Ish kapiteni i Vaporit “Tirana”: Flota Tregëtare dhe transoqeanikët që u ankoruan në 100 porte të botës

2497
Sigal

Rrëfimi për “Telegraf” i  Fore Kureta, ish-kapiteni i vaporit 12 mijë tonësh “Tirana”

 

Befasia, si dëgjuam në portin e Gjermanisë Perëndimore altopolantët me  himnin shqiptar

Autoritetet portuale gjermane: Na jepni një flamurin tuaj kombëtar për ta ngritur

-Si sillnim pantallona xhins, bluza me lule, çimçakëza dhe sapunë “Lux”

– Anijet shqiptare hynin në më shumë se 100 porte të botës

-Në Angli Angli ne kemi çuar verë, bimë të ndryshme medicinale si dhe bitum

-Si u habitën Anglezët kur blemë 8 makina të rënda “Centaur” 40 tonësh

-Ngarkesa më e vështirë ka qenë transporti i dy kullave të mëdha që u montuan në Azotikun e Fierit

ANIJET E PARA

Rikrijimi i flotës me anije hekuri

Historia e lundrimit detar shqiptar nuk është e ndarë nga ajo botërorja. Kjo ka filluar që në shekuj dhe në zhvillimin e saj janë përdorur mjete dhe forma nga më të ndryshmet. Por fill pas çlirimit të vendin nga pushtimi nazi-fashist, si në shumë sektorë të tjerë, u mendua dhe për ngritjen e flotës tregtare shqiptare. Deri në atë kohë, Shqipëria poseidonte vetëm anije të vogla prej druri. Në kuadër të rreshtimit ndër shtetet që pësuan dëme nga fashizmi dhe nazizmi, Shqipëria përfitoi pa paguar asgjë, mes të tjerave edhe tri anije tregtare. Dy prej tyre, “Sazani” dhe “Butrinti” 500 tonëshe erdhën fare të reja pas vitit 1961 nga Gjermania, ndërsa “Teuta” 1500 tonëshe, edhe kjo e re, në të njëjtën periudhë erdhi nga Italia. Më pas flota tregtare shqiptare u furnizua dhe me avulloret polake. Kështu u quajtën anijet “Durrësi” (5000 ton), “Partizani” dhe “Liria” (2500 tonëshe), të cilat erdhën në vitin 1961 nga Polonia, krejt të reja, por që viheshin në punë me anë të avullit të prodhuar nga djegia e mazutit. Anijet përshkonin detet e të gjithë botës, duke u përdorur edhe për tregtinë me Kinën. Tre anijet ishin marrë nga Polonia me klering, pra jo me të holla, por duke u këmbyer me minerale të ndryshme.

Në portin Gjerman

Nderimi i perëndimorëve për vendin komunist

Ka qenë një çast shumë emocionues dhe ish kuadri i lartë i Flotës Tregtare, Fore Kureta, sërish ndjen emocion kur e kujton: “Gjatë një udhëtimi ku ishim ngarkuar me mall në një nga portet e Polonisë, marr urdhër që të hyja në një port të Gjermanisë Perëndimore, për të tërhequr 600 ton pajisje që do të përdoreshin në sektorin e naftës. Ishte hera e parë që një anije shqiptare hynte në një port të Gjermanisë Perëndimore, sepse ne në atë kohë nuk kishim marrëdhënie diplomatike me ta, por vetëm me Gjermaninë Lindore. Teksa futeshim në port, u befasuam, sepse dëgjuam nga altopolantët himnin shqiptar. Sapo u akostuam në bankinë erdhën autoritetet portuale dhe na bënë një kërkesë. “Ne kemi himnin e Shqipërisë por nuk kemi një flamurin tuajin. A mund të na jepi një të tillë”. Dhe ne patjetër që ua dhamë një të tillë. Pasi morëm ngarkesën dhe po dilnin nga porti, dëgjuam sërish nga altopolantët himnin shqiptar dhe pamë që të ngrihej flamuri ynë në shenjë nderimi. Atëherë dhe i gjithë ekuipazhi ynë u reshtua mbi kuvertë për të nderuar këtë gjest”.

 

Vështirësitë

Mund të qëndroje deri në gjashtë muaj pa e parë familjen, gruan dhe fëmijët dhe kjo nuk ishte një sakrificë e vogël. Por marinarët e kanë një fat të tillë. Në detin e trazuar dhe me ngarkesa të veçanta, ata duhet të ishin vazhdimisht në përgjim, sepse pikërisht atëherë, motori mund të jepte një defekt të rëndë, në hambarët me mall konsumi mund të binte zjarr, apo ndonjë nga paretet anësore mund të feste ujë. Atëherë gjendja bëhej edhe më e rëndë. Ndërsa ata, të gjithë së bashku u duhej të luftonin për ta rregulluar defektin e motorit, për ta shuar zjarrin, apo për ta eleminuar vatrën që fuste ujë, sepse vetëm kështu, të gjithë ata, së bashku me ngarkesën që u ishte besuar, do të mbërrinin në tokë. Dhe pasi kishin paraqitur forcën në autoritetet portuale, ishin të lirë të shkonin për të riparë familjet e tyre, dhe për të çuar dhuratat e shumëpritura, ndonjë palë pantallona xhins, disa bluza me lule, çimçakëza dhe disa sapunë “Lux”.

Shqipëria bënte tregti vetëm me vendet e lindjes, apo dhe me perëndimin?

Ne bënin tregti me këdo, thekson për “Telegraf.com” Fore Kureta. Nuk mund të mendohej Shqipëria si një vend i mbyllur. Anijet shqiptare hynin në më shumë se 100 porte të botës. Në fillim, kur zbrisnin në portet e perëndimit na vinin roje për të na vëzhguar, sepse nuk kishin besim. Por ekuipazhet tona ishin shumë të rregullta dhe shumë shpejt u krijua besimi tek ne. Unë vetë, me anijen “Durrësi” por dhe me “Skënderbeun” kam shkuar për herë për parë në një port të Gjermanisë Perëndimore, por dhe në Holandë, e në Angli, pa përmendur Italinë Francën dhe gjithë portet e Mesdheut.

Çfarë kontratash kishte Shqipëria me një shtet si Anglia?

Nga kontratat me Angli ne kemi çuar verë, bimë të ndryshme medicinale si dhe bitum. Por në një ngarkesë kur lundroja me “Skënderbeun” kam marrë urdhër të akustohesha në një port të Londrës, sepse duhej të tërhiqnin disa makina të mëdha që do të përdoreshin për ndërtimin e hidrocentraleve. Lundruam nëpërmjet lumit Tamiz. Kam bërë katër ose pesë lundrime në këtë lumë të lundrueshëm për të mbërritur në portin e Londrës. Madje nga Londra kam kujtime e fotografi të shumta, madje dhe brenda “British Muze”, ku ishte vështirë të fotografoje.

Sa makina morët nga Anglia?

Atë rrugë ne transportuam 10 të tilla. Ato ishin tip “Centaur” 40 tonëshe. Anglezët nuk kishin besim, për shkak të sigurisë së anijes, që ne mund t’i çonin në destinacion. Por unë nga ana ime u dhashë siguri. Gjashtë nga “Centaurat” i futëm në hambar, dhe elbin rifuxho që kishim marrë në Ruen të Francës, si lëndë të parë për birrë, ia hodhëm sipër. Ndërsa katër të tjerat i lidhëm me kavo mbi kuvertë. Dhe i sollëm të paprekura në Durrës.

Si veprohej për nënshkrimin e kontratave?

Kontrata i siguronte “Albship”-i. Ne i zbatonim. Por anijet tona punonin dhe për llogari të të tretëve. Pra transportonin ngarkesa me qira. Dhe gjithmonë kishim punë, sepse Flota Tregtare Shqiptare po bënte emër të mirë në të gjitha portet ku akustoheshin anijet tona. Ngaqë ishim korrektë, kontratat nuk na mungonin.

Po ndonjë ngarkesë tjetër me rrezik keni transportuar?

Një nga problemet më të mëdha që kam hasur ka qenë transporti i dy kullave të mëdha që u montuan në Azotikun e Fierit. Kontrata thoshte që dy kullat, firma e transportit “Parizi” do të sillte në portin e Triestes, por në fakt ata i lanë në Venecia. Transhipi siguroi një ngarkesë me mallra që do të shërbenin si bazament për anijen. Por ngarkesa ishte problematike. Ato ishin dy kulla nga 52 ton 54 metra të gjata me diametër 4,70 metra.

Si u ngarkuan këto pesha?

Unë kërkova që të bëheshin mbi kuvertën e anijes dy bazamente me shina. Qendra jonë po na i vononte, por në gjetëm një zgjidhje më të shpejtë. Na i mori përsipër firma e transportit. Deri në çastin që është ulur edhe kulla e dytë, kam qenë në një tension të jashtëzakonshëm dhe isha i mbuluar vetëm nga djersët. Por ato u ulën me kujdes mbi kuvertë. Ishin të pranishëm dhe dy inxhinierë kinezë që kishin ardhur nga zyra e tyre që e kishin në Milano. Sepse kinezët kishin një parim. Çdo gjë që e porosisnin për Shqipërinë, e prodhonin dhe një “kopje” për vete. Kështu dhe me kullat e Azotikut.

 

Arratisja

Polaku kërkon strehim në Shqipëri

Pyetjes nëse është arratisur ndonjë marinar shqiptar nga anijet që drejtonte, ish kapiteni Fore Kureta thotë:Nuk më ka ndodhur ndonjë rast i tillë. Por mund të them se kemi pasur një rast kur kemi transportuar një të arratisur. Në kishim marrë një ngarkesë nga Polonia. Një nga punëtorët polak të portit ishte fshehur në hambarët tanë. U zbulua kur po kalonin kanalin e Kilit, në Gjermani, kanal i cili lidh detin Balltik me Detin e Veriut. E ngjitëm në urën e komandimit dhe e pyeta se përse ishte fshehur në anije. “Dua të arratisem nga Polonia”, na tha. “Ne po shkojmë në Shqipëri”, i thashë duke menduar se ai donte të shkonte në ndonjë nga vendet perëndimore, por ai ma ktheu. “Po edhe unë në Shqipëri dua të vij”. E mbajtëm, por natyrisht njoftuam qendrën se në bordin anijes tonë ndodhej dhe një i huaj që kërkonte të qëndronte në Shqipëri. Kur mbërritëm në port po na prisnin disa njerëz nga të Ministrisë së Brendshme, të cilët e morën menjëherë polakun dhe e çuan në Tiranë. Mora vesh se më pas kishin shkuar përfaqësues nga ambasada polake dhe e kishin çuar sërish në Poloni edhe pse ai kishte rezistuar për të mos u kthyer.

 

Fore Kureta tregon për “Telegraf.com” si u fuqizua flota tregtare shqiptare në transportin detar

 

Transoqeanikët në 100 porte të botës

 

Flota shqiptare përbëhej nga 14 anije hekuri. Nga disa barka prej druri, me tonazh dhe rajone të kufizuara lundrimi, ajo shkoi deri në flotë të fuqishme rreth 56 mijë tonëshe. Kjo flotë fillonte me anijet më të vogla “Sazani e Butrinti me nga 500 tonë ngarkesë për të vijuar me më të madhen e modernet “Arbëria me 16 mijë tonë ngarkesë.

“Arbëria”

 Transoqeaniku “Arbëria” ishte anija më e madhe dhe më moderne e flotës tregtare shqiptare. U ble në vitin 1975 nga shteti shqiptar në Suedi për rreth 5 milionë dollarë dhe kishte kapacitet mbajtës 16 mijë tonelata. Ishte një kryevepër e teknologjisë më të avancuar të kohës, krejtësisht e automatizuar, me ajër të kondicionuar në verë e ngrohje në dimër. Anija bënte kryesisht linjën e Kinës dhe Kubës, dhe në asnjë rast nuk kishte dhënë shenjën më të vogël të ndonjë defekti. Njëkohësisht, anija punonte për llogari të të tretëve, pra me qira, marrëveshje që bëheshin nga shteti shqiptar teksa ajo ishte në udhëtim e sipër.

“Tirana”

Kjo ishte një anije bashkëkohëse e “Arbërisë”, vetëm se e prodhuar në Poloni. Më saktë, anija u porosit nga qeveria shqiptare aty rreth vitit 1972 dhe ishte krejt e re kur mbërriti në Durrës. Kapacitetin mbajtës e kishte 12 mijë tonelata dhe konsiderohej nga më të mirat e flotës tregtare shqiptare. Anija përdorej për udhëtime të gjata dhe punonte edhe për llogari të të tretëve.

“Vlora”

Anija “Vlora”, 12600 tonëshe është konsideruar si mjeti që shpëtoi ekonominë shqiptare pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. Kishte vetëm një vit që ishte prodhuar, kur u ble në Xhenova të Italisë në vitin 1961, rreth 4 milionë USD. Anija punonte edhe me solar dhe kishte rendiment, pasi kostoja e karburantit ishte shumë e vogël. Në vitin 1961, stafi i saj u kompletua me oficerë të marinës luftarake. Anija kujtohet nga njohësit e saj si shumë e fortë, pasi nuk kishte ndodhur të bënte asnjë defekt rrugës. Ajo shkonte katër herë në vit në Kinë (një udhëtim vajtje-ardhje bëhej në 3 muaj), por në Kubë mbërrinte vetëm për 16 ditë. “Vlora” ishte inkuadruar së bashku me anijen “Shkodra” në një shoqëri të përbashkët shqiptaro-kineze të quajtur “CHAL Ship Company”, pas shpërbërjes së të cilës i mbeti shtetit shqiptar.

“Shkodra”

Kjo anije kishte të gjitha parametrat e “Vlorës” dhe ishte prodhuar po në Xhenova të Italisë. U përdor në vitet 1970 dhe në vazhdim me sukses nëpër linja të gjata. Anija ishte pjesë e shoqërisë së përbashkët shqiptaro-kineze “CHAL Ship Company”, pas shpërbërjes së të cilës mbeti në Shqipëri. Shoqëria e përbashkët kishte tre anije, por nuk dihet përse pas shpërbërjes Shqipëria përfitoi dy prej tyre.