ILDKPKI nis kontrollin financiar ndaj deputetit të PS-së, Alfred Peza

381

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), ka filluar kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ për deklaratat e interesave private të deputetit Alfred Peza.

Nisur nga njoftimet e mediave në lidhje me blerjen e aksioneve në një bankë nga bashkëshortja e deputetit, me vlerë rreth 1,13 miliardë lekë, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private që prej vitit 2003 të Alfred Pezës.

Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur.

Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme.