Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: “Tango”

765
Dy vajza të vogla që shisnin biskota në hyrje të Market Basket, ato biskotat e bëra me dorë, ma pështjelluan mendjen dhe gati gati harrova krejt se për çfarë hyra te blej në supermarket . 

– Sir, do you want some cokies? 
– I ke bërë vetë? 
– I ka bërë nëna jonë. Unë me motrën vetëm i shesim. 
– Po pse nuk del nëna t’i shesë vetë biskotat ? 
– Nëna nuk ka kohë se bën dy punë. Në mëngjes punon në fabrikën e paketimit të ilaçeve. Dhe në darkë vonë, punon part time në spital. 
– Babai ndoshta.- thashë unë. 
– Zotëri- ndërhyri një zonjë disi e moshuar duke m’u drejtuar me zë të ulët, sikur të më pëshpëriste në vesh – e kuptoj që dukesh njeri i dhimbshëm, por nuk është as vendi dhe as momenti t’ua kujtosh babain. Kush e di se ku gjendet ai. Ndoshta babai i tyre nuk është fare në pikturë… 

– Thank you madam- i thashë, dhe e ndjeva se e kisha tepruar me kuriozitetin tim. E lashë zonjën aty me dy vajzat që shisnin biskota dhe hyra të blej çfarë kisha 

ndërmend. Në më pak se sa një gjysmë ore, zonja që më qortoi u bë njeriu për të cilin flitej në gjithë supermarketin. Çfarë kishte ndodhur me të dhe me dy vajzat e vogla që shisnin biskota u përhap me shpejtësi skëterre. Ndërsa po paguaja për pesë limonat dhe tufën e hudhrave që kisha blerë, kasieri, një djalë zezak që dukej se nuk i kishte as pesëmbëdhjetë vjeç më tha gjithë gëzim me sytë e përndritur: 

– I pe ato vajzat e vogla që shisnin biskota në hyrje të marketit ? I shitën të gjitha biskotat. Zonja Plum, ajo me kapele ngjyrë portokalli ua bleu të gjitha biskotat për gjashtëqind dollarë. Çfarë fati ë? 

U shokova krejt nga lajmi sepse nuk arrija ta kuptoja se si dhe qysh u bë e mundur që në vetëm një gjysmë ore qëkurse zonja Plum, ajo me kapele ngjyrë portokalli, më qortoi mua, vogëlushet i shitën biskotat. Dhe, unë,as që pata mundësi të blej qoftë edhe dy te vetme, kur të dilja nga marketi e t’ia çoja sime shoqeje që i ka aq për zemër. E gjithë kjo më kujtoi nënën që më thoshte: “Çfarë të sjell dekiku, nuk ta sjell as viti…” Atë çfarë tha kasieri e morën vesh edhe nja pesë gjashtë njerëz të tjerë që ishin në radhë pas meje të vinin në konvejer çfarë kishin blerë dhe, të paguanin si unë. Dhe, sa çel e mbyll sytë, fjala fluturoi nga një kasier te tjetri, pastaj në magazinat e mallrave, aq sa mua më dukej se njerëzia nuk kishin tjetër çfarë të bisedonin, përveçse për zonjën Plum dhe dy vajzat e vogla që shisnin biskota. 

– Si do të paguash, me kartë krediti apo me kartë debiti?- më pyeti sërish kasieri. 
– Me kartë debiti- i thashë. 
– Do para kesh? 
– Po ,- i thashë- tridhjetë dollarë… Në çastin që po merrja faturën dhe paratë kesh, zotëria që kisha pas, ai që kishte një dorë ortopedike, më tha: 
– Nuk pate fat, po të ishe pas meje në radhë, do t’i kishe marrë limonët dhe hudhrat falas, do të t’i paguaja unë. 
– Ou,- bëra cudi unë – a thua se dikush më kishte shkundur pas shpatullave krejt pa papritur. Po pse?

– Thjesht, dua të celebrojmë sa jemi këtu në radhë gjestin e zonjës Plum që bleu biskotat e vajzave në hyrje të marketit. Ja pse… Kështu, pra, (dhe ktheu kokën pas) ju të gjashtë që jeni pas meje i keni te paguara nga unë gjithçka keni blerë sot. Pagova, dhe për kuriozitetin tim desha të rrija ta shoh zotërinë me dorë ortopedike se si do te paguante nga xhepi i tij vetëm që të kënaqte veten dhe gjashtë të tjerë duke festuar gjestin e zonjës Plum. Por, pastaj, vrik i thirra mendjes, dhe thashë me vete se nuk duhej ta teproja për së dyti me kuriozitetin tim. Njëherë e teprova kur i pyeta vajzat e vogla për babain e tyre, gjë që e bëri zonjën Plum të më qortonte. Nuk kisha faqe të përballoja një qortim të dytë. Sepse, larg qoftë, zotëria me dorë ortopedike mund edhe të ma nxinte faqen e të ma bënte blozë faqe të tjerëve në një mënyrë që mua as mund të më shkonte ndërmend. 

– E çmoj shumë gjestin tuaj bujar – i thashë zotërisë me dorë ortopedike në të ikur. Do të kisha dashur që zonja Plum ta kishte marrë vesh gjestin tënd… 
– Nuk është nevoja ta dije – tha zotëria me dorë ortopedike .- Por ti je krejt i lirë të dëshmosh se si e celebruam ne gjestin e zonjës Plum këtu. 
– Do ta bëj,- i thashë. Si vajta në parking, hapa derën e pasme të makinës dhe vura qesen me hudhra dhe limonë mbi sedilje. Mbylla derën dhe, për çudi nuk po bëhesha mbarë të hyja në makinë, ta ndizja dhe të nisesha për në shtëpi. Më pushtoi një dëshirë e papërmbajtur që aty në parking t’ia tregoja dikujt me gojën time se çfarë ndodhi me vajzat që shisnin biskota, çfarë bëri zonja Plum dhe, pastaj çfarë bujarie tregoi me njerëz krejt të panjohur zotëria me dorë ortopedike. Ndenja ashtu nja pesë gjashtë minuta në këmbë dhe mund të kisha ndenjur edhe një orë. Ndërkaq, për fatin tim, ia behu një vajzë e re që parkoi në vendparkimin bosh në të majtë të makinës sime. 

– Po prisja dikë- i thashë- dikë që t’i jap një lajm. Gëzohem që erdhe ti e para. 
– Pa hë, me thuaj, është lajm i mirë apo lajm i keq, do Zoti nuk është i tillë – tha vajza. 

Ia tregova fill e për pe se çfarë ndodhi në pothuaj një orë me vajzat që shisnin biskota, çfarë bëri zonja Plum, dhe më në fund, si e zbrazi kuletën e tij për njerëz të panjohur zotëria me dorë ortopedike. Ajo vuri buzën në gaz, i qeshi fytyra dhe nga e qeshura iu formuan dy gropëza te vockla që ia hijeshuan edhe më shumë faqet e mollta. Po, ama edhe unë sikur u lehtësova nga një peshë e rëndë. M’u duk sikur e hoqa nga shpatullat e mija vetë gurin e Sizifit… Ngrita kokën lart dhe sytë më zunë një re të bardhë në një qiell të dlirë si lot fëmije.
Sigal