INTERVISTA/ Dr. Mel Ostreni: Sportistët shqiptarë mashtrohen nga biznesi i dopingut, shteti shqiptar të ndërhyjë

1018
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” Përgjegjësi i Mjekësisë Sportive pranë Agjencisë së Sporteve në Shqipëri, ja këndvështrimi i tij profesional për realitetin, si edhe për luftën anti-doping
Në sportin shqiptar, dhe kryesisht në Peshëngritje, ka vite që sportistë të veçantë kanë rezultuar pozitivë në përdorimin e substancave të ndaluara në sport, me doping. Duke qenë se ky fenomen po godet jo vetëm sportet, por edhe gjithë shoqërinë sportive në Shqipëri, gazeta “Telegraf” sjell sot mendimet e një specialisti të mirëfilltë në këtë fushë, Dr. Mel Ostreni. Në intervistën e tij, ai solli shumë raste, por solli edhe përvojën dhe detyrimet që duhet të ketë çdo sportist, trajner e në veçanti shteti shqiptar. “Edukimi e propaganda janë dy elementë shumë të rëndësishëm në luftën anti-doping. Sepse kjo luftë nuk është vetëm kur merren analizat, por ajo duhet të fillojë që në shkolla 8-vjeçare, të mesme e të larta, me çdo sportist dhe prindërit e tyre”, kështu deklaroi mes të tjera mjeku Ostreni, në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”.
Me të gjitha rastet që janë zbuluar, mos duket se dopingu po bëhet “fenomen” në disa sporte në Shqipëri?
Rastet janë raste, të cilat në vetvete nuk tregojnë vetëm përdorimin e substancave të ndaluara, por ato tregojnë edhe kulturën e dobët që kanë sportistë e drejtues në sporte, për përdorimin e substancave të ndaluara. Edukimi i tyre në këtë rast, është shumë i dobët.

Nisur nga fakti se kanë rezultuar me doping i sportistëve tanë, kryesisht peshëngritës, pse nuk bëhet trajtimi mjekësor i tyre kundër përdorimit të substancave të ndaluara?
Kush tha se nuk bëhet, por për peshëngritjen unë nuk prononcohem në këtë rast, sepse me ta kemi pasur probleme, pasi përgatitjet e tyre bëhen jashtë Shqipërisë dhe lidhja me ta ka qenë e shkëputur. Për sportet e tjerë, ekziston Komisioni Kombëtar Anti-Doping (KKAD), i cili me ndihmën e ndërkombëtareve kryen kontrolle anti-doping, veç futbollit.

Pse pikërisht kjo situatë me peshëngritjen, por edhe me futbollin?
Arsyet unë i përmenda më sipër për peshëngritjen, ndërsa për futbollin, që nga viti 2012 që kur nisi një organizim i mirë për çdo skuadër kombëtare në testet anti-doping, nuk ka asnjë marrëdhënie tjetër. Një shkëputje e pakuptueshme sa i përket këtij kontrolli të domosdoshëm.

Si bëhet organizimi stërvitor i sportistëve elitarë sot në raport me mjekët?
Nëse flasim për shumësportet, të gjithë vijnë në në qendrën mjekësore të Agjencisë Shqiptare të Sporteve. Nëse flasim për futbollin, kryesisht Kategorinë Superiore, në 10 ekipe, vetëm tre kanë mjekë të mirëfilltë që mund ta bëjnë një kontroll të tillë anti-doping. Të tjerët, në mëshirën e fatit. 

Cili është mekanizmi i marrjes së lëndës doping?
Mekanizmi i dopingut është: Metodika e marrjes së lëndës doping, e shpëlarjes dhe e mbulimit të saj. Kjo nuk bëhet brenda një dite, por do 2-3 javë e më shumë që të jepet një përgjigje profesionalisht e saktë.

Po Agjencia e Shërbimit të Sporteve, çfarë bën në këtë rast?
Pranë Agjencisë së Shërbimit të Sporteve është Qendra e Mjekësisë Sportive, e cila përkujdeset për të gjithë sportistët elitarë, ku përfshihen: Laboratori, fizioterapia dhe vizitat klinike. Por, shpesh sportistë të ndryshëm, kur kanë rezultatet të dobëta, apo rezultojnë pozitivë në doping, ngrenë problemin e mjekut. 

Si funksionon në Shqipëri ky lloj testimi?
Për sportistët elitarë, sikundër edhe dy rastet e fundit me peshëngritëset, vijnë nga VADA. Këta e ndihmojnë Shqipërinë me kontrolle të analizave dy herë në vit. Kjo bëhet në koordinim edhe me Komision Shqiptar Anti-Doping.

Po në rastin e mesfushorit të Skënderbeut, Bajram Jashanica, si qëndronte problemi?
Duke qenë se ekipi i Skënderbeut nuk ka mjek, por fizioterapist. Vllaznia, Kukësi e Partizani janë skuadrat që kanë mjekë sportivë, skuadrat e tjera përfaqësohen nga ndihmësmjekë, të cilët nuk janë të profilizuar profesionalisht ta bëjnë këtë punë, si në rastin e Jashanicës.

Ju si mjek specialist, ku i shikoni më shumë këto defekte?
Te largimi padrejtësisht i mjekëve nga skuadrat e futbollit, por edhe nga ekipet kombëtare shumësportëshe. Këtë unë e mendoj burimin kryesor të kësaj mangësie, të cilën ju e quajtët si një fenomen, të cilin edhe unë me tronditje e them se po bëhet i tillë.

Si funksionon në Shqipëri Komisioni Anti-Doping?
Ky Komision thuhet se është një strukturë e pavarur, por ka një vartësi nga MAS-i. Ai koordinon punën me VADA-n (Agjensia Ndërkombëtare Anti Doping), me filialin e saj në Evropën Juglindore. Këta e ndihmojnë Shqipërinë në marrjen e analizave e transportimin në laboratorët e tyre. 

Sa laboratorë ka VADA në Evropë?
Në Evropë janë rreth 18 laboratorë, por jo të gjithë janë aktivë. Kështu, Shqipëria i çon analizat në laboratorin e Athinës dhe në atë të Këlnit, të cilët kanë ekskluzivitetin për t’i bërë edhe publike përgjigjet e tyre për sportistët shqiptarë, të cilët testohen për doping.

Kur është ky organizimi, pse peshëngritja del periodikisht me doping, në emra të veçantë?
Nga Komiteti Anti Doping në Shqipëri, peshëngritja asnjëherë nuk ka rezultuar pozitive. Por, pasi u janë bërë kontrolle nga VADA, para ose pas garave, ata kanë rezultuar pozitivë, e këtu dalim në atë çka përmenda më sipër për menaxhimin mjekësor të sportistëve shqiptarë.

Sa efekt kanë deklaratat e ndryshme mediatike që bëhen, kryesisht pas kapjes me doping të sportistëve tanë?
Puna e studiove televizive, por edhe e mediave në Shqipëri është kundër rrymës së luftës kundër dopingut. Sepse aty flasin njerëz që nuk janë specialistë, të cilët nuk e dinë mekanizmin e tij. Kësisoj, ata kanë kontribut në dëmtimin e kësaj pune në vendin tonë dhe unë them se kjo duhet të ndalet urgjentisht. Promocionet për luftën anti-doping në media duhet ta bëjnë vetëm profesionistët. 

Në ç’kuptim e thoni për promocionin e luftës anti-doping?
Edukimi e propaganda janë dy elementë shumë të rëndësishëm në luftën anti-doping. Sepse kjo luftë nuk është vetëm kur merren analizat, por ajo duhet të fillojë që në shkolla 8-vjeçare, të mesme e të larta, me çdo sportist dhe prindërit e tyre.

Është bërë në Shqipëri kjo propagandë që ju e veçoni në luftën anti-doping?
Komiteti Anti-Doping në Shqipëri e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë këtë punë, por shteti shqiptar duhet të kthehet seriozisht nga ky fenomen. Sepse këtë komision e ka cunguar në financa e logjistikë, që në një farë mënyre, ja ka zbehur misionin që ai ka në luftën anti-doping.

Çfarë sugjeroni ju në përmirësimin e punëve në luftën anti-doping në Shqipëri?
Së pari, shteti duhet që të detyrojë strukturat mjekësore në klube e federata që ta bëjnë mirë këtë propagandë. Krahas Komisionit Anti-Doping në Shqipëri, duhet të funksionojë mirë në këtë aspekt edhe KOKSH-i, sepse deri më sot ai nuk është marrë seriozisht në luftën anti-doping në sportin shqiptar. Duhet propagandë, por duhet edhe luftë kundër dopingut.
Puna e studiove televizive, por edhe e mediave në Shqipëri është kundër rrymës së duhur në luftën kundër dopingut. Për ta bërë edhe më konkrete luftën anti-doping në sportin shqiptar, kërkohet që shteti këtë ta vendosë në programin e edukimit në shkolla, sepse edukimi e propaganda janë dy elementë shumë të rëndësishëm në luftën anti-doping 
Ekziston mendimi dhe ka kritika këtu në Shqipëri, sa herë që dalin sportistë pozitivë në testet anti-doping. Analizat e tyre janë bërë para çdo gare, nën mbikëqyrjen e VADA-s dhe të koduara. Por, më parë se kjo, janë sportistët, trajnerët e mjekët e tyre që duhet të parandalojnë çdo përdorim të paligjshëm

Sugjerimet e mjekut Ostreni
Edukimi për luftën anti-doping të fillojë që në shkolla
“Për ta bërë edhe më konkrete luftën në parandalimin e përdorimit të lëndëve të ndaluara në sportin shqiptar, kërkohet që shteti këtë ta vendosë në programin e edukimit në shkolla. Kjo është shumë e rëndësishme, nëse do të pretendojmë që të jemi të pastër, të jemi në luftë të hapur e në çdo kohë kundër dopingut në sportin shqiptar. Kjo nuk është vetëm punë fushatash, sepse është një fenomen që vazhdon në çdo periudhë. Luftohet me njerëz të përgatitur, me logjistikë e financa. Shqipëria nuk e bën dot një laborator anti-doping, sepse ai kushton 300 mijë euro e sipër dhe më pas ka kosto të madhe vjetore në plotësimin e kushteve teknike, ndoshta të papërballueshme për shtetin tonë. Por, edhe analizat janë shumë të kushtueshme”. 
Ligji i ri për Sportin, të jetë më i ashpër ndaj Dopingut
“Duke e parë këtë si një fenomen që në trendin e tij shënon rritje në sportin shqiptar, qeveria duhet që në Ligjin e ri për Sportin, të cilit po i bëhen amendimet e fundit, të vendoset detyrimisht kontrolli i vazhdueshëm në përdorimin e substancave doping në sport. Kjo duhet të futet edhe në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, me qëllim që çdo përdorues të ndjejë forcën e ligjit. Në vendet e BE-së kështu funksionon, madje edhe Prokuroritë duhet që të hapin dosje të veçanta për këtë fenomen. Ndërsa shteti shqiptar, duhet që të jetë më serioz në këtë luftë, të rritë buxhetin e Komisionit Shtetëror Anti-Doping, dhe aty të mos atashojë vullnetarë, por specialistë të luftës kundër dopingut. Kjo duhet bërë seriozisht”.
Dukuria e fundit, rezultojnë pozitive dy femra peshëngritëse
Nga muaji dhjetor 2017 e deri në mars 2018, një dukuri që nuk mund të mohohet është duke u bërë protagoniste. Fjala është për përdorimin e lëndëve të ndaluara narkotike nga sportistet tona; Romela Begaj dhe Evangjeli Veli. Të dyja këto janë sportiste elitare, madje për këtë nivel, Evangjelisë iu dha javë më parë edhe një Bursë Olimpike me 800 dollarë në muaj nga KOKSH-i. Romela Begaj u testua pas Kampionatit Botëror që u zhvillua në USA në fundin e muajit nëntor e fillimin e muajit dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Evangjelia këto ditë, kur edhe pritet që të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, i cili do të zhvillohet në Bukuresht në Rumanisë, nga data 26 mars e deri më 1 prill 2018. Testimi për Evangjeli Velin u bë në Shqipëri, ndryshe nga ai i Romela Begajt, dhe analizat e para treguan se peshëngritësja ka marrë substancën e ndaluar, dhe ajo është pezulluar për momentin nga aktiviteti, Kampionati Evropian.
Sigal