Terror, maskat masakrojnë dhe vjedhin në banesë të moshuarën

473
Sigal

Ngjarja gjatë natës. E moshuara u gjend në banesë në gjendje kome nga fqinjët

Vazhdon terror me armë e maska me qëllim grabitje në Fushë- Krujë. Maskat rrahin, lidhin me litar dhe më pas grabitin një 73-vjeçare. Burime zyrtare për gazetën “Telegraf” bënë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Milotit. Menjëherë pa denoncimit të bërë nga e moshuara Marie Çerri, policia lokale ka nisur hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Por deri në orët e vona të ditës së djeshme, nuk është arritur të identifikohen e arrestohen autorët

GRABITJA
Sipas burimeve mësohet se në orën 03:00 të ditës së djeshme, dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën e familjes Çerri, ku jetonte e vetme 73-vjeçarja Marie Çerri, fëmijët e së cilës janë në emigracion në Itali. Mësohet se, Maria ishte në gjumë, kur grabitësit kanë hyrë brenda dhe e kanë lidhur në krevat. “Isha në gjumë, kur dy persona me doreza dhe të maskuar në fytyrë kishin hyrë nga dritarja në banesën time. Ata erdhën në dhomën e gjumit ku isha unë. Njëri prej tyre qëndroi tek dera, ndërsa tjetri nisi të më godiste, ndërsa më kërkonte që t’i dorëzoja paratë. Pasi më rrahën, më lidhën duart dhe më mbyllën gojën që të mos kërkoja ndihmë. Dy hajdutët kontrolluan të gjitha dhomat dhe kthyen përmbys shtëpinë”, – ka deklaruar në polici, Marie Çerri. E moshuara ka pohuar se dy grabitësit i kanë marrë orën, sendet e floririt dhe gjëra të tjera me vlerë. “U tmerrova nga ajo çfarë ndodhi. Nuk kisha para në shtëpi. Lekët që më dërgojnë fëmijët që i kam në emigrim nuk i mbaj në banesë”, është shprehur 73-vjeçarja. Kanë qenë fqinjët e familjes Çerri që kanë konstatuar të parët grabitjen. “Në mëngjes konstatuam se dera e banesës së Maries ishte hapur. I thërrisnim, por ajo nuk përgjigjej. U bëmë merak, ndaj u futëm brenda. Në banesë ishte një rrëmujë e paparë. Në dhomën e gjumit gjetëm të lidhur 73-vjeçaren dhe në gjendje të rëndë psikologjike. Në fytyrë kishte shenja dhune nga grabitësit”,- kanë deklaruar fqinjët e të moshuarës.

POLICIA
Pas sinjalizimit për grabitjen, uniformat blu kanë shkuar tek banesa e 73-vjeçares Marie Çerri dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Policia ka marrë në pyetje të moshuarën dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Burimet e mësipërme sqaruan se Marie Çerri jeton e vetme në banesën e saj private që ndodhet në afërsi të poliklinikës së qytetit të Milotit. Po në të njëjtën ditë, banorët e Fushë -Krujës e rrethinave u terrorizuan nga dy shpërthime të njëpasnjëshme me tritol në mesnatë, në harkun e pak minutave.

Terror, shpërthim me tritol në dy banesa

FUSHË-KRUJË – Dy shpërthime me eksploziv janë regjistruar gjatë natës që shkoi në Fushë-Krujë. Mësohet se, eksplozivi ka shpërthyer në një automjet që ishte parkuar në oborrin e një banese private në lagjen “Adem Gjeli”, e cila rezulton në pronësi të Mereme Sheles, ndërsa shpërthimi tjetër ka ndodhur pak minuta më vonë në murin rrethues të banesës së biznesmenit David Zogu në Larushkë. Nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa policia arrestoi autorin e dyshuar të sulmeve, Ilir Hyska. Nga hetimet e policisë rezulton se shkak i shpërthimeve kanë qenë konfliktet e pronësisë.  Shpërthimet me eksploziv në Fushë- Krujë janë kthyer në një fenomen shqetësues. Dy ditë më parë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi inspektuan Komisariatin e Policisë së Fushë-Krujës, i cili është sulmuar dy herë me eksploziv brenda një muaji e gjysmë.

 Pazaret e drogës, ekzekutohet “bosi” i Lazaratit

 GJIROKASTEREkzekutohet me armë dhe hidhet në rrugë ‘bosi” i drogës në Lazarat, ndërkohë, shkak i vrasjes mendohet prishja e pazareve të ‘miellit të bardhë’. Policia e Gjirokastrës ka bërë me dije se, Shpendi Basha, 25 vjeç është vrarë në rrugë me armë zjarri. Viktima është gjetur nga një bari në Kërcullë të Gjirokastrës. Sipas bluve të Gjirokastrës, viktima njihej si kultivues lëndësh narkotike. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Burime për “Telegraf”, bëjnë me dije se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 të ditës së djeshme. Viktima e identifikuar tashmë dhe nga policia ishte nga Lazarati. 25-vjeçari është gjendur i vdekur në pikën më të lartë të kësaj zone, në afërsi të Kërcullës. Në bazë të informacioneve, viktima ishte kontingjent i njohur edhe për policinë e Gjirokastrës. Sipas ekspertizës, Shpendi Basha ishte qëlluar me pistoletë të kalibrit të vogël në kraharor, duke gjetur vdekjen menjëherë. Viktima u dërgua në morgun e Gjirokastrës. Sipas të dhënave të policisë, mendohet se, pista kryesore e kësaj ngjarje është prishja e pazareve të “biznesit” të lëndëve narkotike. Deri në orët e vona të ditës së djeshme, policia nuk ka asnjë të akuzuar për këtë atentat.

 Kapen me armë luftarake e fishekë, 3 në pranga

 GJIROKASTER – Ditën e djeshme,  policia e Gjirokastrës, e mbështetur edhe nga dy grupe të FNSH-së, sekuestroi një arsenal armësh dhe municionesh dhe vuri në pranga tre persona. Mësohet se, shtetasve Oltjan dhe Ylber Imaj dhe Taulant Dauti, iu gjetën në makinë 18 predha granatë-hedhëse, 3 armë dhe 1500 fishekë kallashnikovi. Konfirmohet se, këta tre shtetas po udhëtonin me një automjet në rrugën nacionale, brenda të cilit kishin fshehur arsenalin e armëve. Ata janë përpjekur t’i shmangen policisë, e cila pas rreth 2 orësh ka bërë të mundur ndalimin e tyre. Ndërkohë, policia po punon për të zbardhur prejardhjen edhe destinacionin e armëve. Konfirmohet se armët e bllokuara në vlerën e provës do i nënshtrohen analizave laboratorike të kriminalistikës, për të verifikuar nëse janë përdorur në vrasjet pa autor.