Vettingu: Shkëlqim nga jashtë, i korruptuar dhe i kalbur nga brenda

24
Sigal

– Drejtësia të bëjë Vetting për anëtarët e Vettingut, mbi çertifikimin klientelist dhe politik të gjyqtarëve dhe prokurorëve

– Gjyqtarja e dënuar në Greqi për falsifikimin e dokumentave vorio-epiriote dhe që mbylli dosjen e hashashit kalon Vettingun

Turpi me gjyqtarët dhe prokurorët që kaluan vettingun edhe pse kishin mbi shpinë “gjynahe” nga e kaluara dhe e sotmja, tashmë nuk përbënë më suprizë, por vetëm nxjerrën ‘lakuriq’ vettingun për të cilin BE dhe SHBA  kanë paguar rreth 300 mln euro deri më tani. Është koha që një drejtësia e re të fillojë të bëjë Vetting për anëtarët e Vettingut, mbi emërimet e tyre me dokumenta fallco dhe të shkuar kriminale. Vendimarrja e Genta Bungos në KPK dhe Sokol Çomos në KPA si dhe show me ONM në rastin Gjoka pasqyra më e mirë e kapjes së drejtësisë nga Politika klienteliste.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe  Kolegji i Posaçëm i Apelimit, por që në realitet vetëm të pavarur nuk janë, konfirmuan në detyrë gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, pavarësisht problemeve të shumta me pasurinë, integritetin dhe figurën e pastër në respekt dhe zbatim të ligjit për dekriminalizimin. Ajo që bën të rëndsishme “çështjen” e gjyqtares Irena Gjoka, lidhet më së tepërmi me dy drejtuesit e dy trupave gjykuese të Vettingut të kryesuara nga Genta Bungo në KPK dhe nga Sokol Çomo në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Irena Gjoka është një prej tre gjyqtareve të trupës që gjykoi çështjen e ish-ministrit Saimir Tahiri. Në shtator 2019, Gjoka bashkë me Ardit Mustafajn dhe Flora Hajredinajn, çliruan ish-Ministrin të Brendshëm Tahiri nga të gjitha akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe e dënuan atë me 5 vite burg për shpërdorim detyre. Për këtë vendim pati reaguar në shtatorin e 2019 edhe ambasada e SHBA në Tiranë, sipas të cilës, “dënimi i zotit Tahiri është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse”.

Kryetarja e KPK Genta Tafa Bungo, konfirmon në detyrë Irena Gjokën

Megjithatë zonja Irena Gjoka është konfirmuar tashmë si një nga gjyqtarët, të cilëve u është besuar lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vendimi për konfirmimin në detyrë të Gjokës u mor nga  Kryetarja e KPK Genta Tafa -Bungo. Gjatë hetimit administrativ, KPK gjeti të paktën 3 raste kur gjyqtarja kishte bërë mosdeklarim ose kishte pasaktësi në deklarimin e pasurisë. Gjyqtarja Gjoka kishte dhënë deklarime të ndryshme mbi burimin e parave për blerjen e një banese me vlerë 45 mijë euro, në deklaratën vjetore, në një kontroll të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë e Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, në deklaratën Vetting dhe në pyetësorët e nisur nga KPK. Po ashtu, KPK gjeti se gjyqtarja nuk kishte deklaruar pjesën që i takonte në apartamentin e prindërve në Patos. Sipas relatimit gjyqtares i takonte një e katërta e këtij apartamenti. Gjyqtarja e pranoi këtë mosdeklarim dhe tha se e kishte harruar. KPK gjeti pasaktësi dhe në deklarimet e bashkëshortit të gjyqtares. Ai nuk kishte deklaruar marrjen pas të një shumë prej 1 milion lekësh të cilën ia kishte huazuar të bijës për të bërë studimet. Këto para ishin deklaruar më pas për blerjen e dy garazheve, por KPK doli në përfundimin se mosdeklarimi i kësaj shume e nxirrte bashkëshortin me minus 500 mijë lekë të ardhura nga burimet e ligjshme në vitin 2011. Po ashtu një tjetër mosdeklarim kishte të bënte me depozitimin e një shume prej 12 mijë eurosh në vitin 2007 në bankë. Por gjyqtarja Gjoka i justifikoi gabimet në deklarimin e pasurisë me mangësitë në mënyrën e kuptimit të ligjit në atë kohë dhe se nuk kishin qenë të qëllimshme për të fshehur pasurinë. Pavarësisht këtyre problemeve, KPK vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtares. Ky ishte historiku i gjyqtares Irena Gjoka që kaloi Vettingun në KPK me bekimin dhe mbështetjen e fuqishme të Genta Bungo. Tafa.

Kalon Vettingun , Sokol Çomo i KPA-së lë në detyrë gjyqtaren Irena Gjoka

Kolegji i Posaçëm i Apelimit lë në detyrë Irena Gjokën, Kryetaren e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Vendimi u dha nga trupi gjykues i përbërë nga Sokol Çomo, (kryesues), Rezarta Schuetz e Mimoza Tasi. Në shpalljen e vendimit ishte e pranishme Komisionerja publike, Irena Nino dhe vetë gjyqtarja. Seanca e shpalljes së vendimit u monitorua nga ONM e cila në KPK e kundërshtoi, por në KPA “kafshoi gjuhën”. Trupi gjykues vendosi lënien në fuqi të vendimit datë 26. 02. 2020. Kryesuesi i trupit gjykues Sokol Çomo lexoi vendimin duke cituar se: “Kolegji e gjen të drejtë vendimin e KPK që konfirmon në detyrë subjektin e rivlerësimit Irena Gjoka e për pasojë duhet të jetë në fuqi”. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i kryesuar nga ish-zv/ministri i Drejtësisë, përfaqësues i PS tha se gjyqtarja ka arritur në nivel të besueshëm të pasurisë, në nivel të besueshëm kontrollit të figurës dhe profesionalitetit. Por a janë të vërteta dhe të besueshme deklarata e Sokol Çomos, kandidatit për deputet të PS ? Një seancë më parë, Komisionerja Publike, Irena Nino rrëzoi gjatë konkluzioneve përfundimtare shkaqet e ankimit të paraardhësit të saj, Darjel Sina dhe kërkoi konfirmimin në detyrë të kryetares së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Irena Gjoka.

‘Fake reforma’ dhe Vettingu që nuk kapi dot në rrjetë Irenën me 3 mbiemra, Maneku – Gjoka – Spata

Ashtu siç është dëshmuar disa herë nga media në vend, procesi i Vettingut ka qenë proces politik, që është përdorur me standarde të dyfishta ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë shkarkuar, apo janë emëruar në sistemin e drejtësisë.

Më flagranti nga të gjithë është rasti i Irena Maneku-Gjoka-Spata.

Gjyqtarja e GJKKO, ka gënjyer në procesin e Vettingut duke fshehur elementë të rëndësishëm gjatë karrierës së saj, elementë që do ta skualifikonin atë nga sistemi nëse procesi do të ishte i vërtetë dhe jo “fake”. Gjyqtarja e GJKKO rezulton të përdorë 3 mbiemra, me secilin mbiemër ka kryer shkelje të ligjit, të cilat po i rendisim më poshtë:

Irena Maneku:

Irena rezultoi e shkarkuar nga detyra e gjyqtares për paaftësi që iu bë në vitin 1996, gjë të cilën nuk e ka deklaruar në organin e Vettingut, por as ky organ nuk ka kërkuar verifikim pas daljes së fakteve në dritë, gjë që e kompromenton rëndë këtë proces.

Irena Gjoka

Irena edhe pse u akuzua dhe faktua publikisht se ishte në konflikt të pastër interesi me liderin e opozitës, Berisha pasi me firmën e tij si kreu i KLD e kishte shkarkuar nga detyra. Por as organet e tjera të drejtësisë nuk e shkarkuan pas publikimit të faktit. Shkelje flagrante e ligjit.

Irena Spata

Ditët e fundit, ekspertët e opozitës iu drejtuan publikisht gjyqtares të tregonte nëse ishte përzënë

nga shteti fqinj, Greqia, për faktin se ka tentuar të lëvizë në këtë shtet me çertifikatë të falsifikuar, ku përdorte mbiemrin SPATA. Pas kontrolleve të policisë së Janinës, ku edhe i janë marrë shenjat e gishtave, gjyqtarja është deportuar për në Shqipëri.

 

Skandali në Ta Nea: “Gjyqtarja Irena Gjoka kaloi në Greqi me dokumenta fallco”

Ja pse nuk ishte më një surprize çështja e kalimit të Vettingut nga gjyqtarja Irena Gjoka, çka nxori lakuriq edhe vetë reformën në drejtësi , për të cilën taksapaguesit e BE-së dhe ata të SHBA-ve kanë paguar miliona euro. Janë pikërisht gazetat greke ato që kanë zbardhur pyetjen që lideri i opozitës dhe mediat e pavarura i bënin gjykatëses së çështjeve të nxehta kundër kreut të opozitës dhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Irena Gjoka. Sipas tyre kryetarja e GJKKO ka pasur probleme me ligjin në Greqi dhe një gjë e tillë i është toleruar nga komisioni i Vettingut. Kjo llogari e vjetër i ka bërë sipas gazetës greke “Ta Nea” të vihet në shërbim të pushtetit.  Sipas “zbulimit” që bën media greke, që në fakt ishte një goditje e paralajmëruar. Historia e 54 vjeçares Irena Gjoka, që dikur mbante mbiemrin Shpata (Irena Shpata, e cila që nga viti 2011 përdor mbiemrin e bashkëshortit të saj aktual (të dytë) Gjoka) ka “llogari të hapura” me Greqinë. Ajo rezulton të jetë arrestuar “për përdorimin e dokumenteve false me të cilat tentonte të tregonte se ishte me origjinë greke”,- shkruan Ta Nea. “Për këtë arsye, asaj iu ndalua hyrja në vendet e Shengenit për 12 vjet dhe të dhënat e saj së bashku me gjurmët e gishtërinjve u regjistruan në bazën përkatëse të të dhënave. Më konkretisht, Irena Shpata së bashku me bashkëshortin e saj të parë që mbante mbiemrin Maneku tentuan të hynin në Greqi më 24 dhjetor 2002 nga Kakavija duke përdorur një vizë konsullore të falsifikuar për sa i përket periudhës së vlefshmërisë. Nëse dikush kishte një vizë konsullore 100 ditore, ai mund të merrte një kartë identiteti speciale të emigrantit (EDTO) në Greqi. Gruaja në fjalë kishte falsifikuar periudhën e vlefshmërisë së vizës konsullore për t’u dukur se ajo kishte një kohëzgjatje prej 100 ditësh, duke u përpjekur të tregonte se gjoja ishte nga Vorio-Epiri. Së bashku me bashkëshortin e saj në atë kohë, ata apeluan në një gjykatë administrative në Greqi. Kërkesa e tyre u refuzua” informon media greke. Pastaj sipas gazetës ky fakt shumë i rënë u mbulua politikisht kur asaj i duhej të përballej me procesin e Vettingut në vitin 2019.  “Emërimet duhej të miratoheshin në parim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (i njohur në shqip si OMN), i cili përbëhej nga të huaj. Ky komitet konstatoi se Irena Shpata-Gjoka kishte kryer falsifikim dhe gjithashtu kishte problem dhe e skualifikoi. Më pas ajo u ankua dhe komisioni i pavarur i vlerësimit të kualifikimeve (që është shqiptar) e pranoi atë, duke konsideruar se gjithçka është në rregull, vijon artikulli. Sipas tij, ky fakt i njollës në karierën e gjyqtares Gjoka dhe më pas shpëtimi që iu bë asaj për arsye politike e bën atë të njëanshme në shqyrtimin e procesit kundër kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.  “Nisur nga ky zhvillim Irena Shpata-Gjoka është – sipas shumë ndjekësve të çështjes – e kontrolluar nga Rama pasi i detyrohet mirënjohje që e vendosi në këtë pozicion pavarësisht falsifikimit. Në të njëjtën kohë, sipas të njëjtave burime, mund të thuhet se ajo është e njëanshme dhe negative ndaj Greqisë dhe kryebashkiakut minoritar Beleri” përfundon artikulli. Kryetarja e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Irena Gjoka e kaloi me probleme Vettingun pasi fillimisht Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e saj dhe më pas brenda pak ditëve ai ktheu mendje, duke konkluduar Pasaktësitë, mospërputhjet dhe një balancë e vogël negative në analizën financiare të KPK-së, nuk u vlerësuan penalizuese. Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe është përjashtuar prej tij nga Sali Berisha një vit më vonë. Për më shumë se një dekadë, ajo ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar në ish-Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prej dhjetorit 2019, Gjoka është pjesë e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin të Organizuar në Tiranë. Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi në mbrojte të Irena Gjokës, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dalë Këshilli i Lartë Gjyqësor. “Këshilli vëren me keqardhje se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike. Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor, por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë” thuhet në deklaratë. Por KLGJ nuk dha asnji fakt të kundërt dhe nuk i kundërshtoi provat, të cilat sipas burimeve të mediave greke , kanë edhe shenjat e gishtave në kartelat e sistemit të paburgimit dhe drejtësisë greke.

Skeda e pasurisë së deklaruar –Irena Gjoka –Gjykata e Posaçme

Gjyqtarja Irena Gjoka do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Gjyqtarja Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të përballet të hënën më 24 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese e KPK-së që po kryen procesin e Vetingut për Gjokën kryesohet nga  Genta Tafa Bungo. Gjyqtarja Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Për më shumë se një dekadë, Gjoka ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prej dhjetorit 2019, ajo është pjesë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ku për të siguruar një emërim të përhershëm i nevojitet të kalojë me sukses procesin e vetingut. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Irena Gjoka nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Irena Gjoka për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të Vettingut. Në deklarimin e saj për herë të parë në vitin 2003, gjyqtarja Irena Gjoka deklaron pasuri me vlerë rreth 2.4 milionë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare shënon rritje me 6 herë, duke kapur vlerën e 14.8 milionë lekëve. Pasuria e paluajtshme përbën pjesën kryesore të aseteve me 9.4 milionë lekë, ndërkohë që gjyqtarja Gjoka deklaron edhe 2.6 milionë lekë likujditete bankare, 750 mijë lekë kursime në cash, një automjet me vlerë 918 mijë lekë si dhe 1 milionë lekë huadhënie. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 27.7 milionë lekë. Rreth 57% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni të Znj. Gjoka, ndërsa të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti përmes biznesit në lojërat e fatit përbëjnë 36%. Bashkëshorti ka siguruar gjithashtu si pagë rreth 3% të totalit. Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, njëra prej tyre rezulton me diferenca negative. Në vitin 2007, subjekti deklaron si shtesë aseti një automjet me vlerë 15 mijë euro si dhe shtesa në valuta të ndryshme në llogaritë bankare prej 1.4 milionë lekësh, duke rezultuar me burime të pamjaftueshme për shtesën e aseteve në vlerën e rreth 256 mijë lekësh, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet e konsumit vjetor. Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” deklarimin e vitit 2004 për një llogari bankare si dhe huatë e marra për blerje asetesh. Në vitin 2004, Gjoka deklaron një llogari bankare prej 23 mijë dollarësh, duke sqaruar se pjesa takuese e saj është vetëm 4 mijë dollarë. Nuk është e qartë se kujt i takon pjesa tjetër e llogarisë së deklaruar. Gjithashtu gjatë periudhës deklaruese, gjyqtarja Gjoka deklaron se ka marrë 5 mijë euro hua nga babai për blerjen e një automjeti dhe 2 milionë lekë dhe 20 mijë euro nga vëllai për blerjen e një apartamenti. Në fund të vitit 2017, subjekti rezulton me 2.4 milionë lekë borxhe ndaj familjarëve të saj. Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik./BIRN /