Gerti Shella/ INFOÇIP vendos gjyqtarët përballë vetvetes: Përgjegjësia për vonesa është vetëm e juaja..

395
Për të dytin vit radhazi, INFOÇIP ka vlerësuar dorëzimin e vendimeve gjyqësore në gjykatat më të mëdha shqiptare. Ky përbën një nga vlerësimet tematike më të rëndësishme sot për sot ndaj sistemit të gjykatave në Shqipëri, si në terma të gjetjeve ashtu edhe në terma të volumit të dhënave të përpunuara, të cilat kapërcejnë me disa-fish ato të institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare. Për të realizuar të gjitha vlerësimet për vitin 2014, INFOÇIP disponoi dhe përpunoi 15235 vendime gjyqësore. Objekt vlerësimi për vitin 2014 kanë qenë Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit, Tiranë, Gjykata e Faktit, Tiranë dhe Gjykata e Faktit Durrës. Për herë të pare u bë vlerësim edhe për Gjykatën Administrative e Apelit, e vetme në llojin e saj, si dhe për Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë. Kjo e fundit është edhe më e rëndësishmja ndër 6 gjykatat e vendit. Vend të posaçëm në vlerësim kanë zënë vendimet unifikuese të GJL, jo vetëm sa i takon arsyetimit dhe zbardhjes së plotë të tyre, por edhe botimin në fletore zyrtare. Baza krahasuese për këto lloj vendimesh shumë të rëndësishme është vendosur që në vitin 2011 dhe përllogaritjet e vonesave ofrojnë mundësi për të dalë në konkluzione solide sa i takon përmirësimit apo përkeqësimit të gjendjes. Ndryshe nga vonesat në procesin gjyqësor, ku palët kanë ndikim shumë të shprehur, arsyetimi dhe dorëzimi i vendimit gjyqësor implikon vetëm gjyqtarin.
GJYKATA E LARTË
Gjatë vitit 2014, Gjykata e Lartë shënoi një përkeqësim të mëtejshëm sa i takon vonesave në arsyetimit dhe dorëzimit të vendimeve unifikuese. Këto janë vendimet më të rëndësishme të kësaj gjykate dhe të gjithë sistemin gjyqësor në vendin tone. Nga 4 vendime unifikuese gjithsej të nxjerra në 2014-ën, vetëm dy u zbardhen brenda 2014-ës. Deri në datë 5 maj 2015, kur u mbyllën dhe vlerësimet nga INFOCIP, vendimi unifikues administrativ nr.2 dhe vendimi unifikues penal nr.2 ishin akoma të pakompletuar me arsyetimet e pakicës. Vonesa e matur për dorëzimin përfundimtar të këtyre 4 vendimeve unifikuese është 972 ditë, ose mesatarisht 243 ditë për secilin prej tyre, në vend të 30 ditëve që është afati ligjor për dorëzimin e tyre të arsyetuar në Sekretari. Vonesa mesatare për zbardhjen e plotë dhe dërgimin për botim në Fletore zyrtare të vendimeve unifikuese gjatë vitit 2014 pësoi një rritje mesatare me 83 ditë krahasuar me vitin 2013. Shkak kryesor i këtyre vonesave nuk janë gjyqtarët që marrin vendimin (pra, shumica), por ata që i përkasim mendimit të pakicës. Ky është një shkak absurd dhe i papranueshëm. Vonesat rezultojnë një fenomen i përsëritur deri në kufijtë e shkeljes flagrante të ligjit, pikërisht nga elita e trupës gjyqësore në RSH, siç është ajo e gjykatës së Lartë. Me këto vonesa ajo ka shkelur haptazi edhe standardet e vendosura me vetë jurisprudencën e saj për rastin e gjyqtarit të përjashtuar NT.
GJYKATA E APELIT, TIRANË
Gjykata e Apelit, Tiranë është gjykata më e madhe në vend e llojit të saj. Gjatë 2014-ës ajo shënoi një përmirësim të dukshëm të treguesve sa i takon dorëzimit në afat të vendimeve gjyqësore, civile dhe penale. Nga vlerësimi i INFOÇIP rezultoi se 91% e totalit të vendimeve civile të analizuara (3023 gjithsej) janë dorëzuar brenda afatit 20 ditor, që përllogaritet si afat “limit” në Apel. Krahasuar me vitin 2013, u shënua rritje me 18%. Kjo përbën edhe rezultatin më të lartë përmirësues të konstatuar në kuadër të këtij vlerësimi tematik. Sa i takon vendimeve penale në Apelin e Tiranës, nëse afati limit do të përllogaritej 5 ditë, sipas parashikimeve të nenit 113 të KPP, atëherë rezulton se ky prag është kapur në vetëm 36% të rasteve. Kjo e dhënë shënon gjithsesi një përmirësim me 9 pikë përqindje krahasuar me vitin 2013. Nëse si afat limit për dorëzimin e vendimeve penal në apel do të merrej ai që vetë gjyqtarët e Apelit përllogarisin me analogji, pra 15 ditë, atëherë do të rezultonte se vetëm 97% e totalit të analizuar për 2014 janë dorëzuar brenda këtij afati.
GJYKATA E FAKTIT, TIRANË
Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë realizon numrin më të madh të shqyrtimeve gjyqësore krahasuar me çdo gjykatë tjetër të shkallës së parë në RSH. Trupa e kësaj gjykata është më e madhja në vend, me 76 gjyqtarë. Për vitin 2014, INFOÇIP mblodhi dhe analizoi 5401 vendimet civile të dhëna nga kjo gjykatë në periudhën Janar-Prill 2014. Metoda e përdorur nga INFOÇIP “filtroi” për përpunim të mëtejshëm 2054 vendime (padi “të pranuara”, “të pranuara pjesërisht”, dhe “të rrëzuara”). Rezultoi se dispozitat e nenit 308 të K.P.C kanë gjetur zbatim vetëm në masën 65% sa i takon dorëzimit të vendimeve civile në sekretari (afati maksimal-10 ditë).
GJYKATA E FAKTIT, DURRËS
Gjykata e Faktit Durrës ka një trupë prej 17 gjyqtarësh. Për vitin 2014, INFOÇIP mblodhi dhe analizoi 662 vendimet civile të dhëna nga kjo gjykatë në periudhën Janar-Prill 2014. Metoda e përdorur nga INFOÇIP “filtroi” për përpunim të mëtejshëm 329 vendime (padi civile “të pranuara”, “të pranuara pjesërisht”, dhe “të rrëzuara”). Vlen të theksohet se kushtet e punës në këtë gjykatë janë shumë të vështira si për trupën gjyqësore ashtu edhe për krye-sekretarinë. Masa emergjente duhet të merren për të adresuar problemet e rënda infrastrukturore që ka kjo gjykatë
GJYKATA ADMINISTRATIVE E APELIT
Gjykata Administrative e Apelit (e vetme në llojin e saj) gjatë vitit 2014 përballoi një volum të jashtëzakonshëm pune. Edhe pse me vetëm 7 gjyqtarë, në 2014 ajo gjykoi 4745 çështje administrative. Gjithsej u regjistruan 11240 çështje gjatë vitit 2014, një numër rekord krahasuar me çdo standard të njohur dhe të pranuar deri më sot në Shqipëri. Prurja e jashtëzakonshme gjatë vitit 2014 erdhi nga dhomat civile të gjykatave të zakonshme, të cilat shpallën mos-kompetencën e tyre të gjykimit. Rreth 4698 çështje erdhën nga gjykatat civile të apeleve ndërsa 6543 çështje u sollën nga gjykatat administrative të shkallës së parë. Sa i takon vlerësimit tematik për afatet e dorëzimit të vendimeve. Gjykata Administrative e Apelit monitorohet për herë të parë. Masa urgjente duhet të merren për plotësimin e trupës me gjyqtarë të tjerë, të paktën sa kohë fluksi i çështjeve është në nivelet e paraqitura më sipër
GJYKATA ADMINISTRATIVE E TIRANËS
Gjykatës Administrative, Shkalla e Parë, Tiranë nisi funksionimin e saj më datë 4 Nëntor 2013. Ajo ka kompetencë tokësore në rrethet: Bulqizë, Dibër, Krujë, Laç, Mat dhe Tiranë. Selia e saj është në Tiranë. Kjo është gjykata me ngarkesën më të madhe të çështjeve krahasuar me çdo gjykatë tjetër administrative të shkallës së parë (18417 çështje të regjistruara në 2014-ën). Treguesit për vitin 2014 edhe në këtë gjykatë paraqiten me problem, kryesisht për shkak të ngarkesës së jashtëzakonshme të çështjeve që janë akumuluar për shqyrtim, të dërguara nga gjykatat e zakonshme të shkallës së parë, për shkak të shpalljes së mos-kompetencës. Fluksi më i madh përkon me muajt e parë të vitit 2014 (vetëm Gjykata e Faktit Tiranë dërgoi në 4-mujorin e parë të vitit 2014 rreth 1880 çështje gjyqësore).
Sigal