Speciale nga Agron Kaja: Kush është beratasi 68 vjeçar, Gëzim Jatagani, mjeshtër i penalltive e golave nga kornet,që konkuron me yjet e futbollit botëror

 

Edhe Messi-n e sfidoj me gola diagonalë e penallti

NOA

Gëzim Jatagani është 68 vjeçari beratas që çdo ditë stërvitet në stadium e jashtë tij me xhonglimin, gjuajtjen e penalltive të sakta e preçize, por edhe për realizimin e golave nga pozicione diagonale shumë të vështira. Në stadiumin “Tomori” ai “vidhet” për t’u përgatitur, sepse hapësirat janë të pakta për të. Por si me porosi, në shkallët e tij mblidhen dhjetra e qindra të pasionuar që ndjekin nga afër artin që Gëzimi përciell gjatë veprimeve me topin. Ndoshta duket paradoks, por ëndërra e fëminisë së tij po bëhet realitet në moshën e tretë, ndërkohë që vetë Jatagani tregon se ka më shumë se 33 vite që stërvitet në fusha e stadiume së bashku me topin, ndërsa tregon se këto veprime i ka kryer edhe në skena të ndryshme.

Nisje me pasion e zhgënjim

“Unë nuk kam qenë futbollist profesionist, sepse familja ime ka qenë e varfër dhe me shumë fëmijë. Por unë kudo në lagjet e Beratit dallohesha në përdorimin e topit me xhonglime, por edhe në realizimin e golave nga pozicione diagonalë”, kështu e nisi bisedën Gëzim Jatagani, pasi e mbylli seancën stërvitore në stadiumin “Tomori”, e cila u ndoq nga dhjetra tifozë për gati dy orë. Edhe pse ishte një ditë e ftohtë dhe me erë, qytetarët beratas gjetën argëtimin e tyre të pasdites pikërisht te shkallët e stadiumit “Tomori” për të ndjekur “spektaklin” që Gëzimi iu afroi. Dhe ai tregohet i drejpërdrejtë që në fillimet e bisedës me gazetën “Telegraf”, ndoshta edhe i pamësuar me pyetjet e mediave. “Më parë se t’u tregoj për pasionin tim që në nisje të tij, po tregohem pak “modest” dhe më shumë “egoist”. Unë jam në gjendje të realizoj gola nga pozicione shumë të vështira, aq sa jam gati që edhe Lionel Messi-n ta sfidoj”.

Po çfarë bën Gëzim Jatagani që sot është objekt i faqeve të Gazetës “Telegraf”? “Kur isha në shkollën fillore u regjistrova në kursin e futbollit te Shtëpia e Pionierit në Berat. Për tre-katër vite shkoja me pasion çdo pasdite, duke mos lënë pas dore edhe mësimet. Shpesh edhe pa ngrënë kam shkuar në stërvitje, sepse kemi qenë familje e varfër në atë kohë. Vazhdova deri në klasën e shtatë, kur një ditë shkuam me vonesë në stërvitje së bashku me shokun tim të fëminisë, Gëzim Spahiun, i cili më pas arriti të luante me Tomorin dhe u bë një arbitër futbolli shumë i mirë. Profesori na largoi dhe unë nuk shkova asnjëherë tjetër. Ky ishte një zhgënjim për mua që më vrau shumë në ndërgjegje”, kështu tregon Gëzimi për këtë pasion, të cilin nuk e la që t’i humbiste rrugëve të jetës.

Xhongler në lagje e në qytet.

Kur ishte në shkollën 8-vjeçare e më pas, ka qenë i preferuar i qytetarisë dhe më pas i doli “nami” i mirë në gjithë qytetin e Beratit. Argëtimi që ai u sillte atyre në fushat e lagjeve dhe te ish-stadiumi i vjetër, kryesisht me golat preçizë e xhonglimet, shpesh e bënin edhe më tërheqëse stërvitshmërinë e skuadrës së Tomorit. “Në lagjen time argëtohesha me topin çdo ditë për shumë orë. Madje me shokët shkonim edhe në lagje të tjera për të luajtur dhe unë e nisja dhe e mbyllja lojën me xhonglime e gola të vështirë për t’i realizuar. Te stadiumi i vjetër shkoja dy tre herë në javë, sepse atëhere ishte shumë e vështirë që t’i shfrytëzoje ato pak ambiente të tij. Veç xhonglimeve, aty shpesh gjuaja penallti me futbollistë të kohës. Dhe a e dini si kam dalë? Gjithmonë fitues, aq sa mësuesit e fizkulturës Teli Zaho e Valentin Karaja kërkonin që ta përsëritja çdo veprim me topin edhe në pushimin e gjatë, apo edhe në orën e mësimit. Në moshën e shkollës së mesme dhe gjatë shërbimit të detyrueshëm ushtarak, unë kam qenë “objektivi” i atyre njerëzve që futbollin e pëlqenin edhe nëpërmjet veprimeve individuale me topin”, kështu e përmbledh Jatagani CV-në e tij sportive.

Më parë se t’u tregoj për pasionin tim që në nisje të tij, do tregohem pak modest dhe më shumë “egoist”. Unë jam në gjendje të realizoj gola nga pozicione shumë të vështira, aq sa jam gati që edhe Lionel Messi-n ta sfidoj

Nga stadium i ri, në Greqi e kthim

Në 4-5 vitet e para të ndërtimit të stadiumit të ri në Berat (1985-1990), Gëzimi ka patur shumë pak hapësira për t’u stërvitur, kryesisht për arsye biografike. Ndaj ai më shumë i besoi stadiumit të vjetër deri në vitin 1990 kur si qindra mijë shqiptarë të tjerë emigroi në Greqi. “U largova nga Shqipëri në vitin 1990 dhe emigrova në Greqi për më shumë se 10 vite. Kam qenë në ishullin Andros ku nuk kishte fushë futbolli, por aty nuk kam patur një herë kohë të lirë e pushim. Me xhonglimet në rërën e plazhit dhe me gjuajtje në porta të improvizuara, kam tërhequr qindra e mijra pushues nga e gjithë Bota. Në fundin e vitit 2013 u ktheva në Berat, dhe në këto tetë vite jam non-stop në stadium. Gjatë këtyre viteve kam patur disa herë kërkesa për t’u shfaqur në televizione e gazeta, dhe biseda me ju (Gazeta Telegraf) është respekt për çka kam bërë, por edhe për vazhdimësi sa të kem jetë”.

Tre të veçanta

 Stërvitje pa duhan dhe pa alkool

Për Gëzim Jataganin, jeta pa duhan dhe alkool është çelsi i shëndetshmërisë së tij pa asnjë sëmundje e gjithnjë pranë futbollit. “Jo vetëm se unë kam pasion futbollin dhe kam mbi 50 vite që stërvitem më shumë individualisht, por edhe vetë këto dy vese që dëmtojnë shëndetin nuk i kam dashur asnjëherë. Pa duhan-pa alkool!”.

Ëndër për xhonglime kuqezi

Gëzimi ka një ëndërr, të cilën kërkon ta realizojë edhe nëpërmjet gazetës “Telegraf”. “Kam bërë xhonglime në shumë fusha, në stadiume dhe në skena teatri e estrade në Shqipëri, por e kam ëndërr që këto veprime t’i kryej një herë gjatë një ndeshje të Kombëtares sonë. Gazeta juaj do më ndihmojë ta realizoj ëndrrën”.

Tifoz i veçantë, pasion Realin

Edhe në tifozerinë e tij, Gëzimi ka qenë i veçantë, sepse preferon vetëm katër skuadra. “Unë asnjëherë nuk shoh skuadra të tjera të futbollit, ku këtu në Shqipëri ndjek me pasion Tomorin e Kombëtaren. Në Europë bëj tifo për Realin e Madridit dhe në Botë për Brazilin. Vetëm këto skuadra admiroj”.