Igli Totozani/ Sfidat dhe arritjet në veprimtarinë e Institucionit të Avokatit të popullit për vitin 2014

475
Sigal

Institucioni i Avokatit të Popullit, si një institucion kushtetues i vetëm në llojin e tij, gjatë veprimtarisë së tij 15 vjeçare, ashtu si ka korrur arritje në punën e tij dhe ka fituar “beteja”, ashtu edhe ka hasur një sërë sfidash. Roli dhe veprimtaria e një institucioni të tillë i bën mirë shoqërisë dhe kontribuon në pasjen e një demokracie të shëndetshme, por që kërkon një kulturë demokratike të të gjithë shoqërisë, e cila në Shqipëri shfaqet e vakët. Në këtë përsiatje të dëshirës, për të pasur kulturën demokratike, ku të pranohet mendimi ndryshe, të pranohet kritika, ashtu si dhe të pranohet propozime për zgjidhje të situatës, duke bashkuar forcat dhe asaj, që çfarë ekziston, puna e Institucionit të Avokatit të Popullit bëhet akoma dhe më e vështirë.  Emri i këtij institucioni është i madh dhe në syrin e publikut kompetencat e tij janë shumë të gjëra dhe fuqiplotë, në krahasim me ato që vetë ligji organik i atribuon. Arma më e fortë e Avokatit të Popullit është rekomandimi, i cili në vetvete nuk është i detyrueshëm për tu zbatuar dhe kjo passjell një sërë zhgënjimesh tek shtetasit, që i drejtohen për zgjidhjen konkrete të shqetësimeve të tyre. Shumë shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në një varfëri të tejskajshme, adresojnë kërkesën e tyre tek Institucioni i Avokatit të Popullit, për më shumë të ardhura, ose për një strehë, duke pasur bindjen e tyre të plotë se kjo mund të zgjidhet menjëherë, në mënyrë të suksesshme, por realiteti është shumë ndryshe.  Në një kohë që rekomandimi i Institucionit tonë nuk ka fuqi ligjore dhe detyruese, por varet në zbatim nga vullneti i punonjësve të administratës publike fillimisht për të kthyer përgjigje, ose për të pranuar konstatimin dhe sugjerimin dhe më pas për ta vënë në jetë atë. Kjo mënyrë e tillë, kjo mungesë e mjeteve të fuqishme ligjore, bën shpesh që puna e Institucionit tonë të jetë e vakët dhe e zgjatur, për rivendosjen në vend të të drejtave të shkelura. Kështu, shumë nga energjitë pozitive dhe fizike të stafit të Institucionit konsumohen në një drejtim jo të duhur, ndryshe nga institucionet e tjera kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Europë e më gjerë. Roli i Avokatit të Popullit është i dyfishtë, nga njëra anë është rojtar i respektimit dhe mbrojtjes të të drejtave të njeriut dhe nga ana tjetër, duhet të jetë një mediator i pranuar nga organet e administratës publike, me qëllim ndërmjetësimin e çështjeve të ndryshme, që adresohen nga ankuesit. Dhe kjo në një vend, ku polarizimi politik është dominant, çdo rekomandim që mund të bëhet politizohet nga kahet e ndryshme politike, sipas interesave përkatëse, duke e bërë shpeshherë si institucion, jo vetëm të papranueshëm, por edhe të politizuar. Kjo është sfiduese dhe dobëson rolin dhe veprimtarinë e një institucioni si Avokati i Popullit, i cili duhet të dalë mbi palët dhe mbi interesat politike. Sfiduese është edhe mungesa e njohurive demokratike dhe të të drejtave të njeriut dhe nga vetë shtetasit, të cilët kthehen në paragjykues të veprimtarisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, në rastet kur mbrohen të drejtat e grupeve vulnerabël, siç mund të jenë komuniteti rom, grupi i LGBT, etj. Të gjitha këto shqetësime, të cilat janë sfiduese për punën e Institucionit të Avokatit të Popullit, të cilat kanë qenë akoma më të pakonceptueshme në momentin e krijimit të tij, duan kohën e tyre që të ndryshojnë dhe kërkon procesin e saj të metamorfozës. Por, ajo që e shikon me skepticizëm sot është se edhe pas 15 vjetësh puna e këtij institucioni nuk është aspak e lehtë. Por, pavarësisht nga të gjitha, jemi të mendimit se me rritjen e kulturës demokratike në organet e administratës publike, por edhe me forcimin e kompetencave dhe nxitjen që mjete të tilla, si rekomandimi, që ndihen si “ligje të buta”, të konsiderohen si një detyrim për t’u zbatuar, me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e demokracisë.