Av. Kujtim Cakrani: Pse ka dështuar gjykata administrative

730
Sigal

Tashmë të gjithë
e dimë që sistemi gjyqësor në këtë vend ka mjaft probleme, ka probleme të mëdha
në mënyrën si përzgjidhen gjyqtarët, dhe më pas, emërimi i tyre. Problemi i
vlerësimit dhe mbi të gjitha korrupsioni që është kthyer  një shqetësim i madh jo vetëm për Shqiptarët
por edhe për ndërkombëtarët. Në këtë shkrim nuk dua të ndalem tek korrupsioni i
gjyqtarëve në gjykata dhe në i prokurorëve në prokurori, por nga puna ime e
përditshme  dua të bëjë publik një tjetër
problem të madh shumë shqetësues që gjithashtu po ju kushton shumë qytetarëve
të këtij vendi, mosfunksionimi i gjykatave administrative dhe dështimi i plotë
i këtyre gjykatave. Duke qenë se, gjykatat shqiptare ishin të mbingarkuara me
çështje nga më të ndryshmet penale, civile, familjare, por mbi të gjitha
administrative, në vitin 2012 edhe pse Misioni i Asistencës Evropiane për
sistemin e drejtësisë, EURALIUS ishte kundër ngritjes se Gjykatave
Administrative në Shqipëri, nga Ministri i Drejtësisë së kohës, dhe parlamenti u
gjykua se, ndritja e një gjykate të re me emërtimin “Gjykata administrative” do
të ishte shumë efikase dhe funksionale jo vetëm për konfliktet e qytetarëve  me institucionet shtetërore por krijimi i
tyre do të lehtësonte shumë edhe konfliktet e biznesit me institucionet e
shtetit. Përpara kësaj situate emergjente parlamenti i kohësh me unanimitet
miratoi ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gj.
Administrative”. duke vendosur përfundimisht 
krijimin e këtyre gjykatave. Avantazhet që ofron në zgjidhje Gjykata
Administrative është çështja e afateve kohore për zgjidhjen e shpejtë të  mos marrëveshjeve administrative, gjykimi sa
më i shpejtë dhe i drejtë do të ishte efikas jo vetëm për nga fitimi i kohës
por edhe për nga zgjidhja sa më e drejtë e çështjes. Në të gjithë vendin u
krijuan 6 gjykata të shkallës së parë, dhe një gjykatë Apeli e cila u vendos në
Tiranë, gjithashtu edhe një seksion i veçantë në gjykatën e Lartë Tiranë, për
të gjykuar çështjet administrative. Në vitin 2013, nisi funksionimi i gjykatave
administrative, fillimisht u duk se gjykimi do të ishte i shpejtë që do të
thotë se, qytetarët do të përfundonin proceset gjyqësore brenda afateve 30
ditorë  në shkallën e parë, dhe brenda 30
ditëve  në gjykatën e Apelit, ashtu siç e
ka të parashikuar edhe ligji nr. 49 “Për organizimin dhe Funksionimin e Gj. Administrative”.
Por koha vërtetoi se, ngritja e këtyre 
gjykata nuk solli asnjë lloj përmirësimi nuk i dhanë qytetarëve asnjë
zgjidhje të shpejtë dhe brenda afateve të parashikuara nga ligji. Sot një proces
gjyqësor në gjykatën e shkallës së parë me gjithë zbardhjen e vendimit shkon në
rastin më të mirë 6 muaj, nëse llogarisim kohën e njoftimeve dhe përcjelljen e
dosjeve në gjykatën e apelit, qytetari duhet të presë edhe 2 muaj të tjerë.
Gjykimi në gjykatën e Apelit është një odise më vete për faktin se: Sot në
gjykatën e apelit Tiranë janë akoma pa u gjykuar ose janë në gjykim vendime të
ankimuara të vitit 2014-2015, ky është një turp shumë i madh që po ndodh,
askush nuk flet askush nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për këtë katrahurë që
po ndodh në gjykatat administrative. Natyrisht që reforma në drejtësi,
ndëshkimi dhe nxjerrja jashtë e organeve të drejtësisë të gjyqtarëve të paaftë
dhe të korruptuar është e mirëpritur por, nuk po dëgjojmë asnjë fjalë nga të
nderuarit ligjvënës për fatin e mijëra dosjeve që janë akoma në pritje për t`u
gjykuar në gjykatën e Apelit administrativë. Ky fakt nuk ka të bëjë me drejtësinë
e korruptuar por ka të bëj me mosfunksionimin e shtetit, dhe nëse në gjykatën e
Apelit Tiranë janë në pritje për t`u gjykuar mijëra vendime të ankimuara prej
vitit 2014, atëherë lind pyetja: Dosjet e ankimuara të vitit 2016 kur do të
gjykohen?

Ka ndodhur edhe
akoma më keq kur qytetari ka pritur dy vjet radhën  për t`u shqyrtuar çështja në gjykatën e
Apelit, dhe kjo gjykatë duke konstatuar shkelje procedurale apo të tjera e ka
kthyer përsëri atë për rigjykim në shkallën e parë, dhe për qytetarin odisea
fillon nga e para, që do të thotë një pritje tjetër prej dy apo më shumë
vjetësh për të. Që sipas një llogarie të thjeshtë ai ka pritur dy vjetë dhe i
duhet akoma dy apo më shumë vjet të tjerë që dosja e tij të shqyrtohet dhe
vendimi ndaj tij të marrë formën e prerë, pra 4 vjet pritje për një vendim
gjykate, deri në gjykatën e Apelit sepse nëse ai do të shkoj në gjykatën e
lartë duhen akoma edhe disa vjet

ë të tjerë.

Këto konstatime kanë lidhje vetëm me keq organizimin e gjykatës administrative,
pa folur për performancën e dobët të shumë gjyqtarëve dhe korrupsionin e disa
të tjerëve. Mjafton kjo gjendje e krijuar nga vet organet shtetërore  që e kanë për detyrë të tyre funksionale ta zgjidhin
këtë katrahurë që vet e kanë krijuar. Përpara kësaj situate natyrshëm që
qytetarëve shqiptarë u shkon mendja se korrupsioni në këtë vend nuk është vetëm
në gjykata por, është edhe në organet e tjera që kanë si detyrë mbikëqyrjen e
tyre. Ja pra, që sistemi i drejtësisë në këtë vend nuk ka emergjente vetëm
heqjen dhe ndëshkimin e gjyqtarëve të korruptuar por, ka nevojë urgjente edhe
për ndërtimin e infrastrukturës gjyqësore gjë që është po aq e nevojshme dhe e
rëndësishme sa reforma në drejtësi.
Në këtë situatë të krijuar, me gjykatat administrative, natyrshëm del në
përfundimin se: Gjykatat administrative në këtë vend kanë dështuar. Nëse
qytetarët presin dy apo tre vjet për të patur në dorë një vendim të formës së
prerë atëherë shpresa tek drejtësia është e humbur dhe kësaj historie i shkon
për shtatë epitafi: “Drejtësi e vonuar, Drejtësi e harruar”