Ilmi S. Qazimi: O z.Kryetari ynë, ruaju nga mallkimi i pensionistëve!

168
Sigal

Ka disa muaj që Edi Rama, kryetari ynë, tashmë i gjithpushtetshëm po përsërit fjalinë ‘Do vazhdojmë të shpërblejmë më shumë pensionistët!’ Ai po sillet me ne sikur të jemi kalamaj ose gjethe të zverdhura plepi. Ka të drejtë. Nga njëra anë se i ka pjellë mushka nga që nuk përballë as opozitë e as vartës të guximshëm, por kryesisht ka dallkaukë, antikombëtarë, servilë dhe teveqelë. Që nuk ka opozitë është meritë e amerikanëve dhe pastaj e Sali Mostrës antikombëtare. Që nuk ka vartës të guximshëm -kjo është meritë e tij se ka në dorë edhe gurin edhe arrën! Nga ana tjetër i ka hipur kalit të delirit të madhështisë, megjithë kulturën e tij të admirueshme.

Por ama, me të tilla thënie hipokrite, bajate dhe tepër fyese, dhe jo pak të tjera si këto, kryetarët e qeverive postomuniste po na ngopin përditë. E veçanërisht në gojën e këtij që kemi sot, që del e na falënderon ngase ia dhamë votën. Nuk i lejohet aspak të na fyejë, të na diskreditojë dhe të na lërë pa ilaçe. Pensionisti  kudo në botë orët e jetës i ble me para. I ka të ardhura nga djersa e gjaku i tij të derdhur për shoqërinë në periudhë kohore mbi 40 vjet. Ti, z.kryetar ku e gjen të drejtën që t’ia mbash sa më të ulët këtë pension?

Si nuk kanë turp nga hija e tyre këta qeveritarët tanë? Lere se turpin s’e njohin, pasi janë politikanë të pacipë, po frikë a nuk u vjen nga Perëndia, me që thonë shpesh ”Zoti e bekoftë Shqipërinë!” Nuk di se çfarë them edhe unë!? Njëlloj si pleqtë e tjerë. Politikanët tanë nuk kanë as zot e as Perëndi! Premtimet e kryetarëve tanë të qeverive që vijnë e ikin çdo 15 vjet, sa majtas e sa djathtas (realisht janë vetëm  me mendime, programe dhe veprime të djathta të thekura me bojatisje rozë), me ne pensionistët janë tallur ashtu si u ka dashur menderja!

Ngrihet Edi Rama, dy metro burrë, që nuk e rruan kurrë, dhe na jep pesëmijë lek për të blerë një çerekgjeli në prag të vitit ri? Ndërkohë që pensionisti italian, me kursimet nga pensioni i tij, vjen në Shqipëri e ble një tokë në Rrashbull, ku ndërton shtëpinë dhe jetën me plakën e vet, për vitet që i kanë mbetur!? Dhe këtë shtëpi ia lë trashëgim stërnipit ose…qenit!

Ik më tej: ngrihen deputetët-që kurrë mos u dëgjoftë kjo fjalë- dhe miratojnë ligjin për dyfishimin e rrogës së tyre kur pensionisti shqiptar nuk merr dot ushqimet me çmime stratosferike me atë pension që i ka nxjerrë qeveria. Paga e një paloburri, që gëzon privilegjet e deputetit tani është njëzet herë më e lartë se shifra e pensionit që më kanë nxjerrë mua ligjet e Sali Berishës, Ilir Metës, Pandeli Majkos dhe të Edi Ramës.

Seç përdorin ca skema të rreme e formula hihedhëse që ‘do t’ua rrisim pensionet 5%!” Dhe këtë e trumbetojnë me forcë veshshpuese në prag votimesh, apo prag rritje çmimesh. Këtë mot, kryetari ynë që thotë “nuk jam më i miri, por më të mirë se unë këtu nuk ka”, në prag votimesh vete i ngre pagat e tërë votueseve të punësuar dhe ne pensionistëve na thotë “ na një pesëmijë lekësh e hiqmu qafe?! Njësoj sikur i thotë një fëmije katër vjeç ‘ na shko e bli një akullore’ se na rokanise kokën!?

Në këto ditë po ashtu dëgjojmë edhe lajmin se në një mbledhje të komisionit të ekonomisë në parlamentin tonë, gjatë shqyrtimit të projektligjit të hartuar nga qeveria për ngritjen e pagave të punonjësve të administratës shtetërore, po grindeshin anëtarët. Jo për rritjen apo mosrritjen e pagave! Jooo! Kjo për ata është e domosdoshme,” e panegociueshme”!Do të rriten patjetër! Por problem shqetësues është se kush do ta paraqesë në parlament si amendament, e majta apo e djathta?! A e shikoni të dashur pensionistë se si e sa tallet parlamenti, qeveria, politikani, deputeti, presidenti -të gjithë këta  kapitalistë me biznese të rënda-me jetën tonë, me vitet tona të numuruara? Çfarë qeverie mund të quhet kjo?

Ne nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se deputeti shqiptar i Tiranës, merr një pagë tepër të lartë e të pakrahasueshme me pensionin mesatar të shqiptarit, që jeton në kufijtë e shtetit me emrin Shqipëri. Nuk e di se sa marrin ata homologët shqiptarë në shtetet e tjera ku ka popullsi shqipfolëse apo në shtetin shqiptar të Kosovës. Besoj se diçka e tillë do të jetë edhe andej, sepse jemi në kapitalizëm. Konkretisht e kam fjalën për ne këtu, ku raporti i pagave me pensionet është  më i lartë se një me njëzetë deri një me tridhjetenëntë. Kjo është një greminë shoqërore për shtresën e të lodhurve nga jeta, të shtrydhur nga sistemi demokratik. Po aq sa edhe ata mbi dyqindmijë që punuan duke vetsakrifikuar tërë çka me motive revolucionare e komuniste e tani, diktatura borgjeze, alias demokracia amerikane, u jep vetëm ca thërrime. Ligji i firmuar nga tradhtari me damkë në ballë Sali Berisha për pensionet ka edhe një nen ku thuhet “t’u jepet minimum i mundshëm!” Dhe ky nen është zbatuar rigorozisht.

Këtë nuk e mban asnjë lloj peshoreje?! Le pastaj që deputeti ( që vetëm pse ngriti kartonin jeshil katër vjet, mbasi punën e tyre e kemi parë se sa e lodhshme është!) merr edhe pension të përjetshëm në një sasi që, më mirë të mos e citojmë, sepse do të na bjerë të fiktit!

Pija kafe dikur e një deputet, i cili qëndroi i zgjedhur dy vjet atje në atë sallë ligjformuese (lexo: sallë që po shkatërron Shqipërinë), e tani ka ndërruar jetë. Ai më tregonte: “kur më mbaroi mandati, domosdo që nuk mund të zgjidhesha më, sepse kisha qenë kuadër edhe në kohën e partisë së punës, por ama ligji më jepte, doja apo s’doja unë një pension, me të cilën po kullandrisem aq sa mundem. Paçka se nuk mund të rri papunë dhe kam nisur të shes djathë Përmeti i punësuar tek një …deputet!”

Jam me këmbë në tokë e me tru në kokë ende të parrjedhur. Nuk kërkoj barazi, por objektivitet njerëzor, të pranueshëm nga morali borgjez i kohës së sotme europiane, sepse kështu siç po veprohet tek ne ndaj pensionistëve nuk ka asnjë  ndryshim nga trajtimi që i bëhej fshatarit në vitin 1200 nga feudali! Po, po, mos u çuditni! Njësoj si në kohën e bujkrobërisë! Por ja që nuk jemi më as atje e as në kohën e çartizmit, por në vite të zhvillimit marramendës të shoqërisë, teknologjisë dhe ecurisë konkurrenciale. Ky mjedis është ndërtuar tashmë edhe në Shqipëri, sepse po mbushet një e treta e shekullit me zhvillime të tilla. E përse i duhen Shqipërisë 140 deputetë? Por kjo është tjetër çështje, maskaradë alaamerikane dhe tradhti e qeveritarëve shqiptarë që merren çdo vit me gjoja ‘përmirësimin e reformës zgjedhore’!? E zura në gojë shifrën e deputetëve, sepse ata, ‘deputetët’, na rropën edhe kuletën edhe jetën. Dëgjojmë se si rriten me përshkallëzime pagat e sektorit të shëndetësisë, arsimit, policisë etj etj. Bukur fort! Për derisa i vetmi motiv shtytës, e përsëris, i vetmi motiv i jetës në këtë lloj sistemi shoqëror është paraja, rrogat duhen rritur. Natyrisht më përpara duhet të rritet rroga e atyre që janë drejtpërdrejt me krimin, pra policisë. Por pse harrohen pensionistët? Ata kanë punuar të gjithë mbi 40 deri 45 vjet, aq sa ju kini moshën! A nuk ju cëmbon ky fakt?

O z.kryetari ynë! Thirri mendjes dhe rriti urgjentisht pensionet në raport të drejtë me pagat. Si paske mundësi që deputetëve, ministrave dhe vetvetes t’ia dyfishosh rrogën dhe pensionistëve, atyre me aftësi ndryshe e të kufizuara dhe atyre me asistencë shoqërore të mos ua fishkëllesh fare!? Me sa duket nuk të ka shkuar në mendje akoma se atje ku shkelet plaku derdhet gjaku?