Implementimi i Konventës Europiane së të Drejtave të Njeriut në Shqipëri

518
Sigal

 Ministri Halimi: “Realizuam heqjen e imunitetit, një nga rekomandimet e KE-së”. Kryetarja Shpresa Beçaj: “Gjyqësori shqiptar, garant i konventës së të drejtave të njeriut”

Implementimi i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Shqipëri në Nivel Kombëtar ka bashkuar në një takim ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi dhe Z. Philipe Boillat Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin Ligjor, i shoqëruar nga përfaqësuesi i Këshillit të Evropës në Tiranës, z.Marco Leidekker. Biseda mes palëve u përqendrua në çështjet me interes të përbashkët që përfshijnë sistemin gjyqësor në vend si dhe disa çështje ligjore që lidhen me respektimin e të drejtave të njeriut, rrjedhoje e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në kuadër të kësaj problematike, Ministri Halimi bëri prezente zgjidhjet që janë bërë në drejtim të çështjeve të pronësisë si dhe masat që janë marrë për ekzekutimin në kohë të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Ministri e informoi zyrtarin e larë të KE-së mbi punën që është bërë për miratimin e Strategjisë që do i japë zgjidhje përfundimtare problemeve të pronësisë në vend. Ai deklaroi se brenda vitit 2013 do të realizohet regjistri elektronik i pronave, i cili do të bëjë të mundur zgjidhje më të shpejtë të premtimit të qeverisë për kthimin dhe kompensimin e ish- pronarëve në masën 100 për qind. Ministri u shpreh i kënaqur për realizmin e një prej rekomandimeve më të rëndësishme të Këshillit të Evropës heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët duke e konsideruar këtë një hap madhor në luftën ndaj korrupsionit. Në këtë takim Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi mori përgëzimet të veçanta nga zyrtari i lartë i Këshillit të Europës për hapat e ndërmarrë si në sistemin gjyqësor, me ekzekutimin në kohë të vendimeve gjyqësore ashtu edhe në drejtim të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë. Z. Philipe Boillat shprehu në fund të fjalës së tij mbështetjen  për vazhdimësinë e  asistencës së Këshillit të Evropës në drejtim të realizmit të objektivave të planifikuara nga qeveria shqiptare.

Znj. Shpresa Beçaj Kryetare e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë

Gjykata e Lartë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë praktikës dhe jurisprudencës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, u shpreh Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, në workshop-in mbi disa aspekte të implementimit të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në nivel kombëtar, organizuar sot në Tiranë. Duke folur për rolin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë në raport me zbatimin e dispozitave të Konventës si dhe lidhjen që është krijuar ndërmjet jurisprudencës së saj dhe jurisprudencës së GJEDNJ, Beçaj tha se “pozicioni i gjyqësorit shqiptar përkundrejt Konventës dhe jurisprudencës së GJEDNJ ka evoluar nga një mungesë totale e njohjes dhe zbatimit të tyre në një qasje shumë më të favorshme, duke shënuar një progres të dukshëm në këtë drejtim, ndonëse ende ka shumë vend për përmirësim të mëtejshëm”. Sipas saj, vendimet e GJEDNJ kundër Shqipërisë, sidomos në rastet kur kjo Gjykatë ka vendosur dhënien e dëmshpërblimit për shkeljen e të drejtës së kërkuesit, janë ekzekutuar plotësisht dhe brenda kohës së caktuar. “Ekzekutimi i këtyre vendimeve ka qenë në vëmendje të institucioneve shtetërore, në veçanti të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë si organi përgjegjës për ekzekutimin e tyre, nëpërmjet nxjerrjes në kohën e duhur të vendimit, që ka disponuar për kryerjen e pagesës së dëmshpërblimit në favor të kërkuesit”, tha Beçaj. Kryetarja e Gjykatës së Lartë deklaroi se, Gjykata e Lartë dhe trupa e saj gjyqësore, sidomos vitet e fundit, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë praktikës dhe jurisprudencës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe jo në pak raste, veçanërisht në vendimet unfikuese, i është referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë parimeve të vendosura nga kjo Gjykatë për raste të ngjashme.