Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Moderatorja

240
Sigal

Asnjëherë nuk kisha menduar se mund të argëtohesha dhe, në të njëjtën kohë, do të lëndohesha aq shumë përballë një femre gjithë hire, i ftuar në një TV, çka gjithkush e dëshiron, sidomos kur flitet për krijimtari e përvoja, pra në rrethana të tilla dhe kaq pranë çudirave të një… s’di si quhen këto çikat që drejtojnë sot emisione soj-soj, që janë të bukura dhe e tjerrin mirë bisedën, pra një aso kam parasysh dhe them që disi e kam njohur me atë rast, por në fakt, i dyzuar isha e mbeta, pasi më parë kisha dëgjuar se gjatë një emisioni ajo kishte ngulur këmbë që Lufta e Dytë Botërore kishte ndodhur në vitet ‘60 dhe, kur ishte ftilluar që jo, por gjithsesi kish pasur ato kohë një ‘luftë të ftohtë’ mes dy botëve kundërshtare, kokëtulja ish hedhur përpjetë, që ja, luftë ishte, ç’rëndësi ka emri, Lufta e dytë apo Lufta e Ftohtë… kurse njëherë tjetër, ndërsa në studio kishte rënë fjala për Maliqin e, duke qenë se një nga rojet e TV quhej Maliq, ajo nuk po kuptonte çfarë kish ndodhur (po e kërkonte i dashuri, ishte ndonjë bisedë e ndërprerë në mes me shefin lart, roja nuk komunikonte dot me të) dhe kështu ia kishte këputur, kodra pas bregut, që kjo s’ishte punë rojesh, mirëpo ca çaste më vonë, sapo që kishte mësuar se ishte fjalë për një qytet të vogël diku në Juglindje, pranë Korçës, ku gjendej dikur e vetmja Fabrikë Sheqeri e Alkooli në vend, ndërsa emri i qytezës lidhej edhe me tharjen e një kënete, në të cilën, gjithnjë dikur, krahas të tjerave, për pak sa nuk kishte lënë kockat Mitrush Kuteli, ajo kishte pyetur tullë: kush është ky (?) e, me gjithë këto episode argëtuese, nuk e kishin larguar nga ekrani, sepse, të mos kemi iluzione, ajo vajzë ishte plot sharm dhe pozonte në një mënyrë të tillë sikur të gjendej në krevat, gjë që tash nuk po më trazonte aspak teksa, në atë bisedë me fat, ja tek u ktheva ku isha nisur, dhashë të përafroja romanin tim me termin poemë, pra një poemë për raportet njerëzore, kurse ajo më pyeti goja plot: sa vargje ka (?) pa le që më pas, ndërsa u rreka të shpjegoja në ç’kuptim ish përdorur fjala ‘Poemë’, duke pasur parasysh momentet lirike të librit, moderatorja kërkoi të dinte nëse lirika është ndonjë nga personazhet e romanit, çka prapë nuk qe fundi i botës, sepse kur erdhi fjala te peizazhet në faqet e librit, ajo u interesua të dinte se mos unë isha piktor (?) sado që ia ktheva me dashamirësi që duhej njohur e respektuar pak më shumë homonimia, pra zemra, mos u ngut, jo për gjë, por nuk mbaronin xhevahiret, sepse më tej, kur përmenda epitetin altruist, ajo e ‘përktheu’ turist, por siç i thonë fjalës ‘ka edhe më’, sepse kur dëgjoi që heroi i romanit kujton me nostalgji lojërat tradicionale për fëmijët e të rinjtë dhe u përmend ‘Kalaja Dibrançe’, ajo më pyeti sakaq: është në Dibër (?) e kur po ia shpjegoja që s’ishte fjala për ndonjë kala, por për një lojë popullore, moderatorja u inspirua sakaq dhe më pyeti nëse ajo (loja) zhvillohet në stadium, po mirë edhe atje mund të zhvillohet, por më praktike do të ishte në një piknik, ani se prapë më duhej të ngulja këmbë në linjën time e të thosha se ëndërroja që dikush t’i qasej romanit për ta sjellë në kinema, kurse ajo, pa e bërë dysh, pyeti në cilën, në “Millenium” (?) ah, jo mo jo, se më plase, është fjala ta bëjnë film njëherë, pa shohim për kinematë, pika na rëntë në ç’duar kemi rënë, sepse në fund, qershia mbi tortë ishte një pyetje si nga fshati (Ku e ke marrë ngjarjen?) kurse unë po mendoja, por nuk ia bëra asaj pyetjen: po ti, ku e ke bërë shkollën (?) ndërkohë që ajo… do të jetë përherë atje, e bukur dhe tërheqëse, rëndom gjysmë e zhveshur, gjithnjë e ndriçuar nga projektorët dhe vështrimet e lajkatarëve, do të zhvillojë ‘biseda’ pas të cilave do të ndahet shumë miqësisht me të ftuarit, sado që buzëqeshjet janë false dhe ka të tjera gjëra më të qendrueshme, sepse, më në fund, bukuria sfidon gjithçka, pra ‘ylli’ në fjalë (VIP i thonë nganjëherë) mbetet një moderatore e angazhuar, një gazetare (Oops!) e kërkuar, që së paku fizikisht shkëlqen në çdo çast e, me siguri, do të vazhdojë të shkëlqejë edhe më tej, se për të tjerat, për Zotin, nuk është faji i saj… që do të thotë… ose mund të thotë… por sigurisht… apo jo… eh, pra fjala ishte… ashtu po…