Nëse vlerësohet 2 herë radhazi me “i pamjaftueshëm”, gjyqtari shkarkohet

449
Sigal

Ministria e Drejtësisë/ Projektligji për vlerësimin e gjyqtarëve, gati për në Parlament

Ministria e Drejtësisë, pas fazës së konsultimit me të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, grupet e interesit po bën gati për në Parlament projektligjin për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve. Në ndryshim nga sistemi aktual, sistemi i ri i vlerësimit përqendrohet në vetëvlerësimin e gjyqtarit, i cili bëhet i detyrueshëm, duke kombinuar në këtë mënyrë bashkë-ekzistencën ndërmjet vlerësimit dhe vetëvlerësimit, duke siguruar që vlerësimi të jetë objektiv dhe transparent. Kriteret e vlerësimit janë aftësitë gjyqësore; aftësitë organizative; etika dhe angazhimi ndaj vlerave të gjyqësorit si edhe aftësitë njerëzore dhe angazhimi profesional. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë do të vlerësohen nga kryetari i Gjykatës së Lartë, duke përdorur për analogji kriteret dhe për aq sa është e mundur procedurat e përcaktuara në ligj. Projektligji përcakton që çdo gjyqtar dhe kryetar gjykate vlerësohet së paku një herë në 2 vjet. Projektligji për vlerësimin e gjyqtarëve është përgatitur nga një grup i përbashkët pune me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Unioni i Gjyqtarëve, kryetarë gjykate, gjyqtarë si dhe përfaqësues të misionit të BE-së, EURALIUS IV.

 Kriteret e vlerësimit të gjyqtarëve

1. Vlerësimi kryhet sipas kritereve më poshtë: a) Aftësitë gjyqësore; b) Aftësitë organizative; c) Etika dhe angazhimi ndaj vlerave të gjyqësorit; dhe ç) Aftësitë njerëzore dhe angazhimi profesional.

 Burimet e vlerësimit

1. Vlerësimi bazohet në burimet e mëposhtme:

a) dosjen personale të gjyqtarit;

b) të dhënat statistikore, sipas përcaktimit nga nenet 9-11 të këtij ligji.

c) dosjet e përzgjedhura me short për vlerësim dhe zvarritje, duke përfshirë edhe regjistrimet e seancave me mjete të regjistrimit audio ose audiovizive. Dosjet duhet të sigurojnë një përfaqësim të plotë të llojit të çështjeve të gjykuara dhe në çdo rast, numri i dosjeve të përzgjedhura nuk duhet të jetë më i lartë se 21;

ç) vetëvlerësimi i gjyqtarit dhe vendimet e paraqitura prej tij. Në çdo rast, numri i vendimeve të paraqitura nuk duhet të jetë më i lartë se 4 në vit;

dh) mendimi i kryetarit të gjykatës;

d) të dhënat mbi ankesat e paraqitura ndaj gjyqtarit në periudhën e vlerësimit;

dh) informacion me shkrim nga Shkolla e Magjistraturës apo institucione të tjera që tregon pjesëmarrjen dhe aktivizimin e gjyqtarit në aktivitete trajnuese;

e) vendimin disiplinor përfundimtar ndaj gjyqtarit;

ë) kundërshtimet e gjyqtarit dhe procesverbalet eventuale të seancave dëgjimore të tij gjatë procesit të vlerësimit;

f) çdo e dhënë tjetër, që tregon ngritjen profesionale të gjyqtarit.

VLERËSIMI

Njoftimi për vlerësimin

1. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, jo më vonë se muaji nëntor i çdo viti përcakton listën e gjyqtarëve dhe të kryetarëve të gjykatave të cilët do të vlerësohen përgjatë vitit pasardhës dhe periudhën e vlerësimit. Vendimi publikohet në faqen zyrtare të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

2. Këshilli i Lartë i Drejtësisë njofton në kohën e duhur kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët që do të vlerësohen sipas listës së miratuar sipas pikës 1 të këtij neni.

Vetëvlerësimi i gjyqtarit

1. Gjyqtari brenda 3 javëve nga marrja e njoftimit sipas nenit 20 të këtij ligji, bën vetëvlerësimin profesional dhe etik të punës së tij, nëpërmjet të cilit gjyqtari:

a) përshkruan veprimtarinë e tij dhe bën një vlerësim të përgjithshëm të kësaj veprimtarie dhe deklaron mbi veprimtarinë e tij në lidhje me kriterin e vlerësimit;

b) paraqet një analizë të të dhënave statistikore mbi veprimtarinë gjyqësore të tij;

c) tregon nevojat e tij për trajnim;

ç) përcakton objektivat për përmirësimin e tij profesional;

d) përshkruan hapat që ka ndërmarrë për përmbushjen e objektivave që ka përcaktuar në vlerësimin e mëparshëm;

dh) përshkruan masën në të cilën këto objektiva janë përmbushur duke dhënë edhe shpjegimin përkatës;

e) përshkruan rrethanat që e kanë penguar për ngritjen profesionale dhe formulon propozimet konkrete për zgjidhje.

2. Gjyqtari është i detyruar të dorëzojë vetëvlerësimin pranë kryetarit të gjykatës, ku ushtron detyrën, brenda 3 javëve nga marrja e njoftimit sipas nenit 20 të këtij ligji.

3. Në çdo rast, vetëvlerësimi i gjyqtarit, duhet të shoqërohet me 8 vendime të përzgjedhura nga vetë gjyqtari, dokumente që tregojnë angazhimin në aktivitetet profesionale ndërinstitucionale gjatë periudhës së vlerësimit dhe trajnimet jashtë programit të Shkollës së Magjistraturës. Gjyqtari duhet të tregojë përmbajtjen dhe kohëzgjatjen e aktivitetit, si dhe të dhëna mbi institucionin që ka organizuar aktivitetin.

Mendimi i kryetarit të gjykatës

1. Kryetari i gjykatës ku ushtron veprimtarinë gjyqtari që vlerësohet jep një mendim mbi veprimtarinë e gjyqtarit.

2. Mendimi i kryetarit të gjykatës, përshkruan veprimtarinë e gjyqtarit, duke dhënë vlerësimin e tij mbi veprimtarinë e gjyqtarit në raport me kriteret e vlerësimit të përcaktuara në këtë ligj, sidomos për ato kritere ku kryetari i gjykatës ka një vlerësim të ndryshëm nga vetëvlerësimi i gjyqtarit. Gjithashtu, mendimi i kryetarit të gjykatës përfshin një analizë të të dhënave statistikore të veprimtarisë së gjyqtarit.

3. Mendimi i kryetarit të gjykatës i njoftohet gjyqtarit brenda 4 javëve nga marrja e njoftimit sipas nenit 20 të këtij ligji.

4. Brenda 3 (tre) ditëve nga njoftimi i mendimit, gjyqtari, ka të drejtën të kërkojë të dëgjohet nga kryetari.

5. Gjyqtari dëgjohet nga kryetari i gjykatës brenda 2 javëve nga depozitimi i kërkesës. Kryetari i gjykatës dokumenton seancën dëgjimore me procesverbal, i cili i bashkëlidhet mendimit të kryetarit.

6. Jo më vonë se 2 muaj nga data e njoftimit sipas nenit 20 të këtij ligji, kryetari i gjykatës jep mendimin përfundimtar mbi veprimtarinë e gjyqtarit, që përfshin edhe vlerësimin e kundërshtimeve eventuale të gjyqtarit.

 Vendimi për vlerësimin

1. Këshilli i Lartë i Drejtësisë fton gjyqtarin e interesuar, kryeinspektorin dhe sipas rastit edhe persona të tjerë në një seancë dëgjimore me kërkesë të gjyqtarit dhe nëse kjo është e nevojshme për të sqaruar faktet.

2. Nëse gjatë marrjes së vendimit mbi vlerësimin pretendohen dhe verifikohen gabime materiale apo procedurale, ose të dhëna të tjera të nevojshme, të cilat mund të ndikojnë në nivelin e vlerësimit dhe që nuk mund të korrigjohen aty për aty për shkak të nevojës për mbledhjen e dokumenteve të tjera, Këshilli i Lartë i Drejtësisë urdhëron korrigjimin e tyre nga Inspektorati dhe paraqitjen e projekt-vlerësimit në mbledhjen e radhës.

3. Këshilli i Lartë i Drejtësisë miraton vlerësimin përfundimtar. Në rast se Këshilli vlerëson gjyqtarin në një nivel të ndryshëm nga ai i propozuar, atëherë ai arsyeton shkaqet e ndryshimit.

4. Kur një gjyqtar është vlerësuar dy herë radhazi me “I pamjaftueshëm” atëherë ai shkarkohet nga detyra për “pamjaftueshmëri profesionale”. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kryesisht merr vendimin për shkarkimin nga detyra kur vendimi i vlerësimit profesional dhe etik bëhet përfundimtar dhe kur Këshilli arrin në përfundimin e sigurt që gjyqtari është i paaftë ose nuk dëshiron të kryejë detyrat e tij sipas standardeve të pranueshme minimale për veprimtarinë gjyqësore;

5. Këshilli i Lartë i Drejtësisë publikon ekstrakte të projekt-vlerësimit dhe të vendimit të vlerësimit, të cilët pasqyrojnë të dhënat statistikore, analizën e të dhënave dhe nivelin e vlerësimit dhe arsyetimin për të duke siguruar gjithashtu mbrojtjen e konfidencialitetit dhe të dhënave personale;

6. Gjyqtari ka të drejtë të ankimojë vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vlerësimin në Gjykatën e Lartë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit.

7. Projekt-vlerësimi, vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe vendimet gjyqësore eventuale përfshihen në dosjen individuale të gjyqtarit.