Durrësit, kriza ekonomike, paralizohet sektori i ndërtimit, tregtisë dhe transportit

366
Sigal

Flet Kryebashkiaku, Vangjush Dako: “Nga bllokimi, 700 milionë lekë të reja minus në të ardhurat e Bashkisë “

Prej mëse 2 vjetësh kriza ekonomike ka përfshirë një prej sektorëve kyç të ekonomisë në Durrës, Ndërtimin, i cili mbante peshën kryesore dhe udhëhiqte zhvillimin ekonomik për më shumë se një dekadë. Nga ana tjetër shkrirja e KRRT-së, së bashkisë, shtatorin e vitit të shkuar, ka bllokuar thuajse tërësisht këtë sektor. Kriza në Sektorin e Ndërtimit shënon 700 milionë lekë të reja minus në të ardhurat e Bashkisë së Durrësit.

Reagimi

Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako i pyetur nga “Telegraf”, tha se, bashkia ka një rënie të të ardhurave për këtë vit, ndërsa rënien më të madhe e ka shënuar sektori i ndërtimit, ku si pasojë e bllokimit të lejeve të ndërtimit, rënia mesatare e të ardhurave shkon në masën 30%. “Në përgjithësi gjatë këtij viti kemi një rënie mesatare të ardhurave prej më shumë se 30% nga parashikimi i bërë në fillim të vitit, sepse të ardhurat kryesore përbëheshin nga të ardhurat e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Biznesi i vogël është i përfshirë nga kriza dhe kanë ulje të xhiros ditore. Për vitin 2012 ishte parashikuar plani i të ardhurave në 1 miliard e 300 milionë lekë të reja, si tetë mujor janë realizuar 663 milionë e 787 mijë lekë. Plani është realizuar në masë 75.2%, ndërsa në raport me një vit më parë realizimi i planit është në masën 51%. Taksa e ndikimit në infrastrukturë, e planifikuar 464 milionë lekë, është realizuar 100 milionë me një diferencë prej 200 milionë lekësh për këtë 8- mujor, në arkën e bashkisë.  Këtu ka ndikuar kriza ekonomike, por edhe bllokimi i lejeve dhe shkrirja e KRRT së Bashkisë së Durrësit”, -tha Dako.

Vendimi

 Me një vendim qeverie prej datës 30 shtator të vitit 2011, është bllokuar KRRT-ja e Bashkisë së Durrësit, deri në miratimin e ligjit të ri urbanistik, i cili shkrin organet e KRRT-së. Kreu i bashkisë, Vangjush Dako deklaron se, bllokimi i KRRT-së dhe i lejeve të ndërtimit për vitin 2011 solli minus 250 milionë lekë të reja në arkën e bashkisë nga mos mbledhja e taksës së ndikimit në infrastrukturë, ndërsa për vitin 2012, mbi 350 milionë lekë nuk janë në arkën e bashkisë. Ky vendim më së shumti penalizon pronarët e trojeve, ndërtuesit, njëkohësisht edhe të ardhurat e bashkisë, por u vë fre ndërtimeve kaotike, deklaroi Kryebashkiaku i Durrësit. Prej gati një viti Bashkia e Durrësit ka një plan rregullues dhe pritet miratimi i tij në KRRTRSH e Republikës. Zbatimi i këtij plani, do të thotë jo vetëm më pak ndërtime në qytet, por edhe më pak kate.

Kriza

Këtë fund viti, të pakta janë ndërtimet që bëhen në qytetin bregdetar, madje jo vetëm në ndërtesa shumëkatëshe, por ndërtime, nuk bëhen më si më parë as në banesa private, të cilat rikonstruktoheshin, apo ndërtoheshin nga fillimi, pothuajse në çdo lagje të qytetit bregdetar. Ndërtimet që bëhen janë me pikatore, ndërsa me dhjetëra e qindra apartamente të reja qëndrojnë të pa shitura prej një kohe të gjatë. Por duke u bllokuar sektori i ndërtimeve, i paralizuar është transporti, tregtia,    sepse ky sektor tërheq të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, ( çimenton hekurin, duraluminin, drurin, pllakat ) të prodhimit dhe të tregtisë. Nga viti 2009 e në vijim në Durrës llogariten se janë mbi 4500  apartamente të reja që kanë mbetur pa u shitur.