Kadri Roshi – Gjeniu i skenës dhe kinematografisë shqiptare

225

Flasin Tinka Kurti, Enver Petrovci, Mevlan Shanaj, Luftar Paja

Sigal

Vlerësuar “Nder i Kombit” dhe”Kalorës i Artë“, Kadri Roshi.

Aktori i madh ka lindur në një shtëpi në hyrje të qytetit të Ballshit, qendër e trevës së Mallakastrës. më 4 janar të vitit 1924. Heroizmi i atyre njerëzve, që luftuan kundër zgjedhës osmane, Rrapo Hekali, Hajredin Fratari, Ismail Klosi dhe heronj të Luftës Çlirimtare të Mallakastrës martire si Ramis Aranitasi, Dervish Hekali, Dino Kalenja, e të tjerë, të cilët u bënë të pa ndarë në përjetësinë e historisë të kësaj treve të përjetshme.Vitet që do të trokisnin më pas ,do të pësonin ndryshime në jetën e tij. Madje shumë shpejt Kadriut do t’i duhej të përballej me dallgët e jetës. Pa mbushur ende 13 vjeç atij i vdes e ëma. Tjetër ngjarje tronditëse do të përjetoj ai tre vjet më pas. Në moshën 16 vjeçare i vdes dhe i ati. Në fillim nis të punojë si pastrues në kinema “Gloria” dhe më pas si prerës biletash madje ndonjëhere dhe si sufler në Teatrin Popullor sot Teatri Kombëtar “Kadri Roshi. Në mënyrë disi të fshehtë ai ngjitej në skenë, ku deri vonë mësonte rolet që aktorët i kishin interpretuar më parë. Të njëjtin ritual Kadriu do të bënte shpesh në kodrat e liqenit artificial të Tiranës. Për t’u ngjitur në skenë atij iu desh të rrëzohej dy herë nga konkurimi si i paaftë. Për herë të tretë për çudinë e jo pak artistëve, në konkurim gagaçi thatim u bë hezber. Zotërues të denjë të skenës shqiptare Mihal Popi, Besim Levonja, Lazër Filipi, Marie Logoreci, Andrea Malo e të tjerë për jetimin zbritur vargmaleve të Mallakastrës të befasuar me artin që mbizotëronte brënda shpirtit të artistit të ardhshëm do të deklaronin:”Po ky qenka artist i vërtetë! Taleni i tij shpërthyes befason. Me autorësinë si student i aktrimit për pesë vjet në Kroaci dhe më pas në Çeki, Kadri Roshi ka privilegjin e njohjes dhe prekjes nga afër të skenave ruse, të Shën Petërsburgut, Parisit, Vjenës, Stambollit, Romës, Brukseli, Athinës, Prishtinës… Ndonëse i “graduar “me diploma, tituj e vlerësime, duke u ngjitur sukseshëm shkallëve të karrierës së tij artistike, si “Artist i merituar”. “Artist i Popullit”, Ai mundi të prek lavdinë që jep medalja e artë “Nder i Kombit” dhe “Kalorës i Artë”. Eshtë pikërisht ai, protagonisti i më se njëqind e tridhjetë roleve të luajtur në skenë dhe filma, “Nder i Kombit” Kadri Roshi.Ndërsa sytë tanë rrëshqasin dhe kamera “përtyp”, disa prej roleve të tij në kryevepra si “Hamleti”,”Procesi i Lajpcingut”,”Arturo Ui’,”Dhelpra dhe Rrushtë “, “Epoka Para Gjyqit”, si dhe duke ecur më tej udhëve të galerisë së pasur të tij, me personazhe e karaktere të spikatur,si “Kujdestari” tek filmi “Lulëkuqe mbi mure”,”Murat Bënça” tek filmi “Këshilltarët”,”Jonuz Bruga” tek drama “Familja e peshkatarit’,”Frati” tek “Romeo e Zhuljeta”,”Parandili” tek filmi “Gjeneral Gramafon”…që me të drejtë zënë vëndin e tyre të merituar në panteonin e artit shqiptar. Kadri Roshi dhe bashkëshortja e tij e nderuar Drita, dhe pjesëtarë të familjes së tij na prisnin për vizitën që ne do të bënim në shtëpinë e artistit. Posa hyjmë në dhomën e pritjes Kadriu buzëqesh dhe na uron me buzë në gaz mirëseardhjen në shtëpinë e tij. Artistit i flet zemra. Këtë ai e shpreh nëpërmjet intervistës së mëposhtme, zhvilluar në shtëpinë e tij. Në ditët e para të janarit kur artisti ynë do të mbush 83 vjeç .

Profesor, çfarë përbën për ju”gradimi” i titujve, deri tek ai në poltrononin e perandorit të skenës dhe kinematografisë shqiptare?

(Byzëqesh lehtë).Eshtë super gradë kjo që më dhatë juve. Duke u shprehur për këtë vlerësim për të diskutuar këtë, mendoj se ende nuk ka ardhur koha dhe vendi i përshtatshëm. Më duket se po më vlerësoni shumë. Them se më mirë t’ja lëmë kohës.

Si keni arritur që shkallët e karrierës t’i ngjisni sukseshëm?

Eh ! Eshtë një rrugë e gjatë kjo, një histori mbushur me gëzime, zhgënjime, tek-tuk dhe ndonjë hidhërim. Për t’u ngjitur deri këtu, rrugën nuk e kam patur aspak të lehtë. Kam çarë me shumë vështirësi, deri sa munda të arrij të jem ky që jam sot.

Spektatori mbarëshqiptarë midis mjaft roleve tuaja, si maja të repertorit tuaj kujton shpesh dhe vlerëson rolin e “kujdestarit”, “Otellos”,”Parondilit”, ‘Murat Bënça”, “Arturo Ui”…Mendoni dhe ju kështu profesor?

Kjo është e drejta e spektatorit të përzgjedh nga shporta e roleve të mija, se cilët prej roleve i pëlqen më shumë. Të them të drejtën unë akoma nuk kam mbritur në një analizë të përgjithshme, të ecurisë së karrierës sime artistke, por duke e shtyrë këtë gjë nga dita në ditë, them se ka ardhur koha, për të bërë një gjë të tillë.

Profesor, cili është motivi që ju ka ngacmuar shpesh,për të luajtur sërish pas shumë kohësh Arturo Uin?

Jam i bindur se do e luaja edhe më mirë se herën e parë. Për mua kjo do të ishte prova e dytë dhe padyshim Arturo Uin ,do t’i jepja të tjera vlera të reja.

Profesor Kadriu. Disa herë keni qenë në krye të jurisë në disa festivale kombëtare dhe ndërkombëtare të trupave teatrore. Mendoni se sot teatri po ngjitet sërish në vendin që ai meriton?

Dua tju them sinqerisht, se festivale të tilla, në veçanti ato në Tiranë, Fier, Elbasan, Shkup, Sarandë, Gjakovë, janë festivale të nivelit të lartë. Dihet se teatri shqiptar ku ka ende probleme që kërkojnë zgjidhje, po kryen një rol tepër të rëndësishëm. E rëndësishme është që çdo trup, aktor po i largohen banaliteteve, të cilat jo pak herë janë shfaqur në komedi apo dramaturgjinë kombëtare shqiptare. Janë ato role shqiptare, të cilat më kanë bërë  mua ai që jam sot.

Si përjetohet trinomi Kadriu, Arti dhe Peshkimi?

Ndjehem i lumtur që ky trinom vazhdon të jetoj prej dekadash e vitesh si një trup i vetëm. Ashtu si Arti dhe Peshkimi, për mua mbeten një pasion, hobi e shenjtë. Kur shkoj për peshk, them se sa shpejt zbardhi, apo se sa shpejt u ngrys. Janë dy kohë që nuk akordojnë dot në mes tyre.

Profesor.Përse jeni shprehur se nuk dua të vdes pa luajtur në skenë figurën madhore të Ali Pashë Tepelena ?

Jam shprehur jo në pak raste me këto fjalë.Patjetër që Ali Pasha Tepelena, është një perandor i pa zvëndësueshëm, madje unë do e quaja atë kryeperandor.Personalisht unë ndjej dobësi për këtë figurë historike, rrethuar me të mirat dhe të këqijat e tij. Ka bërë shumë zullume ai, por unë do e pranoj atë ashtu siç është.Dua të them se Ali Pashë Tepelena, mbetet një kryevepër artistike.

Nëse do ju kërkonim një mesazh drejtuar publikut artdashës shqiptar , cili do të ishte ai?

Dëgjoni. Nuk më vjen keq për aq sa kam jetuar, i rrethuar plot respekt e lavdi nga njerëz të mirë, por edhe tek-tuk nga ndonjë, që nuk më ka dashur. Por pak vlerë ka kjo e fundit. Sidoqoftë për të gjithë njerëzit, kam për detyrë të ruaj respekt. U jam mirënjohës publikut të mrekullueshëm artdashës. Për dashurinë e pafundme ndaj artit jam munduar të bëj për aq sa kam arritur. Arti s’ka fund. Arti është i bukur, është tokë, është ajër, është qiell. Arti është Jetë!

Njerëz të artit në vlerësimin e figurës të “Nder i Kombit” KADRI ROSHI.

(Intervistat e mëposhtme pjesë e dokumentarit)

TINKA Kurti: “Nder i Kombit”.

Mund të them se partneriteti im me aktorin Kadri Roshi, është i hershëm, qysh në filmin e parë shqiptar “Tana”. Për mua mbetet një koleg e partner i mrekullueshëm dhe i jashtëzakonshëm. Kur Kadriu mbushi 80 vjeç, midis atyre që duhej të flisnin për të, isha dhe unë. Midis të tjerave u shpreha se kur ne luanim në filmin”Tana”, Kadriu u bë si i çmëndur,o do të më merte mua për grua o s’ka. Në çast ku kishte të ftuar dhe personalitete të ndryshme nisën reagimet e çuditshme, derisa dikush mendoj se kjo grua qënka e çmëndur që po flet kështu. Duke qeshur vazhdova, në film more e kam dashur dhe do ta dua përjetë. Ate çast publiku pa në ekran Kadriun duke thirrur:”Tanaaa, të dua për nuse..”dhe unë i thosha: O Lefter po nuk të dua ore, të kam thënë njëqind herë”. Dëgjo! Ne aktorët e vjetër e kemi dashur dhe e duam shumë njeri tjetrin. Ne jemi si ata shoferët, që lajmëronin me sinjal drite, kujdes se ke kontroll përpara. Kadriu për mua mbetet dhe një pedagog i mrekullueshëm.

Enver Petrovci: Prishtinë-Aktor, regjisor, profesor, akorduar medalja “Yll i Artë” në Beograd.

Kam dëgjuar qëmoti dhe është fol se ekziston një farë aktor, atje larg në Shqipëri. Vite e kam pas ëndërr për t’u takuar me të. Ishte festivali mbarëkombëtar i aktorit dhe zoti më dha të drejtën, jo vetëm të njohjes dhe bashkëpunimit, por madje të jem dhe në një juri me të. Merreni me mënd unë dhe Ai. Si pedagog u përsëris shumë herë studentëve, se si duhet të interpretohet poezia bashkëkohore, dhe këtë gjë më mirë, do e shihni në iterpretimet brilante të gjeniut të skenës Kadri Roshi .Jo vetëm një fjalë apo lëvizje në skenë , por edhe një lëvizje e gishtit të aktorit me përmasa botërore, “Nder i Kombit” Kadri Roshi,flet shumë.

Josif Papagjoni-Kritik Arti. “Mjeshtër i Madh”.

Kam kënaqësi të flas për madhorin e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Kadri Roshi. Ky aktor dhe figura të tjera e kujtesës, krenarisë dhe identitetit tonë si shqiptarë. Figurat madhore të interpretuar prej tij i mban ende në kujtesë spektatori i hershëm dhe ai i sotëm. Do të veçoja rolet; si Ezopi, Hamleti, Otello, Jonuz Bruga, në veçanti roli i vështirë i cilësuar si krenaria e artit shqiptar Arturo Ui: luajtur gati për çdo natë për disa javë nga Kadri Roshi, aq sa lodhja e këtij roli e bënte të flinte me gjithë rroba. Kurrë sesi nuk harrohen lehtë dhe rolet e kujdestarit, Mullixhiut, Parandilit, Abdyl Frashëri, Murat Bënça, të cilat kanë zënë vënd të merituar në galerinë 130 e ca roleve të Kadri Roshit. Do të citoja fjalë për këtë mrekulli të aktorit tonë të mrekullueshëm, Timo Flloko, që thotë se: artistë të tillë si Kadri Roshi, rrallë hasen në shekuj.

Mevlan Shanaj -“Mjeshtër i Madh”. “Qytetar Nderi ” i qyteteve Patos dhe Ballsh.

Anketimi i përkryer nga Kadri Roshi, tingëllon sikur po e dëgjoj ende atë zë, gati si një refren i një melodie që të shoqëron shpirtin në një mendim pa fund, emocion ndjellës. Ishim studentë kur kemi parë mëse tridhjetë here madhështinë e shfaqjes së dramës “Dhelpra dhe rrushtë” e shkrimtarit brazilian Gulherme Figuerdo, vënë në skenë nga Mihal Luarasi me trupën e teatrit popullor në vitet 60-të. Kadri Roshi erdhi në këtë dramë në kulmin e tij aktoresk, ku pak më vonë luajti një tjetër super rol, Arturo Ui. Bëmat e tij po vinin si legjendë. Mua më erdhi rasti të jem me të, në filmin tim të parë “I Teti në Bronx”. Këtë moment dhe bashkëpunime të tjera në vite me këtë njeri dhe aktor fisnik që na ofroi përherë shqiptarin siç e dimë, siç e duam siç do e kërkojmë, nuk do e harroj kurrë.

Luftar Paja-“Artist i Popullit”.

Komunikimi i natyrshëm dhe tepër i veçantë i njohjes, gati- gati si një refren i një melodie që të shoqëron si me të parë, me kollosin e artit shqiptar Kadri Roshi, starton me filmin “Këshilltarët”. Në miqësinë time në vite me të. Duke fituar mjaft prej tij, do të kujtoja një moment ndodhur në vitin 1978. Ndërsa ishim gjatë xhirimeve të filmit “Gjeneral Gramafoni”, më vjen lajmi për lindjen e djalit tim. Kadriu mëson këtë sihariq dhe vjen më uron: “Luftar, të rroj Gazmendi”. Dëgjo më thotë Kadriu, nuk ka gjë më të bukur për ty, si artist ke përjetuar gaz e hare, prandaj Gazmendi të rroj. Tashmë kanë kaluar vite dhe Gazmenti ka krijuar familjen e tij, ku njëherësh si aktor vazhdon të jetë pjesë e spektaklit “Portokalli”.

Skenari & realizimi : Fadil Shehu

Kameramanë :          Viron Mihaj, Nuri Korita

Montazhierë:            Neritan Trifoni , Arben Aliaj

Folës:                        Roland Roshi

Regjisor:                   Roland Roshi