Franko Kroqi, inxhinieri që mposhti Ramiz Alinë në zgjedhjet e vitit 1991

1191
Sigal

Ai është lënë fare në harresë duke lenë në hije dhe një fakt shumë të rëndësishëm që në 31 mars 1991, në zgjedhjet parlamentare, ka fituar përballë Presidentit të Republikës së asaj kohe Ramiz Alisë me rezultatin e bindshëm 62% kundrejt 34%. Kjo fitore e bujshme sot as që diskutohet nga shumë drejtues të PD-së, dhe pse ishte ajo fitore që përmbysi tabutë e kohës dhe hapi rrugën e demokracisë së vërtetë në Shqipëri, ku vota popullore, u mendua në mënyrën më perfekte. Ishte një votim që tregoi pjekurinë e popullit shqiptar, që tashmë kishte ikur koha e votimit si turmë, por si qytetar të lirë në një vend demokratik. N.q.s. ato ditë PD, këtë fitore e përdori si armë të fortë ndaj ish krerëve komunist, ndërsa sot, këtë intelektual, e ka lënë në skutat e harresës, pa ja përmendur emrin në asnjë rast takimesh, festash, zgjedhjesh, apo vlerësimesh.

Ka lerë më 31.10.1940, në Shkodër. U diplomua inxh. miniere më 28.12.1960, filloi punë dt. 31.01.1961 në minierën e bakrit Kurbnesh, sektor i ndërmarrjes Rubik. Dy vitet e para punoi inxh. sektori, dy vitet e dyta punoi në Kurbnesh, duke qenë zv/kryeinxhinier i ndërmarrjes, ku mbulonte dhe minierat Rubik e Kabash, si dhe më vonë, filloi punimet ne minierën e bakrit, Spaç. Me 1 tetor 1964 miniera Kurbnesh u bë ndërmarrje në vete, ku ai u emërua kryeinxhinier. Gjatë vitit 1964, eksperimentoi për kushtet e Kurbneshit një metodë të re shfrytëzimi, atë me shembje nënkati, që rriste rendimentin, ulte koston etj. Këtë metode e zbatoi me sukses në vitin 1965. Pas Kurbneshit kjo metodë shfrytëzimi u aplikua në shumë miniera të tjera bakri, në përputhje me kushtet teknike të secilës minierë. Në prill të 1967 u xhirua dokumentari “Reportazh nga Kurbneshi”, ku ishte prezent. Në shtator 1967, u xhirua filmi artistik “Plagë të vjetra”, me shumë sekuenca nga miniera e Kurbneshit të cilën ai drejtonte.

Në shtator 1967, është transferuar në detyrën e kryeinxhinierit të ndërmarrjes në minierën e bakrit në Gjegjan të Kukësit, që ishte miniera më e madhe e bakrit në Shqipëri.

Në shkurt të vitit 1970 është transferuar në Ministri, ku punoi deri në vitin 1988, në detyrat e specialistit, kryespecialistit e të drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Minierave.

Në vitin 1988 është transferuar në Institutin e Minierave për të bërë projektin e modernizimit të minierës së Bulqizës, të cilin e përfundoi në mars të vitit 1989. E ka ripunuar këtë projekt bashkë me specialistët gjerman të firmës “Shahtleben” në kuadër të bashkëpunimit tekniko shkencor me Gjermaninë, dhe e ka përditësuar edhe në vitin 2006 në kushtet e mos zbatimit të këtij projekti dhe të ndërprerjes së punimeve abuzivisht nga firma koncesionare “Darfo”.

Në maj 1992 është emëruar zv/ministër në ministrinë ku kishte punuar rreth 18 vjet. Nuk pranoi që te huajt të vlerësonin asetet tona minerare (tërë industrinë minerare të kromit e vlerësonin 14 milion USD) si dhe që ata të vendosnin se cilës firmë të huaj i duheshin dhënë minierat tona. Nuk pranoi as kur e thirrën në Këshill të Ministrave dhe si rezultat e emëruan Ambasador në Zagreb (Kroaci) ku punoi 3 vjet (janar 1994 deri 29 dhjetor 1996). Me 1 janar 1997 filloi punë në institutin e minierave dhe pas 9 muajsh u emërua krye/inxh, në Korporatën Albbaker, ku punoi deri në  vitin 2001. Më pas, punoi me firma private.

Për punën teknike e shkencore të bërë në miniera në nëntor 1978, i është dhënë për herë të parë çmim Republike i shkallës së II-të për metodën e shfrytëzimit në minierën Kurbnesh e atë të Gjegjanit të Kukësit. Në vitin 1985 i është dhënë urdhër pune nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Në nëntor 1998, i është dhënë përsëri çmim Republike i shkallës së II-të për studimin dhe projektin e minierës Bulqizë, zbatimi i të cilit u ndërpre abuzivisht nga firma koncesionare “Darfo”. Më 31 Mars 1991, në zgjedhjet parlamentare, ka fituar përballë Presidenti të Republikës së asaj kohe Ramiz Alisë me rezultatin e bindshëm 62% kundrejt 32%. Kjo fitore u diskutua edhe në mediat botërore si një rezultat surprizë i një intelektuali të thjeshtë ndaj ish udhëheqësit komunist. Askush nuk e besonte që në zonën ku ishte themeluar PKSH, pikërisht në kohën kur Alia ishte në postet më të larta drejtuese të shtetit shqiptar, një inxhinier i thjeshtë, i panjohur në Tiranë, të fitonte bindshëm. Më shumë se kushdo u habitën drejtuesit e PD dhe vetë Sali Berisha i cili i ishte shmangur përballjes me Ramiz Alinë. Të gjithë politikanët e asaj kohe fitoren e Ramiz Alisë në atë zonë dhe me atë intelektual të thjeshtë e quanin të padiskutueshme. Në këtë zonë historikisht votonte vetëm Enver Hoxha dhe më pas Ramiz Alia. Franko ndërroi jetë më 12 nëntor 2013 dhe deri më tani asnjë nga liderët apo drejtuesit e PD në bazë nuk është kujtuar për këtë “Hero të heshtur” që tronditi politikën botërore duke fituar bindshëm ndaj ish udhëheqësit komunist që zëvendësoi Enver Hoxhën. .

Mirënjohje nga gazeta “Telegraf”

Inxhinier Franko Kroqi ishte një mik i gazetës “Telegraf”. Shpesh herë ai vinte në redaksinë e gazetës me shqetësimin e dukshëm për minierat shqiptare. I dhimbsej çdo minierë, çdo shkatërrim, çdo avari. Shkrimet dhe opinionet e tij ishin ndër më të lexuarat në shtypin shqiptar. I thjeshtë, i dashur, korrekt ai jepte mendime prej një specialisti pa kompromis për problemet dhe të ardhmen e gjeologjisë shqiptare. Asnjëherë nuk vinte në dukje meritat e tij, por shqetësimet e nëntokës shqiptare. Edhe kur ishte sëmurë në spital, në Turqi, ai mundohej të lidhej dhe të jepte mendimet e tij për zhvillimet më të fundit të gjeologjisë shqiptare. I lodhur nën peshën e halleve dhe problemeve të shoqërisë shqiptare, ai asnjëherë nuk bëri kompromis në dëm të interesave të ekonomisë shqiptare. Ky ishte tipari dallues i tij, atdhedashuria që mungon shumë sot tek të ashtuquajturit intelektual. Gazeta “Telegraf” i mbetet gjithmonë mirënjohës, këtij intelektuali të thjeshtë, të dashur, vizionar, por me zemër të madhe atdhetare.

 Albert Z. ZHOLI