Hyqmet Zane: Harrohen dosjet e sigurimit, mbulohen dosjet e krimit të sotëm.

544
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Historia e dosjeve dhe kujtesa e shqiptarëve kudo ku jetojnë

Nuk mund të ve bast, por besoj se në këto 30 vjet fjala “Dosje” ze vendin e parë për nga përdorimi në fjalorin e përditshëm të shqiptarëve. Fjala “Dosje” në Shqipëri ka marrë një tingëllim negativ që nga koha e diktaturës dhe ata që i sajuan ato ishin sigurimsat e Enver Hoxhës. Disa syresh jetojnë edhe sot e kësaj dite dhe janë në krye të vendit, në Parlament, në Akademi, në Qeverisje, në Media të shkruara dhe televizive  dhe mes nesh që na sillen vërdallë dhe lehin si qentë e rrugëve. Lehin e lehin se atë punë dinë të bëjnë më mirë, se kështu i mësoi organi i sigurimit famëkeq sipas modelit të UDB dhe KGB.
Me të vërteta shërbyese dhe më shumë me të pavërteta, ato dosje kanë marrë jetë shqiptarësh, që më shumë nuk kanë pasur faj, por që ekzistojnë dhe brenda tyre ndodhen jetët e familjeve shqiptare që u burgosën dhe u internuan, u pushkatuan dhe u varën, shumë të të tjerëve nuk u dihen varret, por dosjet u kanë mbetur, ato dosjezezat që mbajtën peng një popull i tërë.

Ato dosje erdhën deri në ditët tona pas 1991 dhe vazhduan të përdoreshin edhe për shantazhe ndaj kundërshtarëve politikë. Vazhdoi kjo situatë deri në ditët e sotme, sa u bë proverbiale ajo “çanta e zezë” me dosjet e “Baba Takut” e që nuk dihet se çfarë mban brenda, se ai me gojën e tij ka thënë që i kam këtu dosjet, kuptohet ato të sajuarat e sigurimit.
Së fundi fjala “Dosje” u përdor edhe nga Sekretari Amerikan i Shtetit për ish kryeministrin Sali Berisha. Është e drejta e atij institucioni të thotë çfarë të dojë se kanë ligjësitë e tyre ata, por për ne shqiptarët  mori një tjetër referencë, sepse jemi mësuar që dosjet i përpunonin vetëm sigurimsat që mbajtën në këmbë diktaturën me ato dosje që u bënë të frikshme dhe vrastare. Më shumë se më intereson çështja e sjelljes së DASH ndaj ish kryeministrit dhe ish presidentit Sali Berisha, më shumë e kam fjalën tek ajo dosja e madhe e diktaturës që e jetuan dhe e pësuan shqiptarët që ka mbetur e padënuar, e pandëshkuar, por vetë fjalë të thëna  mediatikisht dhe që askush nuk është dënuar për diktaturën staliniste të zbatuar në këtë vend.
Nëse pati disa gjyqe të nomenklaturës që u kthyen në qesharake, ende sot e kësaj dite nuk është bërë një gjyq i madh, qoftë edhe formal për diktatorin Enver Hoxha. Nuk janë dënuar krimet e komunizmit me gjyq dhe jo me fjalë mediatike. Ai genocid komunist i 45 viteve që solli aq shumë vuajtje të një populli që jetoi si në një geto, ka mbetur si i anashkaluar, a thua sikur kemi qenë të lumtur apo që kemi qenë në rregull dhe jo që u bë një genocid shpirtëror dhe fizik kundër njeriut.

Nëse genocidi gjerman ndaj hebrejve u dënua botërisht, komunizmi vetëm ra po nuk u dënua si nazizmi se të dyja ishin ideologji vrastare, si edhe fashizmi. Kurse ata që u dënuan me gjyqe politike në diktaturë, asnjëherë nuk u shfajësuan për padrejtësinë që iu bë dhe sot, edhe në atë botën tjetër kanë mbetur të fajësuar dhe familjet e tyre mbetën me “njollën” e etiketuar nga gjykatat në “emër të popullit”.
E gjithë kjo situatë  ka sjelle pështjellim dhe në një formë a në një tjetër, bijtë e atyre baballarëve që bënë genocidin komunist, vazhdon në forma të tjera me metoda mafioze për të riakuzuar përsëri padrejtësisht dhe me një drejtësi që nuk u bë kurrë sipas së drejtës me një të ashtuquajtur “veting” që nuk po kuptohet se ku e ka drejtësinë, me ato që shohim dita ditës që bëhen në këtë vend.
Fjala “Dosje” është përdorur edhe nga PD, por më shumë nga PS si revansh dhe kërcënim për kundërshtarët politikë, se në fakt asnjëherë nuk kemi parë ndonjë të dënuar për ato dosje. Thuhet se janë në analizë apo edhe të denoncuara në SPAK dosjet e Gërdecit apo të 21 janarit, edhe pse ka pasur gjyqe dhe dënime. Por as dosja e zezë e 1997-ës, nuk u hap kurrë edhe pse u tha që ishte kështu edhe astu. Në kujtesën popullore kanë mbetur të pashlyera ato skena që u përdorën nga të majtët në Vlorë që sollën banditizmin si praktikë dhe model në pushtet dhe qeverisje me figura të diskredituara. Firmat piramidale që u ngritën me njerëz që erdhën nga Greqia dhe ish oficerë pa vlera të diktaturës,apo përdorimi i armëve nga banditët që shpërthyen bandat e jugut kundër qeverisjes, por edhe sjelljet e mëpasme të pushtetit me një luftë politike që solli shumë dëme, deri tek vrasja e simbolit të demokracisë Azem hajdarit, ishin një dosje e madhe që kurrë nuk u hapën dhe askush nuk u dënua. E kam fjalën për dënimin e ideatorëve dhe protagonistëve që bënë një dosje që asnjëherë nuk u gjykua.
Kurse dosjet e quajtura të Gërdecit dhe 21 Janarit po tunden si flamurë të pushtetit politik të Edi Ramës ndaj kundërshtarit të tij politik, veçanërisht ndaj Sali Berishës apo edhe ndaj Presidentit Ilir Meta. A thua në emër të drejtësisë së re e të reformuar ? Jo kurrë në emër të së drejtës, por të përdorimit të politkës ndaj kundërshtarëve. Se kush e kishte porositur Gërdecin që kamera e një televizioni e priste të ndodhte. Apo mënyra e organizimit të protestës së 21 janarit  me një grup paramilitarësh me hunj me një flamur dhe përdorimi i të gjitha sendeve të dhunshme kundër policisë nën dirigjimin e Tom Doshit dhe Edi Ramës që jepte urdhëra me lëvizjet e kokës.
Si shqiptar dhe si njeri kam dhimbje për humbjet e njerëzve, por si është e mundur që për 8 vjet me rradhë qeverisja e kryeministrit aktual nuk u bë e gjallë, por po e përdor tanimë si një goditje e re me fjalën “dosje”. Po aq kam dhimbje për ato jetët e njerëzve, shqiptarë që diktatura u vrau me metoda çnjerëzore dhe u zhduku edhe eshtrat dhe i la pa varr që t’i qanin familjarët.

Ajo që është e interesaura për këtë realitet është mazhoranca në pushtet që kriminalizimin e Parlamentit e përdori si kobure për kundërshtarët e vet dhe ata ndërkombëtarët duket sikur shmangen dhe heshtin, merren me të tjera modele dhe me leksione proverbash që japin në intervistat e tyre.
Në këto 8 vjet janë hapur me dhjetra e dhjetra dosje korrupsioni dhe kriminaliteti dhe nuk po shohim gjykimet e së drejtës ligjore. Përse ? Kush e pengon drejtësinë e vetingut që tanimë quhet e reformuar në formë, por jo në përmbajtje ? Sa e sa dosje kanë dëgjuar shqiptarët për vjedhjet e pakrahasueshme me asnjë shtet tjetër, por vetëm gjykime nuk ka. Sa e sa dosje të hapura ka për trafikantë dhe drogaxhinj dhe çdo gjë mbetet në zvarritjen me procedura ligjore. Po dosjet e hapura për votimet e Dibrës dhe Durrësit që bënë bujë ndërkombëtare, si është e mundur që u sfumuan dhe kanë shkuar në “kalendat greke” ?
Muaj pas muaji dhe vit pas viti janë hapur dosje të vjedhjeve të bankave dhe gjithëçka ka mbetur e mbyllur dhe nuk u jep drejtësi drejtësia përmes SPAK. Sot dita ditës po shohim dhe po përjetojmë vetgjyqësinë e kriminelëve, sepse policia nuk ka bërë detyrën e parandalimit të këtyre krimeve që e kanë kthyer Vlorën, Elbasanin dhe Shkodrën në Palermo shqiptare. Ajo që po bie më shumë në sy duket se manipulimi i dosjeve po duket se po bëhet me marifetet e specialistëve që i bëjnë hosanara pushtetit.
Po dosja e zgjedhejeve të 25 prillit që, sipas opozitës dhe asaj që kemi parë dhe dëgjuar dhe që flitet publikisht, është një dosje e zezë që po kërkohet ta fshehin edhe me ndihmën e disa ndërkombëtarëve. Të jemi të qartë se Zoti dhe ata që e kanë bërë shitblerjen e votave e dinë se çfarë kanë bërë dhe ndëshkimi po spostohet dhe heshtet dhe po sfumohen përmes daljes në dritë të “dosjes” së Dr.Sali Berishës e që u deshën 8 vjet që të thuhet një precedent i tillë që la pa fjalë të gjithë. Në librin “Proza antike greke” tek kapitulli “Këshilla për Domenikun” thuhet se “Të mos shpresosh kurrë se, në bëfsh ndonjë punë të ligë nuk do të merret vesh, se edhe në mos e mësofshin të tjerët, ti vete do ta dish dhe bashkë me ty edhe Zoti që i shikon të gjitha”.

Dolën më në fund në dritë edhe videot e dosjes për vrasjen e Klodian Rasha se si policia e vrau me dashje dhe vetë policia kërkoi ta manipulonte me komunikatat, prose për vrasjet e 21 janarit nuk po dimë se cila është vërtetësia e dosjes dhe e veprës se kush ishte i interesuar për të vrarë ata katër viktima fatkeqe. Sikur policia shqitpare e « nderuar » të kishte mundësinë të vriste kriminelët që vrasin rrugëve, do ishte ndryshe realiteti në Shqipëri.

Ata që dinë të heshtin për dosjet e diktaturës, që venë në krye të institucioneve njerëzit e diktaturës, që kanë dosje hajdutërie dhe kriminaliteti me shumicë, dinë të krijojnë situata me dosje të këtij apo atij si shantazhe politike dhe me keqardhje edhe me mbështetje ndërkombëtare, janë vrasësit e jetës së një populli që priste të rilindëte dhe iu rilind e keqja dhe krimi, iu rilind ikja nga mungesa e shpresës dhe papunësia, iu rilind mashtrimi dhe shitblerja e votimeve me modelin e dosjes « patronazhisti ».

Dosje pa fund. Të vjetra e të reja, të dukëshme e të padukëshme, në qarkullim e të zhdukura, disa në pritje për t’u përdorur, bile disa bosh e që presin të shkruhen. Por shumë më tepër dosje ndodhen në memorjen e popullit. Dosjet e çdo ngjarjeje në Shqipëri janë në kujtesën e shqiptarëve kudo ku jetojnë.