Komisariati nr.6, “çerdhe” e shkelësve të ligjit

1238
Sigal

Komisariati nr. 6 në Tiranë s’është gjë tjetër veçse një çerdhe dhunuesish dhe mbrojtësish të shkelësve të ligjit. Ky është perceptimi i qytetares Marjana Polena, e cila denoncon në “Telegraf” dhunimin e pësuar nga efektivët e Komisariatit nr.6 Tiranë. Sipas saj, efektivi Dashamir Llanaj, për të mbrojtur një shkelës të ligjit, ka ushtruar dhunë mbi të dhe vëllanë e saj Vangjelin. Qytetarja mendon se në radhët e efektivëve të Komisariatit nr. 6 ka persona të cilët janë përlyer në afera korruptive, ndaj shpeshherë nuk dalin në mbrojtje të së drejtës. Znj. Polena, tregon sesi rrodhën ngjarjet, që ajo sot detyrohet të bëjë këtë denoncim në median e shkruar.

Ngjarja

Qytetarja Marjana Polena zotëron dy objekte në ish pularinë e Vaqarrit, një magazinë dhe një ish stallë të certifikuar, në pronësi toke dhe objekti. “Personi, i quajtur Avdyl Zgura (bashkë me të birin Ervis Zgura) kishte bërë një ndërtim të paligjshëm me mure rrethuese në hyrje të pronës sime të ligjshme, duke bllokuar rrugët funksionale të ish pularisë”, thotë znj. Polena. Për këtë padrejtësi ajo kishte paraqitur ankesën e saj në institucionet përkatëse dhe INUK doli me vendimin nr. 09, datë 11.02.2014 për prishjen e mureve që ishin ndërtuar pa leje nga z. Zgura. Pas ekzekutimit të vendimit të INUK, znj. Polena i la një afat kohor z. Zgura për heqjen e inerteve, që në fakt nuk i hoqi asnjëherë. Kështu, znj Polena u detyrua që të shkonte vetë në pronat e saj për të bërë pastrimin e inerteve. Këtu lindi dhe kontradikta, që degjeneroi në një çështje penale në Gjykatën e Tiranës.

Konflikti

Ishte data 23 shkurt dhe ndërsa znj. Polena së bashku me vëllanë e saj dhe 3 persona të tjerë ishin duke pastruar inertet nga prishja e INUK-ut, papritur vjen një patrullë policie e Komisariatit nr.6, e lajmëruar nga Ervis Zguro. Policët e patrullës Dashamir Llanaj dhe Jashar Musteqja, sipas Marjana Polenës, kanë kërkuar që t’i shoqërojnë të gjithë të pranishmit në Komisariat, gjë që është kundërshtuar nga ajo, pasi ata thjeshtë po pastronin pronën e tyre dhe nuk po bënin asgjë të kundraligjshme, përkundrazi “shoku” i policëve, Ervis Zguro, kishte vepruar kundra ligjit, gjë e cila vërtetohet dhe me vendimin e INUK-ut. Gjithsesi, duke ushtruar edhe dhunë fizike (e vërtetuar edhe nga fotografitë), policët shoqërojnë në komisariat vëllanë e Marjanës dhe e mbajnë me orë të tëra. Përpos faktit se efektivi i Komisariatit nr.6 Dashamir Llanaj, mori me dhunë Vangjel Polenën (vëllanë e Marjanës) duke e mbajtur atje me orë të tëra, edhe ka gënjyer organet e drejtësisë, pasi, sipas denoncimit të qytetares, ka hapur një procedim penal, duke bërë akuzë false sikur ka pësuar dhunë nga znj. Marjana Polena. Në realitetin shqiptar ndodh dhe kështu, që nga i dhunuar të përfundosh në gjykatë si dhunues. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk ka asnjë provë (akt mjeko-ligjor) që efektivi i Komisariatit nr.6 Dashamir Llanaj të jetë dhunuar nga zonja Marjana Polena. Ndaj oficerja e Policisë Gjyqësore T. H. ka sugjeruar pushimin e procedimit penal nr.2111 të vitit 2014. Çuditërisht, Prokuroria vazhdon me këtë çështje, edhe pse nuk ekzistojnë provat për të vijuar më tej. Por, sipas qytetares Polena, Zgurot “kanë ngjyer rrotën”, se përndryshe kjo çështje do të ishte pezulluar me kohë.

Muri i prishur nga INUK, ngrihet përsëri

Marjana Polena tregon se edhe pse INUK, nëpërmjet një vendimi, e prishi murin rrethues të ngritur nga familja Zguro, si të paligjshëm, ata po përsërisin të njëjtin veprim pa u ndaluar nga askush. Kjo tregon dhe një herë se antiligji është pjesë e realitetit shqiptar dhe, për më tepër, mbrohet nga policia dhe nga pushteti vendor. Marjana ngre shumë pikëpyetje me denoncimin e saj. A është i aftë kryetari i komunës Vaqarr, z. Genti Myrtaj për të kontrolluar dhe menaxhuar sipërfaqen territoriale të komunës që ai drejton? Në fakt, z. Myrtaj është i përfolur edhe në media që jo vetëm “i shet e tjetërson pronat, por i le edhe në bixhoz”. Po policët e zonës, a e bëjnë si duhet detyrën e tyre dhe të çojnë para ligjit këdo që e shkel atë? Tashmë që kanë hyrë në fuqi ndryshimet e fundit të Kodit Penal, kush ndërton pa leje, qoftë edhe në pronën e vet dënohet me burg. A e shohin murin e ngritur rishtaz në hyrje të pronës së Mariana Polenës, efektivët e Komisariatit nr.6 dhe punonjësit e komunës Vaqarr?

Kush janë ata që ngrenë mure, në kundërshtim me ligjin, në ditën me diell?

Familja Zguro (babë e bir) e sfidon hapur ligjin dhe vazhdon ta bëjë dhe sot e kësaj dite, edhe pse para një viti INUK e penalizoi, duke i prishur murin rrethues që kishte ngritur në hyrje të pronës së qytetares Polena. Meqë Avdyl Zguro vuan dënimin në burg për plagosje të një qytetari, veprimet e paligjshme (ndërtimet pa leje të mureve rrethuese) sot i vijon i biri. Gjithashtu, duhet të theksojmë këtu, se OSHEE ka bërë kallëzim penal për këtë familje, për vjedhje të energjisë elektrike. Debia e familjes Zguro në OSHEE mësohet të jetë 72 milionë lekë. Kjo është familja, e cila mbrohet sot nga efektivët e Komisariatit nr.6 dhe komuna Vaqarr.

Po kush është efektivi i Komisariatit nr.6?

Sipas qytetares Mariana Polena, efektivi i Komisariatit nr.6, Dashamir Llanaj nuk ka sesi të jetë i besueshëm për organet e drejtësisë, pasi ai ushtron këtë profesion me dëftesë false (Pra, ai ka gënjyer përsa i takon arsimimit të tij. Ndaj, pse duhet të jetë i besueshëm nga organet e drejtësisë në akuzat e tij?). Përpos kësaj, më herët, z. Llanaj është proceduar penalisht. Ai ka bërë vetëm 2 muaj burg (?), edhe pse i ka marrë jetën një qytetari në një aksident te “Misto Mame”.