Dyshohet se ndihmoi në vrasjen e Behar Sofisë! Lihet në burg Bujar Leza

220
Sigal

Bujar Lezajt, i cili u arrestua ditën e djeshme si i përfshirë në vrasjen e Behar Sofisë, i është komunikuar ditën e sotme masa e sigurisë.

Gjykata e Posaçme e ka lënë 45-vjeçarin në burg pasi sipas prokurorisë dyshohet se ai është personi që ka siguruar armën dhe biçikletën me të cilën u largua nga vendi i ngjarjes autori i vrasjes.

Burime nga gjykata bëjnë të ditur se Lezaj e ka mohuar akuzën dhe është përlotur në sallë.

Ndërkaq kujtojmë se si autor kryesor për ekzekutimin e 66-vjeçarit është identifikuar 24-vjeçari Ernejt Shytaj, i cili në dëshminë e tij ka pranuar se ka vrarë Behar Sofinë, më 25 shkurt pranë qendrës së Tiranës.

Kurse në burg në lidhje me këtë ngjarje janë edhe Xhuljano Visha 28 vjeç, Leonard Xhixha 30 vjeç dhe Skënder Vathi 54 vjeç.

Behar Sofia, një emër i njohur për drejtësinë në fushën e narkotikëve, u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit të 2021 në një atentat që iu bë tek Rruga e Elbasanit, pranë Piramidës në kryeqytet.