Skënderbegasit ndër vite…”, monument i pavdekshëm i autorëve Boriçi e Fejzulla

1291
Arben Duka
Doli nga shtypi volumi i tretë i librit “Skënderbegasit ndër vite….”. Promovimi në kuadër të ‘Vitit të Skënderbeut” dhe 28 marsit. 73 vjetorit të hapjes së shkollës “Skënderbej”
Plot një vit më pas, pikërisht më 28 mars 2018, në ditën e përvjetorit të 73-të të hapjes së shkollës ushtarake “Skënderbej”, institucionit arsimor model në gjithë Shqipërinë, siç edhe kishin premtuar, shokët e miqtë e mi të ngushtë skënderbegas, autorët e njohur Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla, na dhanë pjesën e tretë të librit-enciklopedi, “Skënderbegasit ndër vite…”(Arkiva, personalitete dhe kujtime). Që në fillim, ashtu siç e kam theksuar edhe në dy vëllimet e mëparshme, e them me plot bindjen se kanë bërë një punë të shkëlqyer, kolosale në volum e cilësi, kanë ngritur e po betonojnë një lapidar për atë shkollë me histori të papërsëritshme, për mbi 36 mijë djelmoshat që kaluan në bankat e saj, për qindra mësues e mësuese, pedagogë, komandues dhe punonjës nga më të mirët në vend, për familjet e tyre që kanë qenë e do të mbeten krenarë. E them këtë, jo vetëm për faktin se kam qenë pjesë në përgatitjen e këtyre volumeve, kam derdhur shpirtin tim skënderbegas, jam brengosur për vështirësitë e dramat sikundër kam qarë me lot gëzimi e krenarie për shokët e mijë teksa rrinin bashkë në radhë me portretet, jetëshkrimet e kujtimet e tyre në këtë libër. Është pak që ne të gjithë të krenohemi e të themi me plot gojën se kemi emrin më të lavdishëm, emrin ‘Skënderbegas’! Të gjithë ne skënderbegasve, që kemi bërë e do bëjmë gjithçka, duke qenë në lartësitë e çdo fushe të jetës, mbi të gjitha vitalë, intelektualë të vijës së parë, punëtorë, të aftë, të ndershëm e mbi të gjitha atdhetarë, jo gjithmonë na kanë dashur, sidomos pushtetarët e tri dekadave të fundit, nuk na kanë dashur, veçse kur e kanë parë keq, sikundër janë rastet e krizës së fundit që thirrën në bllok ushtarakët dhe i vunë në krye të institucioneve më delikate. Dhe nuk na kanë dashur, thjeshtë se ne jemi më të mirët, dhe koha e të mirëve ka trokitur dhe për ‘shurdh-memecët’ me pushtet. Unë jam njeri i letrave, i ndjenjës, i vargut të këngës, i lirikës (jo për modesti, por e dini se këtu e kam të vështirë të lë njeri para në radhë) dhe ka një jetë që mendjen e fjalën time i kam vënë në dispozicion të njerëzve të ndershëm, të atdheut tim. Mbase kam përjetuar vështirësi jetike, por jo i kënaqësinë shpirtërore dhe frytin e punë së bërë. Dhe nuk kam bërë kompromis të hesht para çdo oferte, pasi nuk e kam në gjenin familjar, pasi jam skënderbegas. Të kthehemi pak tek volumi i tretë i “Skënderbegasit ndër vite…”, që kemi në duar… Ngaqë e kam lexuar në proces përgatitje, e them se është më i mirë, më i plotë. Se i tillë ka qenë angazhimi e puna e autorëve, e dhjetëra bashkëpunëtorëve skënderbegas e jo të tillë, që janë me qindra në këtë rast. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë. Libri ka një strukturë të përafërt me dy volumet e para, por është më i pasur në materiale dokumentare, me konceptim e strukturë të mirë organizuar dhe me një korrektesë profesionale në administrimin e gjithë materialeve. Që në nisje të librit që pason hyrjen dhe vlerësime të disa personaliteteve të njohura të vendit, do të njihemi me historikun zyrtar të shkollës së lavdishme “Skënderbej”. Qoftë dhe ky material zyrtar, me firmë e me vulë, i bërë publik për herë të parë, do të mjaftonte që ata që kanë ‘harruar’ dhe ata që janë më të rinj, të mësojnë se djersa e skënderbegasve është në ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi, në ndërtimin e hidrocentralit të parë në vend e deri tek ndërtimi i hidrocentraleve të Fierzës e Komanit (se nga 1990 e prapa, nuk ka ndërtuar kush vepra të tilla, veçse kanë shkatërruar e vjedhur), skënderbegasit bënë pyllëzimin e kodrave rreth Liqenit Artificial të Tiranës dhe periferitë e gjithë kryeqyteti… I shikoni rrepat e mëdhenj shumëvjeçarë buzë Lanës! I kanë mbjellë skënderbegasit. E nëse dikur kur ata të rrëzohen, dikush mes rrënjëve të tyre do të gjejë një shishe të vogël qelqi, brenda së cilës do të gjenden emrat e skuadrës së skënderbegasve që i kanë mbjellë. Skënderbegasit punuan në ndërtimin e rrugës së Malësisë së Madhe, në ndërtimin e hekurudhës Elbasan-Përrenjas; skënderbegasit ishin të parët ata që mes shkurreve e kafshëve të egra në Ksamil, aty ku është qyteza e sotme, ndritën fushimin ushtarak tarracuan kodrat që janë bërë sot plantacione me agrume.. Nuk ka aksion kombëtar që nuk kanë derdhur djersën skënderbegasit e kurdoherë janë vlerësuar të parët. E nisëm me aksionet, por mos harroni cilësinë e mësimit, pasi në mbi 90% të konkurseve për shkollat e mesme të Tiranës e në shkallë vendi kur janë bërë për lëndë të ndryshme, i kanë fituar skënderbegasit. Ndërsa në sport, shkolla “Skënderbej” ka qenë ‘fidanishtja” e sportistëve që furnizonte ekipin “Partizani” dhe ekipet kombëtare pothuaj në të gjitha sportet! Në këtë historik, ashtu si dhe në kapituj të veçantë, nëpërmjet dokumenteve zyrtare të kohës dhe kujtime të protagonistëve, për sa më sipër e shumë drejtime të tjera, do të gjeni datat, emrat e protagonistëve dhe hollësi të tjera..

Në libër, ndarja në kapituj, sipas drejtimeve, shtrirë në kontekstin e kohës, bën që dokumentet historike të shoqëruar dhe me foto të kohës, të jenë më të konceptueshme dhe më të qarta për lexuesin. Kujtimet e protagonistëve skënderbegas që u bënë mjekë, inxhinierë, deputetë, poet, shkrimtarë, këngëtarë, shkencëtarë, diplomatë, ministra e presidentë të vendit, ashtu sikundër dhe ato të skënderbegasve të thjeshtë që punuan me mjeshtëri gjithë jetën, vijnë në libër me gjuhën e zemrën e vetë rrëfimtarëve, duke sjellë tek kushdo që e lexon, admirim, respekt, por dhe lot zemre për ata djem të mrekullueshëm që ka nxjerrë kjo shkollë, pa të dytë. Nuk mungojnë në libër dhe personalitete skënderbegas që kanë bërë emër në emigrim, të cilët ndonëse ikën ilegalisht kufirit pasi shteti i kohës i quajti ‘mercenarë’, u hoqi bukën e gojës. Ata me punë, përkushtim, kanë arritur të integrohen me dinjitet atje ku janë, të jenë model në shumë fusha, duke vuajtur thellë në zemra, ashtu siç ndjejnë e duan skënderbegasit, mungesën e vendlindjes, njerëzve që kanë lënë në Shqipëri. Nuk mungojnë gjithashtu dhe dokumente, kujtime e vlerësime dhe për akte madhore të skënderbegasve e edukatorëve të tyre në pika kritike të historisë së vendit, ku ata për të mirën e këtij vendi, kanë sakrifikuar jetën e tyre. Ashtu si dhe dy volumet e para, dhe ky volum është pajisur me foto të shumta. Këto foto, që nga qindra portrete, momente nga mësimi, stërvitjet, nga gara sportive e mësimore, foto të kohës së lirë, nga aksionet e shumta, në klasa, kabinete, foto shoqërore, me komandues e mësues, jo vetëm sjellin në memorien e vetë skënderbegasve kujtime të papërsëritshme të një kohe të largët, por dhe një tablo të plotë për lexuesin e gjerë që lexon këtë libër. Në këto pak radhë, nuk dua të bëj vlerësim për vlerat e këtij libri, pasi ai ‘flet’ vetë, por dua të evidentoj dhe një herë vështirësitë dhe punën e stërmundimshme që kanë bërë autorët Fejzulla e Boriçi. Kushto që shkruan, është i kësaj fushe apo merr përsipër një gjë të tillë, e di mirë se çfarë kalvari kanë ndërmarrje të tilla. Por kur bëhet fjalë për një libër të tillë voluminoz, për një shkollë elitare me një histori të pasur e të veçantë, vështirësitë janë shumë më të mëdha. Nuk mjafton përkushtimi, talenti, por duhet dhe koha e vështirësi të tjera teknike, duhen ditë e net pa gjumë, duhet një kosto financiare jo e vogël, duhet përgjegjësi e saktësi. Por autorët ja kanë arritur plotësisht e duhen përgëzuar. Sigurisht, gjithë kjo punë voluminoze, me gjithë përpjekjet maksimale, mund të ketë dhe ndonjë detaj të munguar që do i pasuronte më tej vlerat, mund të jetë harruar dhe diçka që mbase duhej përfshirë në këtë volum, por dhe kjo është e natyrshme. Që këtu, nis puna për volumin tjetër.

Është thënë e është shkruar në këto shtatëdhjetë e ca vite për shkollën “Skënderbej” e prapë do të shkruhet, pasi shkollë si ajo, siç e kam thënë dhe herë të tjera, shkollë më e mira në Ballkan e më gjerë për kohën, vështirë se mund të vijë më. Por libri “Skënderbegasit ndër vite….”, është unikal, monument për lavdinë e kësaj shkolle, skënderbegasve, komanduesve, mësuesve e punonjësve të saj dhe njëkohësisht, një libër i veçantë për llojin e tij në Shqipëri.
Dhe një herë ‘Faleminderit’ autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla për këtë mrekulli që na jepni!
“Është thënë e është shkruar në këto shtatëdhjetë e ca vite për shkollën “Skënderbej” e prapë do të shkruhet, pasi shkollë si ajo, siç e kam thënë dhe herë të tjera, shkollë më e mira në Ballkan e më gjerë për kohën, vështirë se mund të vijë më. Por libri “Skënderbegasit ndër vite….”, është unikal, monument për lavdinë e kësaj shkolle, skënderbegasve, komanduesve, mësuesve e punonjësve të saj dhe njëkohësisht, një libër i veçantë për llojin e tij në Shqipëri. Dhe një herë ‘Faleminderit’ autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla për këtë mrekulli që na jepni!”
“…Djersa e skënderbegasve është në ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi, në ndërtimin e hidrocentraleve të Fierzës e Komanit, skënderbegasit bënë pyllëzimin e kodrave rreth Liqenit Artificial të Tiranës dhe periferitë e gjithë kryeqyteti… I shikoni rrepat e mëdhenj shumëvjeçarë buzë Lanës! I kanë mbjellë skënderbegasit. E, nëse një ditë, kur ata të rrëzohen, dikush mes rrënjëve të tyre do të gjejë një shishe të vogël qelqi, brenda së cilës do të gjenden emrat e skuadrës së skënderbegasve që i kanë mbjellë. Skënderbegasit punuan në ndërtimin e rrugës së Malësisë së Madhe, në ndërtimin e hekurudhës Elbasan-Përrenjas; skënderbegasit ishin të parët që taracuan kodrat e Ksamilit dhe ishin banorët e parë të kësaj qyteze”..
Në numrin e ardhshëm do të lexoni:
-Lista e kadetëve të parë që erdhën nga lufta më 28 mars 1945 në shkollën ushtarake “Skënderbej”
-Kush ishin kuadrot e parë ushtarakë, mësuesit dhe punonjësit ndihmës në ditën e parë të hapjes së shkollës “Skënderbej”. Lista e plotë.
-Kondigjentet e shkollës “Skënderbej” që studiuan në shkollat e mesme të Tiranës për llogari të ushtrisë.
Jemi skënderbegas

Nga Arben Duka
Tani jemi bërë,
Gjyshër-baballarë,
Po s’harrojmë kurrë,
Strehëzën e parë.
Strehëzën e parë,
Shkollën “Skënderbej”,
Ky emër-si gjaku,
Na rrjedh nëpër dej.
Atdheu-të vegjël,
Na kishte filiza,
Po ai na rriti,
Na bëri lisa.
Dhe na bëri lisa,
Në pyll’ të Lirisë,
Dhe ishim të gjithë,
Djemtë e vegjëlisë.
Djemtë e vegjëlisë,
Punëtorë e fshatarë,
Gati për beteja,
Në vijën e parë.
Plot me ideale,
Dhe me ëndërrime,
Aty more udhë,
Moj rinia ime.
Frymëzim të shenjtë,
Kishim Skënderbeun,
Në sy e në zemër,
Mbanim gjithë Atdheun.
Mbanim fushat-malet,
E gjithë Shqipërisë,
Prag i asaj shkolle,
Si pragu i shtëpisë.
Ai na përkundi,
Në djep dashurie,
Emri “Skëndebegas!”,
Emër krenarie!
Për jetë të gdhendur,
E kemi në ballë,
Jemi skënderbegas,
Sa të jemi gjallë.
Po dhe kur të sosim,
Këtu rrugëtimet,
Kur ne të mos jemi,
Do të jenë kujtimet!
Sigal