Udhëzimi i Ministrisë së Drejtësisë/ Ndryshon procedura e marrjes së lejes nga të dënuarit me heqje lirie

945
Sigal

 Të burgosurit, lejet dhe kriteret e reja

Me qëllim shmangien e abuzimeve me lejet e të burgosurve, ministri i Drejtësisë Nasip Naço, përmes një urdhri të posaçëm të tij, ka përcaktuar kritere të reja, sipas të cilave një i burgosur mund të largohet për disa ditë nga qelia. Ndryshime nga udhëzimi i mëparshëm vërehen që nga leja për fatkeqësitë në familje dhe deri te mënyra e regjistrimit të kërkesës dhe shqyrtimit të saj. Drejtorët e IEV-ve, në miratimin dhe në shoqërimin e të burgosurit kanë kompetenca të përcaktuara qartë, ndërsa një rol të rëndësishëm në përfitimin e lejes ka edhe sektori i kujdesit social, ku mbikëqyr sjelljet e secilit të burgosur dhe depoziton në dosjen personale të secilit karakteristikat që janë të përcaktuara në rregullore. Lejet e veçanta janë kompetencë e drejtorit ndërsa ato shpërblyeset, përfitohen nga sjellja që transferohet në një dosje personale të të burgosurit. Ndërsa Drejtori i IEV Penale përcakton në urdhër edhe mënyrën, kushtet, mjetet e shoqërimit të të burgosurit me forcat e policisë së burgjeve dhe numrin e tyre, në rastet e lejeve të veçanta, ndërsa kur bëhet fjalë për leje shpërblyese, kërkesat depozitohen një vit përpara nga i burgosuri dhe pas shqyrtimit të IEV-së ku vuan dënimin, do të vendosi Drejtori i Përgjithshëm u Burgjeve.

Udhëzim i Ministrisë së Drejtësisë mban nr. 103 të datës 14.2.2014 dhe ka hyrë në fuqi me zbardhjen në fletoren zyrtare. Në këtë udhëzim të bie në sy bashkëpunimi i IEV-së me komisariatin e zonës, ku banon familja e të burgosurit dhe institucionet duhet të shkëmbejnë informacion mbi personin që kërkon leje të veçantë, ku hyn kryesisht leja për raste sëmundjesh të njerëzve të afërt të familjes ose në rast fatkeqësie familjare.

Kompetencat e drejtorit të burgut

1. Drejtori i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP) është autoritetet     përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës dhe dhënien e lejeve shpërblyese në burgjet e sigurisë së zakonshme dhe të ulët, dhe për dhënien e lejeve të veçanta personave të burgosur…

 4. Me marrjen e kërkesës për leje shpërblyese nga i dënuari, pas protokollimit të saj, një kopje qëndron në sekretari dhe një kopje e merr vetë i dënuari, ndërsa drejtori i IEVP-së, brenda tri ditëve, nxjerr një urdhër me shkrim për fillimin e procedurave për shqyrtimin e kërkesës për leje shpërblyese nga sektorët përgjegjës në IEVP. Pas shqyrtimit të kërkesës, drejtori i IEVP-së me shkresë të veçantë njofton drejtorin e përgjithshëm, i cili vendos për planifikimin e lejes.

5. Drejtoritë e IEVP-ve, në çdo fillim viti dërgojnë listën vjetore të të dënuarve që plotësojnë kriteret ligjore për trajtim me leje shpërblyese, të ndarë sipas muajve kalendarikë dhe të shoqëruar me dokumentacionin përkatës. IEVP-ja përkatëse dërgon njoftim me shkrim dhe komunikon përmes telefonit me komisariatin ku ka vendbanimin i dënuari, që ka përfituar leje shpërblyese, duke e informuar atë.

Kriteret për “lejen e veçantë”

Një ndër pikat kryesore të këtij udhëzimi të Ministrisë së drejtësisë lidhet edhe me lejen e veçantë për të burgosurin, ku është përcaktuar koha e lëshimit të lejes dhe gjithë mekanizmi që vihet në funksion të përpilimit të dokumentacionit përkatës. Gjithashtu saktësohet se drejtori i burgut është i detyruar të vërë në dijeni drejtorin e Përgjithshëm, brenda 24 orëve, për dhënien e lejes dhe për llojin e saj.

1) Leja e veçantë jepet për shkak të sëmundjes së rëndë, që rrezikon jetën e prindërve, bashkëshortit / bashkëshortes, fëmijëve, motrës, vëllait të të burgosurit. Kërkesa për leje duhet të shoqërohet nga epikriza mjekësore e të sëmurit si dhe nga aktverifikimi i mjekut për epikrizën, etj..

2)Leja e veçantë jepet për shkak të vdekjes së prindërve, bashkëshortit/es, fëmijëve, motrave apo vëllezërve. Për lejet e veçanta, që jepen në rastet e vdekjes së anëtarit të familjes (prindër, bashkëshort/bashkëshorte, fëmijë, motër, vëlla), i burgosuri duhet të paraqesë tek drejtori i institucionit dokumentet provues, që provon lidhjen familjare të të burgosurit me anëtarin e familjes që ka vdekur, apo dhe certifikatën e vdekjes së anëtarit të familjes së të burgosurit, etj..

3)Leja e veçantë jepet për shkak të lindjes së fëmijëve, motrave apo vëllezërve të të burgosurit. Kërkesa për leje duhet të shoqërohet me dokumentacionin nga gjendja civile, që provon lidhjen familjare të të burgosurit me anëtarin e familjes si dhe me certifikatën e lindjes së anëtarit të familjes së të burgosurit, etj..

4)Leja e veçantë jepet për shkak të martesës së prindërve, fëmijëve, motrave apo vëllezërve të të burgosurve dhe martesën e vetë të burgosurit. Për lejet e veçanta që jepen në rastin e martesës së anëtarit të familjes ose vetë të burgosurit, ky i fundit duhet të paraqesë tek drejtori i institucionit certifikatën e martesës së anëtarit të familjes së të burgosurit, kërkesën për shpallje martese të lëshuar nga bashkia apo komuna, ku secili nga bashkëshortët e ardhshëm ka vendbanimin ose vendqëndrimin,etj.

Kriteret për “lejen shpërblyese”

Drejtori i burgut pasi shqyrton kërkesën dhe raportet e sektorit ligjor, kujdesit social dhe të sigurisë, brenda 24 orëve nga shqyrtimi, i kthen përgjigje me shkrim të burgosurit lidhur me refuzimin e motivuar ose miratimin e lejes shpërblyese. Njëkohësisht, thuhet në udhëzim se, bazuar në këto kërkesa të miratuara në parim, që plotësojnë kriteret ligjore për të përfituar leje shpërblyese, drejtori i burgut i dërgon shkresë Drejtorit të Përgjithshëm për të bërë planifikimin. Përfitimi i lejes ndodh:

1) Kur i burgosuri nuk ka paraqitur rrezikshmëri të veçantë shoqërore, brenda një viti nga paraqitja e kërkesës.

2) Kur gjatë vuajtjes së dënimit dhe në mënyrë të vazhdueshme i burgosuri ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie dhe korrektese në sjelljen e tij personale në marrëdhëniet me personelin e IEVP-së, si dhe në aktivitetet e organizuara nga institucioni.

3) Kur i burgosuri krijon besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit.

4) Kur i burgosuri tregon qëndrim korrekt dhe jo agresiv ndaj personelit të IEVP-së, si dhe ndaj vizitorëve që hyjnë në institucion dhe nuk ka kryer kundër tyre veprime, që sipas Kodit Penal konsiderohen vepra penale.

5) Kur i burgosuri ka respektuar afatet në rikthimin e tij në institucion, pas lejeve të mëparshme të dhëna.

6) Kur i burgosuri i bindet urdhrave të dhëna nga personeli i IEVP-së. g) Kur i burgosuri nuk ka nxitur apo nuk është përfshirë në rebelimin (revoltën) e të burgosurve brenda IEVP-së.

7) Kur i burgosuri nuk ka përdorur dhunë ndaj të burgosurve të tjerë apo punonjësve të institucionit, me qëllim pengimin e ushtrimit të detyrës apo të shërbimit.

8) Kur i burgosuri nuk ka tentuar më parë të largohet pa leje apo nuk është larguar nga vendi i qëndrimit të tij të detyrueshëm.

9) Kur i burgosuri nuk ka treguar neglizhencë në kryerjen e detyrave të caktuara nga personeli i IEVP-së.

10) Kur i burgosuri me sjelljen e tij nuk simulon në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore. 11) Kur i burgosuri nuk ka kryer akte apo vepra të tjera, të cilat cenojnë dukshëm qetësinë dhe moralin në IEVP.

12) Kur i burgosuri nuk ka mbajtur ose shpërndarë sende që mund të përdoren për të dëmtuar jetën, shëndetin, e personave të tjerë, sigurinë në institucion apo sende personale, që janë të ndaluara për t’u mbajtur në përputhje me nenin 17 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve.

13) Kur i burgosuri ka treguar administrim dhe kujdes të mirë për sendet apo pajisjet e institucionit, duke mos i dëmtuar apo përvetësuar ato.

14) Kur i burgosuri nuk ka treguar neglizhencë në higjienën dhe mbajtjen e pastër dhe të rregullt të tij, si dhe në mbajtjen pastër dhe në mënyrë të rregullt të dhomës dhe ambienteve të përbashkëta.

15) Kur i burgosuri nuk ka kryer aktivitete të tjera që janë të ndaluara në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve, si dhe në rregulloren e IEVP-së.

16) Kur i burgosuri nuk ka kryer veprime ose mosveprime, që kanë cenuar liritë dhe të drejtat themelore të të burgosurve të tjerë.