Viso, edhe 2 paketa të tjera për Reformën në Drejtësi

159
Sigal

Ja si Vettingu që mbushi gjykatat me emërimet nepotike, hetues të komunizmit dhe mësues të marksizëm-leninizmit, dështoi të godas zyrtarët e lartë.  Reforma në Drejtësi ka gllabëruar deri tani mbi 125 milion euro të taksapaguesve të SHBA dhe BE-së, me kushtin që Vetting-u të nxirrte një drejtësi të pavarur nga politika dhe  shtetarët në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Lirimi i Tahirit nga gjyqtarja që kaloi vettingun para 4 ditësh, loja me arrestimin e sekretares së Manastirliut dhe sondazhi i Komitetit të Helsinkit ku mbi 63% e shqiptarëve nuk besojnë te Reforma në Drejtësi.

Reforma në Drejtësi ‘gllabëron’ deri tani rreth 125 milion euro të taksapaguesve, që Vetting-u të nxirrte një kastë gjyqtarësh të pavarur, të pafrikësuar që t’i bëjnë ballë presioneve të qeverisë së sotme e të nesërme, që të luftojë korrupsionin pa kompromis. Por emërimet nepotike dhe vendosja në krye e ish-hetuesve të komunizmit janë kthyer në këmbë alarmi, pasi janë lehtësisht të shantazhueshëm dhe kanë ulur besimin e qytetarëve te drejtësia. Njerëzit hallexhinj mbetën dyerve të gjykatave dhe në një sondazh të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, rezulton se 63% e shqiptarëve nuk besojnë te Reforma në Drejtësi.

Koha tregoi se Reforma në Drejtësi dështoi, pasi që në fillesën e saj, ajo kishte si qëllim primar selektimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nuk kullosnin në ‘kuzhinën e rilindjes’ dhe se nuk do të pranonin apo të heshtnin. Rasti më i afërt është lirimi i ish –ministrit Tahiri nga gjyqtarja që kaloi para disa ditësh Vettingun, fakt që ngre hije dyshimi për një pakt me djallin. Të tilla veprime, ku ministrat ia hedhin paq tregojnë kapjen e drejtësisë e ‘groposjen’e shtetit ligjor në Shqipëri.

Ndërkombëtarët kërkuan dosjen e lirimit të Saimir Tahiri dhe në mënyrë paradoksale u shprehën të zhgënjyer nga ky sistem drejtësie, a thua nuk ishin aty duke propaganduar arritjet e mëdha të Vettingut? Teksa asnjë propagandë as në shqip as në anglisht nuk hedh dot poshtë faktet kokëforta të kolapsit në drejtësi, ku një dosje civile do i duhen 6-7 vite për t’u gjykuar.

Kur u dënua me 3 vite e 4 muaj burg, policia vendosi prangat në duart e ish-ministrit Tahiri. Avokati i tij Maks Haxhia live para medias kishte hallin e cigareve “ O Viso, o Viso, çoji dy paketa cigare aty. Për Saimirin kërkova dy paketa cigare”- tha Maks Haxhia. Tani drejtësisë së re i duhet 2 paketa për të mbuluar tymnajën e dështimit të radhës.

01-Skandali i drejtësisë së re: Tahiri u lirua për t’u kujdesur për fëmijët

Lirimi i Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm, i dënuar për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj, ka ardhur me argumentin e dy akt-ekspertizave mjekoligjore, njëra për gjendjen shëndetësore të tij dhe tjetra për bashkëshorten. 1 vit, 7 muaj e 11 ditë i kanë mbetur nga shlyerja e plotë e dënimit që do ta kalojë në arrest shtëpie. Sipas mbrojtjes së Tahirit, e cila prej 6 muajsh insiston për nxjerrjen e tij nga qelia, Tahiri duhet të kujdeset për fëmijët e mitur. Shqyrtimi i akt-ekspertizës u bë këtë të premte në sallën e gjyqit në orën 9:00. Në akt-ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët. Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, u pranua këtë të premte. Ndërkohë, situata për familjen e tij është rënduar sipas avokatëve të Tahirit dhe nga vdekja e babait të ish-ministrit pak kohë më parë. Për akt-ekspertizën e parë thuhet se Saimir Tahiri ka pasur edhe probleme shëndetësore dhe për një periudhë kohe ka qëndruar në spitalin e burgut për shkak të një rrëzimi që ka pasur në ambientet e burgut kur ka qenë në ajrim. Si element që çoi në lirimin e Tahirit ishte edhe fakti për sjelljen e tij të mirë në burg.Tahiri u dënua me 3 vjet e katër muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, mbasi gjatë kohës në krye të dikasterit të rendit Habilajt kultivuan kanabis sativa.

02- Berisha: Tahiri u lirua pas ultimatumit që i dha Ramës se do zbërthente lidhjet e tij dhe Olsit me bandat

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, komentoi edhe lirimin nga burgu të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.“Saimir Tahiri u lirua me urdhër të Edi Ramës me ultimatumin, që i çoi se është dita e durimit, përndryshe do zbërthej të gjitha lidhjet e Olsit dhe Edit me bandat që nga Meksika deri në Afrikë të Jugut. Kështu që është një urdhër direkt i Edi Ramës. Saimir Tahiri ia dha këtë ultimatum botërisht. I keni parasysh deklaratat e tij? Më në fund ai arriti ta mposhtë Edi Ramën, i cili tani është i ngërthyer në aferën McGonigal. Po bën lobimin më të fuqishëm, por nuk do të shpëtojë dot me gjithë angazhimin e Soros dhe miqve të tij. Unë kam bindjen se drejtësia amerikane do i tregojë vendin këtij korruptori të McGonigal,” -tha Berisha.

03- Kaloi Vetingun 4 ditë më parë! Kush është gjyqtarja që liroi nga burgu Tahirin?

Vendimi për lirimin e ish-ministrit të Brendshëm u mor nga Gjyqtarja e Elbasanit Matilda Fetau, e cila vendosi të pranojë kërkesën e mbrojtjes së Tahirit pas paraqitjes së disa raporteve mjekësore, duke liruar kështu nga qelia ish-ministrin.

Po kush është Matilda Fetau?

Matilda Fetau u përball të hënën me 29 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku dha shpjegime për barrën e provës së pasurisë. Procesi i Vetingut për gjyqtaren Fetau u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ëillem Broëer.Analiza financiare e gjyqtares Fetau ka rezultuar me bilanc pozitiv, kështu në përfundim, gjyqtarja Matilda Fetau u konfirmua në detyrë nga trupa e KPK. Matilda Fetau përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi u emërua në Gjykatën e Rrethit Elbasan, ku vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht funksionin.

04- Bastisen zyrat e PS-së në Kavajë! Dyshohet se kishin lojëra fati

Disa zyra të Partisë Socialiste, në Kavajë janë bastisur këtë të premte nga policia, pasi dyshohet se ushtronin aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit. Nga raportimet mediatike, mësohet se policia ka ushtruar kontrolle rreth 30 minuta në këto zyra pasi dyshohej se mund të kishte pajisje të lojërave të fatit. Mësohet se kur është bërë kontrolli nga policia në zyrën e PS ka qenë kryetari dhe disa anëtarë të strukturave të PS.