeti e kapi për krahu dhe i tha të thërriste edhe
ajo. E ndjera nënë, thirri për një emër që nuk e kishte dëgjuar kurrë! Baba
Ahmeti ishte i çuditshëm.

Kur u rrita fillova
të flas, e mora vesh se baba Ahmeti ma kishte vënë emrin dhe në shtëpinë tonë
krenoheshin me këtë gjë. Dhe ndofta emrin e baba Ahmetit e mësova ta shqiptoj
nga të parët. Por një ditë u zura keq me atë. Gjyshi më dha një shqerrë
mashkull që ta rritja si manar. Manari kur mësohet, të ndjek pas, vjen në sofër
me ty, fle me ty. Unë e mësova këtë manar, e rrita, e bëra dash dhe nuk e dija
se ç’e priste të shkretin. Gjyshi një mëngjes më tha se manarin do ta bëjmë
kurban në teqenë e baba Ahmetit, që të ka vënë emrin. Nuk e dija kuptimin e
fjalës Kurban

 Do ta therim në shkallët e teqesë!-
tha gjyshi. – Do ta therim që ti të rritesh e mos të të gjejë gjë.

Dhe e shpumë me
gjyshin manarin në teqe. Dy dervishë, njëri dervish Aliu dhe tjetri nuk më
kujtohet, e shtrinë manarin në shkallën e fundit të teqesë dhe e therën. Erdhi
baba Ahmeti. Qëndronte ne krye të shkallëve. Unë, nëntë vjeçar, iu lëshova dhe
doja t’ia grisja dollomanë. Babai duke qeshur u ul të më kapte dhe papritur u
rrokullisëm të dy nëpër shkallët e teqesë deri tek manari i therur. Kjo ishte zënka
e parë me baba Ahmetin. Zënkat e tjera me baballarët ishin ideologjike. Këto radhë
për emrin unë nuk i tregoj për t’ua bërë të njohur njerëzve historinë e jetës
time. I shkruaj për të treguar se familjet bektashiane kishin një regjim apo më
mirë një rend mjaft iluminist dhe liberal në kuptimin pozitiv të kësaj fjale. Baballarët
e teqeve, në të shumtën e rasteve, kërkonin emra shqip, emra me kuptim dhe
ndonjëherë të formuar nga gjuha shqipe. Këtu tregohet jo vetëm iluminizmi i
tyre, por edhe ndjenja e një patriotizmi të thellë të kulturuar. Madje edhe në
martesat kërkohej ai oxhak nga i cili të dilte “tymi i ëmbël”, domethënë, “edhe
tymi i atdheut është i ëmbël”. Nuk kishte rëndësi, nëse ky oxhak ishte i pasur
apo i varfër, i kësaj feje apo i asaj tjetrës. Mjafton që oxhakun ta kishin ndërtuar
fisnikët dhe të ndershmit. Stërgjyshja ime, fjala vjen, ishte ortodokse. Stërgjyshi
Mehmedaj, ishte Myhip, por nderi myhip nuk e ndalonte të martohej me një “kaurkë”
nga qyteza e Devollit, nga oxhaku i Donove. Mbiemri Dono është ende në qytezë. Një
lidhje të tillë e lejonte vetë bektashizmi. Për bektashizmin edhe apostujt e
krishterë apo hebrej, janë hazretë. Krishtit i thonë hazreti Isa, Solomonit të
hebrejve i thonë hazreti Sulejman, siç i thonë Muhametit, hazreti Muhamet dhe të
gjithë i respektojnë dhe i nderojnë. Pandershmëria, djallëzia, hipokrizia, keqdashja
dënohen rëndë nga familja bektashiane. Unë shpesh dëgjoja tim atë tek përsëriste
fjalët e urta të Haxhi Bektash Veliut: “Mos u shoqëroni me lapangjozët dhe gënjeshtarët,
pasi edhe se nuk molepsi prej tyre do të vini në siklet shpirtin tuaj”. Njëherë
ndodhi kështu. Një nga të afërmit e mi, nga ana e gjyshit (nuk dua t’ia përmend
emrin) ishte tepër dredharak dhe hileqar. Të dy me gjyshin ishin myhipë. Hileqari
nuk e meritonte emrin e myhipit. Por ç’t’i bësh, hileqari kishte mundur të bëhej
myhip! Në fshat ai bëri mjaft hile e dredhi për punë toke. Gjyshi u zu rëndë me
të dhe i tha: “Haram që je myhip!” Erdhi baba Ahmeti në fshat. Hileqari u zu
dhe me baba Ahmetin. Atëherë baba Ahmeti e hoqi tacin nga koka dhe e mallkoi. Për
çudi, ndofta ishte rastësi apo edhe nga tronditja, hileqarit i ra damllaja dhe
ia mori gjysmën e gojës dhe gjysmën e trupit. Në fshat thoshin se e zuri
mallkimi i baba Ahmetit. Gjyshi nguli këmbë që hileqarit t’i hiqej titulli i
myhipit, por baba Ahmeti kundërshtoi:


– Ah more
Nesim,titullin ia hoqi Haxhi Bektash Veliu, se ia dërgoi damllanë dhe ia mori
gojën, dorën dhe këmbën! Gjynah, ç’t’i marrim më shumë, le të jetë myhip!

– Allahu është i
madh! –tha gjyshi!


Baba Ahmeti qeshi
dhe siç tregonte im atë rrëfeu një histori të vogël. Historia është kjo: “Një
bektashi kishte hipur në një shkëmb, që binte thikë në det. Kishte mbetur atje
dhe nuk mund të zbriste. Nën shkëmb në det ishte një varkë e madhe. Një
kalimtar hebre e pa bektashinë e dhe i thirri: “Bektashi, hidhu në varkë, se
Allahu është i madh” Bektashiu iu përgjigj: ”Allah byhyk, ama kaik kyçyk!” që
do të thoshte shqip: “Allahu është i madh, por varka është e vogël”! Baballarët
ishin njerëz me humor dhe shpesh bënin shaka, veçanërisht baba Ahmeti.


Ato ditë kur ishte
Qemal Jashari, përveç kuvendimeve për letërsinë shqipe dhe turke, folëm shpesh
herë dhe për bektashizëm. Por edhe me gazetarë të huaj flisnim në ndonjë rast. Po
atë vit erdhi në vendin tonë një shkrimtar dhe publicist italian, Mario Biondi.
Unë e shpura në Devoll, në një festë përkujtimore antifashiste. Atje i fola dhe
për bektashizmin. Për dreq ai shkroi në revistën “Espresso” të Italisë një
artikull për Shqipërinë, ku krahas të tjerave, më përmendte dhe mua si një
bektashi të mbaruar. Artikullin e përktheu ATSH-ja, si çdo shkrim që fliste për
Shqipërinë. Drejtori i atëhershëm i ATSH-së, Arqile Aleksi, që të mos më dëmtonte
mua, e hoqi nga shkrimi pjesën ku Mario Biondi më quante bektashi, por kishte
dhe kanale të tjera ku përkthehej shkrimi dhe Arqilenë e thirrën në drejtorinë
e shtypit në KQ të PPSH dhe i hoqën vërejtje për ndryshime në ato që shkruan
bota për ne. Sigurisht dhe mua më thirrën, ndërsa Mario Biondit iu vu vizë e
kuqe si mik i Shqipërisë dhe iu ndalua të vijë, pasi kishte nxjerrë edhe varfërinë
e Shqipërisë, disa dallime në mes të popullit të thjeshtë dhe pushtetarëve, megjithëse
artikullin e kishte shkruar me dashuri për vendin dhe popull


 Po ti duhet të shkruash për
bektashinjtë dhe bektashizëm, Agolli bej!-përsëriste Jashar Qemali tek i
tregoja dhe për kushëririn tim Muharremin, që këndonte bukur këngët e
bektashinjve dhe që kishte shërbyer në teqe deri sa ishin mbyllur ato.


Ishte e vështirë të
na e kuptonte i madhi Jashar brendësinë e shpirtit tonë të komplikuar. Por
ndofta ndonjëherë do të ulem dhe do të shkruaj, pasi të kem bërë dhe studime, duke
i lidhur me kujtimet e hershme, kur të vëmë magnetofonin me incizimet e këngëve
të Muharremit që i këndonte në shtëpinë time në vitet ’80 dhe na vinte si mik
nga Bilishti. Ndofta do arrij të jap shpirtin e ndërlikuar të shqiptarit gjatë
disa periudhave, ndofta…, ndofta pas një periudhe më të qetë, pa tensione
politike e sociale…

 Botuar  për herë të parë më  6 prill 1995