Si u çlirua Vlora më 15 tetor 1944

220
Sigal

Vlora, ashtu si dhe në 1920, do të ishte e sakrifikuara e madhe për lirinë e pavarësinë e Atdheut,

Përgatiti Albert Z. ZHOLI

Sot Vlora mbush plot 77-vjet nga çlirimi nga nazifashistët. 15 tetori është dita e çlirimit të Vlorës nga pushtuesit nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kjo ditë erdhi pas përpjekjeve të mëdha që bëri populli ynë në vitet e zjarrta të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në atë periudhë, Vlora ishte një nga vatrat e rëndësishme të rezistencës antifashiste, ku pushtuesit fashistë italianë dhe nazistët gjermanë, si dhe veglat e tyre provuan trimërinë, guximin dhe vetëmohimin shqiptar në vazhdën e luftërave shqiptare për liri dhe pavarësi kombëtare. Demonstratat antifashiste, pritat, aksionet dhe luftimet në Gjorm, Llogara, Drashovicë, Selenicë, Malin e Bardhë, bënë që populli i Vlorës të shënojë faqe të lavdishme në historinë e Shqipërisë.
Në këtë kuadër, me vendimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, u krijua më 20 maj 1944 edhe Brigada e 12-S. Ishin ditët kur armiku përpiqej me të gjitha mënyrat të pengonte zhvillimin e punimeve të Kongresit Historik të Përmetit.

Partizanët e Brigadës luftuan me trimëri kundër armikut shumë të madh në numër, i pajisur më së miri me teknikë luftarake. Në ditët e para të qershorit 1944, Brigada e 12-S, së bashku me Brigadën e 7-S, zhvilluan luftime të përgjakshme në Therepel, në Vokopolë dhe në Qafë të Shkozës. Gjatë 20 ditëve lufte në rrethim, partizanët trima të Brigadës së 12-S i dhanë armikut goditje të fuqishme, i shkaktuan dëme të mëdha. Pas këtyre veprimeve, Shtabi i Përgjithshëm e urdhëroi Brigadën e 12 të godiste trupat hitleriane nga Saranda deri në Topallti.

 

Nga fundi i korrikut deri në fillim të gushtit, Brigada çliroi me luftë të ashpër Himarën dhe Borshin. Më 22 shtator, në bashkëveprim me forcat e Brigadës së 14-S, partizanët e Brigadës së 12-S shpartalluan forcat armike në Qafën e Kakomesë. Në këtë luftim mbetën të vrarë rreth 80 hitlerianë dhe u zunë robër 30 prej tyre, si dhe shumë materiale luftarake. Kështu më 9 tetor 1944, armiku pësoi dëme të mëdha dhe qyteti i Sarandës u çlirua njëherë e përgjithmonë. Dështimi i operacionit gjerman i qershorit i vitit 1944 dhe humbjet e njëpasnjëshme e gjermanëve në frontin Rus të luftës, i dha zemër ushtrisë Nacionalçlirimtare që të hidheshin në një sulm frontal e përfundimtar, me qëllim, çlirimin e plotë të vendit. Në fundin e muajit shtator në ditët e para të tetorit 1994, janë zhvilluar luftime të ashpra në rrethinat e Vlorës, ku gjermanët kërkonin me çdo kusht të fitonin territore, të cilat tashmë mbroheshin me të gjitha forcat nga partizanët dhe popullsia vendase. Ndërsa luftohej jashtë qytetit, brenda në qytet, dita ditës rritej besimi i popullatës se do të ishte e afërt dita e largimit të gjermanëve nga Vlora, ku përditë nëpërmjet komunikatave qarkori i Vlorës i bënte thirrje popullatës që të ruante qetësinë e t’i bashkohej e të ndihmonte me çfarë të mundte forcat partizane që luftonin përreth qytetit. Njësitë guerrile të qytetit të Vlorës, kishin zënë vend në pikat kyçe që mund të dëmtonte armikun, si në kaptazhin e ujit të ftohtë, në depon e ujit të qytetit, në centralin elektrik, në distilerinë “Skënderbej”, në parkun e automjeteve, etj. Nga ana tjetër nazistët gjermanë dhe mercenarët e Halil Alisë, ishin të vetëm në qytet dhe bënin përpjekjet e fundit për të shpëtuar nga rrethimi. Nga frika e madhe, gjermanët shtuan rojet në çdo kënd të qytetit. Në qytet kishte rënë një hije e rëndë dhe e zymtë. Në datën 13 dhe 14 tetor 1944, nazistët gjermanë patrullonin me forca të shumta dhe prisnin ardhjen e trupave të tjera gjermane nga jugu i Shqipërisë, që do të kalonin nga Vlora, si e vetmja rrugë për tërheqjen e tyre, drejt veriut. Nata e 14 tetorit, do të mbetet e paharruar në kujtesën dhe në zemrat e popullit të Vlorës. Atë natë dukej sikur i gjithë qyteti flinte, por në të vërtetë vlonte dhe vigjilonte. Çasti vendimtarë erdhi, në orën 03.30, të datës 15 tetor, u dha sinjali i sulmit me shpërthimin e një bombe dore dhe tre të shtëna me pushkë. Britma e çlirimit “para partizanë”, gjëmimi i mitralozëve nga qafa e Koçiut, kalaja e Kaninës, kodrat e ujit të ftohtë dhe sulmi i befasishëm i partizanëve, buçisnin nga të katër anët e qytetit.

Natën e 15 tetorit, kur forcat partizane të brigadës së 12 sulmuese, do të hynin në qytet, nuk do të gjenin asnjë gjerman, pasi këta ishin larguar në fshehtësi të plotë, për në drejtim të fierit. Batalionet e brigadës së 12 kishin marrë urdhër që forcat gjermane të sulmoheshin nga të gjitha drejtimet, hyrjet për në qytet, por gjermanët ishin larguar pa zhurmë e në disfatë të plotë, duke lënë nga mbrapa një qytet të terrorizuar, ndryshe nga si kishin ardhur, kur e kishin pushtuar atë, plot zhurmë e eufori. Hyrja e partizanëve të parë në qytet, u shoqërua në popullatën e Vlorës me lajmin për ikjen e gjermanëve nga qyteti dhe çlirimin e Vlorës prej tyre. Në orën 7 të 15 tetorit, në qytet hynë të parët, partizanët e batalionit të dytë e të tretë, pak më vonë hyri batalioni i parë dhe ai i rinisë. Në qytet kishte nisur festa. Ata që e kanë jetuar atë natë tregojnë për njerëz të të gjitha moshave që dilnin nëpër rrugët e qytetit dhe gëzonin duke kënduar këngë patriotike e duke përqafuar njëri-tjetrin. Por ndërsa qyteti i Vlorës ishte i lirë prej gjermanëve, në ishullin e Sazanit kishin mbetur ende ushtarë gjermanë, ndaj dhe u vendos çlirimi edhe i ishullit të vetëm shqiptar. Në orën 14 të datës 22 tetor 1944, ishulli u çlirua pas 30 vitesh pushtimi nazifashist, që kur e pushtuan për herë të parë italianët në vitin 1914. Në 77 vjetorin e çlirimit të Atdheut, Vlora dhe krahinat e saj, janë krenare për kontributin e dhënë për luftën antifashiste dhe fitoren e kësaj lufte, duke qenë në ballë të sakrificave e të rënëve për liri. Ashtu si në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë së Shqipërisë, Vlora do të mbante peshën më të madhe të luftës, ku do të spikaste me betejat e zhvilluara në territorin e saj kundër pushtuesve italianë e më mbas atyre nazistë apo dhe në krijimin e një brigade partizane, e tëra me bij e bija të krahinës së Vlorës. Vlora, ashtu si dhe në 1920, do të ishte e sakrifikuara e madhe për lirinë e pavarësinë e Atdheut, duke dëshmuar edhe njëherë në historinë e Shqipërisë se është vigjilente dhe e gatshme për të mbrojtur atdheun, flamurin, sa herë që janë në rrezik fatet e vendit.
Më 15 tetor 1944, pas një sulmi të rrufeshëm Brigada çliroi Vlorën dhe i detyroi trupat naziste të tërhiqen me shpejtësi përtej Vjosës. Pas çlirimit të Vlorës, Shtabi i Përgjithshëm, ngarkoi me detyrën e shenjtë për çlirimin e ishullit të Sazanit partizanët e Brigadës së 12. Më datë 21 tetor 1944, në mbrëmje, u nis me një varkë të vogël për në Ishullin e Sazanit një skuadër partizane prej 9 vetësh.
Mbas shumë vështirësish, në agim, datë 22 tetor, zbarkuan në jug-lindje të ishullit(në vendin që quhet Plazhi I Admiralit).

Qyteti i Vlorës

Vlora është një qytet bregdetar në jugperëndim të Shqipërisë. Vlora është qyteti i dytë më i madh portual pas Durrësit, me një popullsi prej 188.922 banorë[2] (1 janar 2020). Ndodhet në jugperëndim të Shqipërisë, në Detin Adriatik dhe është qendra e Bashkisë së Vlorës dhe Qarkut të Vlorës. Është qyteti ku është shpallur Deklarata e Pavarësisë Shqiptare më 28 nëntor 1912. Themeluar në shekullin e VI p.e.s. me emrin Aulona dhe vazhdimisht i banuar për rreth 26 shekuj, Vlora është shtëpi për Portin e Vlorës dhe Universitetin e Vlorës si qyteti më i rëndësishëm ekonomik dhe kulturor i Shqipërisë jugperëndimore. Qytet i lashtë dhe një nga portet kryesore të Shqipërisë. Ndodhet në jugperëndim të vendit, buzë Adriatikut. Në lashtësi njihej me emrin Aulona. Gjurmët më të hershme i takojnë shek. VI p.e.s. Në shek. IV rrethohet me mure guri të latuar. Duke qenë një nyje e rrugëve tokësore e detare, i njohur për verën, ullinjtë e kripën, u bë porti kryesor i Ilirisë pas rënies së Apolonisë e Orikumit. Në mesjetë fatet e qytetit lidhen me kështjellën e Kaninës. Më 1081 u pushtua nga normanët, më 1205 nga Venediku, pastaj kaloi në sundimin e Hohënshtaufëve gjermanë dhe më 1272 u përfshi në mbretërinë e Arbërisë.

Gjeografi arab Ibn Batuta e përmend në qindvjetin e X  si një ngulim të rëndësishëm. Gjatë dy luftërave të perandorit Aleksi I Komneni kundër Robert Guiskardit dhe Bohemondit, Vlora përmendet shpesh, ndërsa pas një përkatësie thuajse shtatëqindvjeçare bizantine, pushtohet nga normanët, që e qeverisën vetëm katër vjet.