Rexhep Gani Alimemaj/ Fidanishtja e ushtrisë shqiptare

900
Sigal

Në kuadrin e 70 vjetorit të krijimit të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”

*Ish skënderbegas

 Po mbushen 70 vjet nga 28 marsi i vitit 1945, kur për herë të parë u çelën portat e kësaj fidanishteje të ushtrisë shqiptare. Të parët që u ulën në bankat e saj ishin 200 pionierë që vinin nga radhët e reparteve partizane. Ndër ta dhe pesë vajza: Veronika Muzaka, Katerina Prifti, Xhevrie Golemi dhe Bukurie Malo. Sa kaq, komandanti i parë i shkollës Thoma Frashëri, thirri një staf të zgjedhur pedagogësh e komanduesish, me të cilët përshkroi historinë e ditëve dhe viteve të para të kësaj shkolle. Kanë mbetur të nderuar në kujtesën e skënderbegasve, emrat e kuadrove të parë si: drejtor shkolle Dule Pashai, komandantët Isuf Bobaj, Shuaip Llaze, Filip Stefani, Kadri Mullai, Miço Kola, mësuesit: Pavlina Grabocka, Kadrie Kopliku, Selman Tafai, Hamdi Cani, Arqile Kondi etj. Viti i parë stërvitor nuk dallonte shumë nga një betejë luftarake. Nuk kishte as laborator, as një bazë materiale, por kishte shumë vullnet e këmbëngulje. Plot vështirësi ishin dhe vitet në vijim, por falë punës pasionante dhe plot përkushtim të kuadrove Thoma Frashëri, Xhemal Shehu, Sotir Polena, Luto Haxhiu, Stavri Angjeli, Sadete Kasa etj. Çdo gjë u kapërcye duke kristalizuar përvojën e një shkolle me standard. Mësuesit ishin shumë të përgatitur. Shumica kishim mbaruar studimet e larta jashtë shtetit si në Itali, në Austri, në Francë në vitet 1930-1940 dhe pas çlirimit në Bashkimin Sovjetik, në Poloni, në Hungari, në Çeki etj. Unë i kujtoj me mirënjohje e respekt të gjithë mësuesit që na dhanë mësim gjatë atyre viteve të parë të shkollës. Por veçanërisht në kujtesë Sadete Kasa, do të thosha e madhja Sadete, ishte pedagoge brilante, një mësuese e re, e apasionuar pas lëndës së letërsisë. Ngeleshim me gojë hapur kur ajo zhvillonte mësimin e saj. Ku e gjente atë pasion? Ç’e shtynte të transformohen në Pushkin, në Molier e në Homer? Respekt, o mësuesja jonë e atyre viteve. Gjatë shpjegimit të mësimit, lëvizte në klasë, na vinte te banka ku ishim ulur, na përkëdhelte flokët e ne rriteshim më shumë, hiqnim emocionet dhe ngushtoheshin distanca që janë të zakonshme midis mësuesit dhe nxënësit. Nga e kaluara nuk trashëguan asnjë shkollë ushtarake, prandaj ajo do të ishte një organizim i ri si në formë, ashtu dhe në brendinë e në qëllimin e saj. Pionierët partizanë erdhën nga malet bashkë me armët e tyre që për një kohë të gjatë i kishin pasur shokët e tyre më të ngushtë. Me gjithë punën e madhe që bënin oficerët me skënderbegasit, për një kohë të gjatë, ne i mbajtëm armët me vete dhe vetëm më 9 maj 1945, ditën kur gjermania naziste kapitulloi pa kushte, pasi u bindëm se fitorja ishte korrur plotësisht, skënderbegasit pranuan t’i dorëzonin armët. Gëzimi i fitores ishte i papërshkueshëm. Gjatë vitit shkollor 1945-1946 shkolla u pajis me mjetet e nevojshme për mësim dhe jetesë. Programet ishin të studiuara dhe mësimi po zhvillohej në rregull. Nxënësit kishin në përdorim dhe tekste mësimorë. Kultura e përgjithshme jepej sipas programit të aprovuar nga Ministria e Arsimit. Zhvilloheshin dhe dy gjuhë të huaja, gjuha sllave dhe rusisht. Gjatë viteve shkollore edhe stërvitja  ushtarake zhvillohej në rregull dhe me intensitet të madh. Në këtë drejtim një vend të rëndësishëm zinte përgatitja rreshtore, përgatitje zjarri gjatë së cilës merreshin njohur mbi armët e ndryshme të kapura gjatë luftës, si dhe përgatitja për qitje. Zhvillohej dhe stërvitja taktike, si dhe rregullore të ndryshme. Edukimi politik zinte vendin më të rëndësishëm në të gjithë procesin mësimor dhe edukativ të skënderbegasit. Ky proces kryhej gjatë orëve të mësimit politik që zhvillohej nga komisarët e kompanive. Në shkurt të vitit 1947, shkolla me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor mori emrin “Shkolla ushtarake “Skënderbej”, emrin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Skënderbegasit ish-partizanë, të zbukuruar në gjokset e tyre me medaljen e “Trimërisë” dhe me krenari tregonin se, ata kishin qenë pjesëmarrës në një epope të lavdishme të popullit tonë. Ashtu si në luftë kalonin nga fitorja në fitore, edhe në shkollë kalonin nga suksesi në sukses. Në fillim të vitit 1948, shkolla “Skënderbej” kishte një krye drejtor shembullor deri sa doli në pension, Stavri Angjeli, drejtor shembullor i papërsëritshëm. Si nuk ngriti një herë zërin ai njeri! Gjithmonë midis nxënësve. Me duart mbi spaletat tona. Edhe ne e respektonim siç e meritonte. Faleminderit, faleminderit u themi edhe sot këtyre njerëzve pavarësisht se nuk jetojnë më! Ishte 28 marsi 1950. Shkolla festoi 5 vjetorin e krijimit të saj, 5 vjet punë, kalitje, mësim. Skënderbegasit i forcuan edhe më tepër traditat e çmuara të partizanëve. Afirmuan në shkollë një familje të madhe e një shoqëri të fortë ushtarake. Në vitet 1953-1954, në këtë vit mësimor shkolla ushtarake “Skënderbej”, kishte në radhët e saj, klasën e parë të maturës. Maturantët numëroheshin 19 nxënës. Ishin me të vërtetë mburrja dhe lavdia e shkollës. 19 maturantët mbaruan mësimet me rezultate shumë të mira. Si klasë siguroi një kalueshmëri 100% dhe 11 prej tyre morën në maturë me notën 5, më e larta e kohës. Tre prej tyre u nderuan, duke marrë medalje të argjendtë. Po në këtë vit mësimor, shkolla “Skënderbej” për rezultate të larta në mësime zuri vendin e parë të Republikës. Shumë ditë para 28 marsit 1955, në shkollë filluan përgatitjet për nder të 10 vjetorit të krijimit të saj. 28 marsi shkollën e gjeti të zbukuruar si përditë feste. Gjithë efektivi i shkollës kishte punuar me forca të shumëfishuara për të pritur vitin jubilar me rezultate të larta. Ata hidhnin sytë në rrugën 10 vjeçare të saj dhe bënin bilancin e fitoreve dhe të sukseseve. Më kujtohet mirë mbledhja solemne me rastin e 12 vjetorit të krijimit të shkollës në vitin 1957. Në shkollë u organizua një ceremoni e bukur ku morën pjesë dhe gjeneralët: Petrit Dume, Sadik Bekteshi, Rahman Përllaku, Hito Çako, Et’hem Gjinushi etj. Në sallën e kinemasë së shkollës përshëndeti ministri i Mbrojtjes gjenerallejtënant Beqir Balluku. Më pas gjeneralët dolën me ne në fotografi, e cila u botua në gazetën “Luftëtari”, për të ilustruar shkrimin “Skënderbegasit në festë”. Në vitin 1957, erdhi për vizitë në Shqipëri Marshalli i Bashkimit Sovjetik Zhukov, marshalli legjendar katër herë hero i Bashkimit Sovjetik, njeri që së bashku me Stalinin, përballuan nazizmin gjerman në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ai bëri një vizitë në shkollën ushtarake “Skënderbej” dhe Shkollën e Bashkuar, ku e pritën siç e meritonte një marshall. Atij i pëlqeu shumë shkolla, ambienti i bollshëm, gjelbërimi, rregulli dhe gjithçka e saj. Zhukovi i madh u kënaq shumë nga gjithçka që pa. Ndaj unë jam krenar për shkollën time të mesme ushtarake “Skënderbej”. Gjithmonë pyes veten se ç’ është ajo forcë magjike që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë më shtohet malli e dashuria për shkollën ushtarake “Skënderbej”. Unë aty, kam kaluar pesë vjet në bangot e saj, kam kaluar vitet më të bukura të moshës dhe ia dedikoj brumosjen time si kuadro e qytetarë, e mbi të gjitha edukimin me veti të tilla morale, duke gdhendur në zemrën time me germa të arta kryefjalën Rexhin. Kjo shkollë më ka dhënë të drejtën që duke përballuar me kurajë rrebeshet e jetës, jo vetëm të mos turpërohem asnjëherë, por të ndjehem krenar i kësaj shkolle, që si një nënë e mirë dhe e kujdesshme më mori qysh fëmijë në gjirin e saj të ngrohtë e duke më mbajtur përdore, më tregoi rrugët e ndryshme se nga duhet kaluar, për të kryer me ndërgjegje të lartë detyrën para popullit dhe Atdheut. I jam në veçanti mirënjohës për kulturën, me të cilën më pajisi, karakterin burrëror, përkushtimin dhe iniciativën në punë, kalitjen fiziko-ushtarake dhe shpirtin e pastër poetik. Them kulturën pasi duke pasur mësues të mrekullueshëm dhe nga më të zgjedhurit. Kjo shkollë u bë gjimnazi më cilësor në kryeqytet dhe në të gjithë Republikën. Kultura me të cilën e pajisën skënderbegasit dhe që u plotësua në shkollat e tjera civile e ushtarake dhe akademitë brenda dhe jashtë vendit, ku shumë prej tyre arritën rezultate të shkëlqyera, rezultoi më pas me tërë forcën e vet, në të gjitha repartet dhe efektivat e ushtrisë popullore. Në vite nxënësit e kësaj shkolle u bënë kuadro të shquar në të gjitha rangjet dhe drejtimin e llojeve të ndryshme të armëve, si tokësore, ajrore e detare. Me dhjetëra janë ata që kanë fituar tituj e grada shkencore, apo janë bërë shkrimtarë, artistë e sportistë të dëgjuar. Duke përgatitur djem me të tilla cilësi, kjo shkollë u bë në dekada fidanishtja kryesore e ushtrisë popullore. Na brumose, ti, o shkollë dhe ju të nderuar profesorë e mësues! Ne u titulluam oficerë dhe mbajtëm detyra të rëndësishme, por ndaj Atdheut mbetëm ushtarë, sepse ti, o shkollë e paharruar, me merak të madh  na bëre mbi të gjitha atdhetarë.