Si u ndërtua Uzina e Riparimit të Artilerisë dhe qitja me radarin japones

623
Sigal

Ofiçina kishte repartet e riparimit të artilerisë, armëve të këmbësorisë, optikës, radio-telefonisë, makinave të shkrimit

Si u ndërtua Uzina e Riparimit të Artilerisë me dekret të KANÇ-it

Në librin “Industria Ushtarake Shqiptare”, autori i tij, inxhinjeri detar, Oficer Madhor Fatosh Voshtina shkruan se në 10 dhjetor 1944, menjëherë pas çlirimit të vendit, me dekret të KANÇ-it krijohet Ofiçina Qëndrore e Artilerisë (OQA). Kjo e bën “Uzinën e Artilerisë” pionieren e industrisë mekanike në Shqipëri.

Fillimisht ajo u vendos aty ku sot është Ministria e Mbrojtjes (ish – Akademia Ushtarake), në kapanonet ku edhe ishte grumbulluar armatimi trofe. Fillimisht kishte një kolektiv prej 20 vetësh, teknikë armatimi të njësive partizane. Në vitin 1945, ofiçina zhvendoset te kapanonet pas Politeknikumit në Rrugën Jordan Misja, ku u bashkua dhe me bazën teknike të Korparmatës së I-rë. Aty, njëkohësisht u quajt dhe “Reparti Ushtarak 1437”.

Ofiçina kishte repartet e riparimit të artilerisë, armëve të këmbësorisë, optikës, radio-telefonisë, makinave të shkrimit dhe repartin marangoz për pjesët prej druri të armatimit dhe arkat e municionit. Po aty ishin dhe reparti saraç për qepjen e mushamave dhe këllëfëve të armatimit, të rripave, të çantave e deri te prodhimi i shtretërve, gavetave, fshesave, etj. Fuqia punëtore arriti deri 200 vetë.

Në vitin 1947, nga ofiçina hiqen prodhimet e tjera dhe mbeten vetëm riparimi i armëve të artilerisë, këmbësorisë, optika, si dhe repartet saraç, marangoz, elektrik, kovaçana, fonderia dhe ofiçina lëvizëse e riparimit të artilerisë. Në këtë moment, ofiçina kalon në vartësi të Komandës së Artilerisë.

Në vitin 1957, OQA kishte Drejtor, Oficer Madhor ing. Stavri Andoni dhe kryeinxhinjer, Oficer Madhor Dhimitër Sherko.

Në vitin 1966 ofiçina u transferua te kodra me ullishte te Ura e Brarit, aty ku edhe mbylli aktivitetin e saj pas viteve 90-të. Projekti u realizua nga I.S.P.V.M. Në këtë moment u quajt “Uzina e Artilerisë” dhe në tetor të atij viti u quajt “Uzina 18 Tetori”, për nder të datës 18.10.1943, kur nga Kodrat e Saukut u qëllua me top asambleja e mbledhur në pallatin mbretëror.

Në tërë aktivitetin e saj, uzina kreu riparimin e të tëra kalibrave të artilerisë tokësore, detare dhe kundërajrore, si dhe të armëve të këmbësorisë dhe instrumentave optikë të llojeve të ndryshme.

Në vitin 1995 transformohet në Shoqëri Anonime me vetfinancim dhe pak vite më pas e mbylli përgjithmonë aktivitetin. Uzina e Artilerisë dhe ndërmarrjet e tjera ushtarake të Tiranës, transferuan bazën teknike dhe u mblodhën së bashku te ish – Uzina e Tankeve (!), sa për të thënë se do të “vazhdonin” punën, por në të vërtetë ishte fundi i mjeshtërisë teknike të arritur prej vitesh.

Në Rrugën Myslym Keta, atë që nis te Rruga e Dibrës (ish – Rruga-Ura) e deri te Ura e Brarit, majtas dhe djathtas saj ishin të tëra ndërmarrjet ushtarake të Tiranës (përveç NPV), që fillonin me Ndërtimet Ushtarake pranë Kafes së Rremës dhe po aty ishin ndërmarrjet e Radio-Llokacionit, Kimikja, e Xhenjos, Autoreparti pak më majtas, Uzina e Tankeve, Laboratori i Kimisë dhe e fundit, saktësisht te Ura e Brarit ishte dhe Uzina e Artilerisë, me ndërtesat në mes të ullinjve.

Sipas disa punonjësve, si vit për krijimin e uzinës merrej viti 1946 dhe ndoshta kjo kishte të bënte me momentin e ndarjes nga prodhimet e përgjithshme dhe përqëndrimin vetëm te riparimi i armëve të zjarrit.

Siç shihet, fotot i përkasin periudhës kur ishte ndërprerë aktiviteti dhe duken punimet për Rrugën e Arbërit.

 

Sul Domi i raporton Mehmet Shehut :“Specialistët e Portit të Durrësit dhe ABD-së realizuan radarin për bateritë e ABD-së”

Nëntor 1980 realizohet qitja eksperimentale me radarin japonez JMA-310

(radar detar japonez i modifikuar nga specialistët tanë)

Në dokumentet e arkivit dhe në nja dy-tri raste kur përmendet në kujtime artiljerësh, jepet kjo markë, ndërsa sipas ing. Remzi Hoxhës, që në atë kohë drejtonte laboratorin e radarëve të portit, ishte JRC-325. Vlera e njerit prej tyre ishte rreth 3000-4000 $ për copë. Nga kërkimi në internet dalin si JRC JMA – …, por ky “325” nuk del.

Shkrimi është bërë sipas asaj të dëgjuar nga Sul Domi (drejtor i artilerisë në MMP), shumë vite më parë dhe nga disa shënime arkivore, si dhe nga detaje të treguara nga ing. Remzi Hoxha.

Sul Domi i raporton Mehmet Shehut (në 26 prill 1980, Ministër i Mbrojtjes ishte bërë Kadri Hazbiu)

“Specialistët e Portit të Durrësit dhe ABD-së realizuan radarin për bateritë e ABD-së” – i them kryeministrit.

“Hë mo, mos i beso të gjitha sa të thonë, se duan të lavdërohen” – m’u kthye menjëherë ai.

“Shoku Mehmet! Po Ju njoftoj se realizuam dhe qitjen me sukses” – i them përsëri.

“Vërtet?!” – tha.

(I bukur reagimi i Mehmet Shehut, që në vitet e shumta të punës kishte parë e dëgjuar nga të tëra dhe nuk i besonte kollaj ato që i thuheshin)

Qitja u krye te bateria 130 mm e Currilave, por nuk di ta them nëse me topat bregdetarë 130 mm B-13 (të cilët ishin të vetmit që erdhën nga BRSS të kompletuar me radiollokator), apo u soll aty ndonjë kalibër tjetër i ABD-së për provë.

Siç e kam shkruar dhe në një postim të mëparshëm (me rastin e daljes së urdhërit për prodhim, më 19 gusht 1982), në këtë punë dhanë kontributin e tyre disa specialistë civilë dhe ushtarakë që për mungesë informacioni e kam të pamundur që t`i përmend të gjithë, por si nga bisedat ashtu dhe nga sa ka shkruar artiljeri Jaho Serjani te libri për ABD-në, mund të përmend Lefter Klemon (k.inxhinier i MKA-së në MMP), ing. Remzi Hoxhën (drejtues i laboratorit të radarëve në port), artiljerin Ismet Demishaj (komandant i R4ABD), Ing. Ruzhdi Milaqin (shef i radiollokatorëve në R4ABD), “Lelo” nga laboratori i radarëve të portit, etj.

Ky radar njihej nga specialistët tanë se ishte i montuar te disa peshkatore apo anije shqiptare. Radarët e anijeve rrotullohen 360 gradë, ndërsa për artilerinë bregdetare duhet të lëvizë aq sa është sektori i zjarrit që mbulon bateria. Që këtu niste dhe modifikimi.

Në këtë punë, përveç specialistëve të portit dhe ushtarakëve, u desh dhe ndihma e ministrit të komunikacioneve Luan Babameto. Përsëri sipas Sul Domit, specialistët e radarëve thanë se e realizonin modifikimin e nevojshëm, por për të realizuar projektin u duhej një radar i ri nga magazina për t`u zbërthyer dhe për këtë duhej dhe një urdhër i ministrit përkatës. Një telefon e një takim shoqëror me të dhe menjëherë doli urdhëri i nevojshëm.

Do të jenë me interes plotësimet që mund të bëhen nga artiljerë apo specialistë që janë marrë me këtë punë apo i kanë përdorur pas prodhimit dhe shpërndarjes nëpër bateritë e ABD-së.

R4ABD – Regjimenti IV i Artilerisë Bregdetare, Durrës.