Presidenti Meta mesazh të fortë: Nuk mund të luhet me kufijtë në Ballkan, si përpara një fletoreje vizatimi

623
Sigal

Mesazhe të forta ka dhënë kreu i shtetit sot në fjalën e tij me rastin e prezantimit të Mesazhit të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, për Ditën e 53-të Botërore të Paqes. Presidenti Ilir Meta nënvizoi disa çështje kryesore “të nxehta” të momentit, një prej tyre ajo që ai e quan kambanë alarmi, ‘shpopullimin’ e vendit nga largimi në masë i të rinjve. Ndërsa nënvizoi se politika shqiptare ka ndikim të madh në këtë shpopullim, kërkoi një dialog “pa përjashtime dhe pa manipulime”.

Shqipëria të shpëtojë nga dimri demografik i Evropës. Nëse dikush këtu do më thotë që kjo ndodh edhe në vende të tjera, i them jo, kemi të bëjmë me shpopullim, jo largim. Është një situatë alarmante e dramatike që kërkon një përgjigje mbarëkombëtare. Vullneti poltik duhet të forcohet, duhet më shumë dashuri e vullnet, dialog më i madh e më i shpejtë do dekurajonin këtë fenomen largimi duke ndihmuar edhe shumë për celjen e negociatave për të kapur ritmin në arritjen në BE. Shqipëria për fat të keq ka një politikë që ende s’po ecën në drejtimin e duhur. Sot shqiptarët kanë nevojë për dialog të vërtetë, shqiptarët duan që zëri i tyre të dëgjohet. Në procesin e integrimit Shqipëria mbetet e ngadaltë dhe shpresa është më e pakët se ajo në fillim të viteve 1990-2000. S’do ketë kurrë paqe të vërtetë nëse sdo ndërtojmë një sistem ekonomik të pastër”,- tha kreu i shtetit.

Presidenti Merta preku edhe çështjen e kufijve në rajon dhe tha se “plagët janë ende të freskëta, s’duhen lënduar më tej, të jemi vigjilentë ndaj çdo tentative që do cenonte qetësinë e paqen në rajon. S’mund të luhet me kufijtë në Ballkan si përpara një fletoreje vizatimi, presidenti i Malit të Zi tha me të drejtë se “s’ka vend as për Serbi të Madhe as për Shqipëri të Madhe se projekte të tilla hapin vetëm rrugë për tragjedi të mëdha”. Ne sot në rajon duhet të gjithë të punojmë jo për ndryshime kufijsh por për heqje kufijsh e partneritet të plotë në pozita të barabarta e me angazhimnn e përbashkët për tu anëtarësuar në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Ne do vazhdojmë të jemi shembull për paqen në rajon dhe ata që e duan paqen”,- tha kreu i shtetit.

Presidenti Meta mbajti fjalën e tij në veprimtarinë e organizuar nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, me rastin e prezantimit të Mesazhit të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, për Ditën e 53-të Botërore të Paqes, me temë: “Paqja si udhë shprese: dialog, pajtim dhe kthesë ekologjike”.