SHBA: Nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh Kosovë – Serbi

539
Sigal

Shtetet e Bashkuara theksuan të enjtën se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se bisedimet ndërmjet të dyja vendeve duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë.

Këto komente u bënë në një deklaratë të përbashkët të ambasadorit Richard Grenell i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovës – Serbi, ambasadori amerikanë në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah qytetarëve të Kosovës. “Ne i vlerësojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, ndonëse nën rrezik, për të penguar zgjerimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë të pasigurisë, ne i nxisim udhëheqësit e Kosovës që të veprojnë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues”.

Për më tepër, thuhet në deklaratë, “vazhdojmë t’u bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të heqin tarifat tërësisht. Besojmë se tarifat po dëmtojnë qytetarët e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përfshirë edhe pengimin e hyrjes në Kosovë të furnizimeve të nevojshme, dhe duke penguar rritjen ekonomike”.

“Duam ta bëjmë të qartë, se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë” thuhet në deklaratë në të cilën nënvizohet se “përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradën midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se ky vrull do t’i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e diplomatëve amerikanë u bë një ditë pasi që parlamenti i Kosovës miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, që u hodh nga Lidhja Demokratike.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të enjten se “qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”.

Gjatë debatit të së mërkurës në parlamentin e Kosovës, kryeministri Kurti u shpreh i bindur se “ka marrëveshje të gatshme”, ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për shkëmbim territoresh.

“Faktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti (Hashim Thaçi) në takimin me të. Për dy orë e takova, dhe a e dini çka më tha: ‘Hiqe kryeministër taksën dhe shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe e heqim qafe Serbinë. Këta kryeministrat tjerë janë kryeministra të emëruar, unë e ti jemi të zgjedhur nga populli’. Pra nuk është ideja me heq këtë qeveri për taksën, por me heq qeverinë e me i hap rrugë marrëveshjes. Këto pazare nuk mund të me kenë mua si bashkëpunëtor”, tha ai.

Të enjten mbrëma, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, falënderoi diplomatët amerikanë për deklaratën.

“Në duhet ta shfrytëzojmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për rifillimin e bisedimeve dhe për të arritur marrëveshjen përfundimtare për njohjen e ndërsjellë (Kosovë – Serbi) dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Lajmet e rreme dhe spekulimet janë kërcënim i vazhdueshëm për këtë synim”, shkroi ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke mirëpritur deklaratën e diplomatëve amerikanë tha se “kjo është prova më e mirë që dëshmon se ata ikën nga pushteti si pasojë e pazotësisë dhe jo nga frika për copëtimin e Kosovës. SHBA sonte demantuan spekulimet se ekziston një plan sekret për shkëmbim të territorit!”, shkroi ai.​

Nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, e cilësoi të mirë për Kosovën, deklaratën e diplomatëve amerikanë.

Në një postim në rrjetin facebook ai shkroi se duhet nënvizuar që “Grenell dhe Palmer pohojnë se SHBA do të bashkëpunojnë me secilën qeveri te Kosovës që del nga proceset kushtetuese. Pra, nuk kanë qëndrim kundër një subjekti, siç kanë bërë propagandë disa persona në Kosovë. Diplomatët kërkojnë respektim të kushtetutës dhe jo individë që e vendosin veten mbi kushtetutën dhe mbi institucionet. Proceset kushtetuese për qeverinë ofrojnë këto opsione: zgjedhje të reja, mandatim i LV nga presidenti, e deri atëherë, vazhdim me qeverinë në detyrë. Dhe proceset kushtetuese për dialogun thonë se e udhëheq kryeministri. Ata thonë se nuk kanë parë plan me shkëmbim. territorial. Kjo konfirmon edhe një herë se Thaçi të gjithë diskutimin publik dhe planin për shkëmbim territoresh e ka bërë pa u konsultuar me amerikanët, po vetëm me Vuçiqin”, shkroi zoti Bislimi.

Ai vëren se sic thotë, “megjithatë ka një ndryshim, më përpara thuhej se pranohet gjithçka që pajtohen palët (Serbia e Kosova), tash edhe pak mbetet që të kthehen te doktrina e vetme e arsyeshme, ajo që Kosova është e paprekshme në kufijtë e saj. Aleanca e Kosovës me ShBA ndërtohet pikërisht mbi principe të tilla”, shkroi ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shkroi ndërkaq se deklarata e diplomatëve të lartë amerikanë “se nuk ekziston një plan sekret për shkëmbime territoresh, është siguria më e madhe dhe garancia më e duhur që i nevojitet Kosovës sot për të ecur përpara”.

Në një postim në facebook ai tha se “kohën dhe energjinë më të madhe sa isha kryeministër, ia kam kushtuar luftimit të zërave konspirativ e të pasaktë, që dikur thonin se Amerika është për shkëmbim territoresh, duke synuar gabimisht largimin tonë nga aleati ynë historik, SHBA-të. Ai plan ka pasë mundësi të jetë në tavolina tjera, por asnjëherë në tavolinën e udhëhequr nga SHBA-të. Sonte, ndihem i përmbushur dhe i sigurt, që kjo bindje po konfirmohet edhe deklarativisht. Marrëdhëniet tona me Amerikën janë të pathyeshme, të pacenueshme, dhe të përhershme. Shtëpia e Bardhë dhe Washingtoni janë tempull i shenjtë i lirisë dhe pavarësisë sonë”, shkroi ai./VOA